E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli refuzon nismën serbe për bllokimin e paketës “Ahtisari”



Blerina Olldashi
Ka dështuar edhe këtë herë përpjekja e Serbisë për të penguar proceset e zhvillimit të Kosovës si shtet i pavarur falë Parlamentit Europian dhe angazhimit të disa deputetëve nga Hungaria, Belgjika dhe Gjermania, të cilat refuzuan dje të gjitha amendamentet e prezantuara nga Serbia për të ndryshuar tekstin e projektrezolutës për Kosovën. Synimet e saj Serbia tentoi t’i realizonte nëpërmjet disa deputetëve rumunë dhe grekë në Parlamentin Europian, të cilët prezantuan 160 amendamente. Serbia dhe përkrahësit e saj mbështetën idenë se pakoja e Ahtisarit nuk është e vlefshme, pasi ajo nuk është miratuar në Këshillin e Sigurimit, por edhe Statusi i Kosovës nuk është i përcaktuar, sepse nuk është pranuar nga organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, këto ndryshime, të cilat do t’i bashkëngjiteshin rezolutës për Kosovën, nuk u votuan nga Komiteti për Politikë të Jashtme në Parlamentin Europian. Gazeta e përditshme kosovare, “Koha ditore”, bëri të ditur se në tekstin e prezantuar nga Serbia ishin paraqitur më shumë se 160 amendamente, më së shumti nga deputetë që përfaqësojnë në PE vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Siç mësohet, shumica e këtyre amendamenteve kishin si qëllim që Parlamenti Europian të pranonte faktin se pakoja “Ahtisari” nuk është dokument zyrtar, se ajo nuk është miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, se statusi i Kosovës nuk është përfundimtar, pasi Kosova nuk është anëtare e asnjë organizate ndërkombëtare etj. Megjithatë, qëllimet e Serbisë nuk u pranuan falë angazhimit të deputetit nga Holanda, Langedijk, Grupit më të madh Demokristian në Parlamentin Europian EPP, si dhe deputetëve nga Hungaria, Belgjika dhe Gjermania, të cilët bënë të mundur që përpjekjet e diplomacisë serbe të mos kalonin në Parlamentin Europian. Sidoqoftë, në variantin e fundit të tekstit të projektrezolutës të votuar përshëndetet vendosja e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, ndërsa kërkohet më shumë angazhim nga institucionet e Kosovës dhe ato të BE-së për stabilitet, siguri dhe zhvillim ekonomik.

Thaçi: “Kosova nuk ka qenë dhe nuk do të jetë e Serbisë”

Në një intervistë për të përditshmen austriake “Der Standard”, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka konsideruar të pamundur kthimin e vendit të tij nën qeverisjen e Serbisë, pasi integriteti territorial i shtetit me të ri të Europës është i pacenueshëm. “Kosova nuk ka qenë kurrë e Serbisë. Për Serbinë nuk ka vend në Kosovë, pasi ajo ka ardhur deri këtu përmes përdorimit të dhunës dhe gjenocidit. Është koha që Serbia të shikojë se çfarë ka bërë dhe t’u kërkojë falje qytetarëve të Kosovës”, - ka pohuar Thaçi.
Megjithatë, kryeministri shprehu gatishmërinë për të diskutuar me Beogradin mbi çështje me interes të përbashkët, por jo për pavarësinë apo për ndarjen e vendit. “Prishtina është e gatshme të bisedojë me Beogradin për çështje me interes të ndërsjellë, ashtu siç parashikohet në pakon “Ahtisari”, por jo për çështje të tjera. Integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm”, - theksoi Thaçi. Më tej kreu i qeverisë kosovare foli edhe për procesin e njohjes së pavarësisë, ku ka shprehur bindjen se së shpejti do të ketë njohje të reja nga vendet islamike. “Do të ketë edhe më shumë njohje nga vendet e Konferencës Islamike, por gjërat janë komplikuar pak. Megjithatë, premtimet janë ende të vlefshme dhe ne presim”, - është shprehur Thaçi.

27 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›