Klima, Obama: “Standarde më të rrepta për makinat”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i kërkoi dje Ministrisë së Ambientit që të rishikojë vendimin lidhur me kufijtë e gazrave që lëshojnë makinat në Kaliforni dhe në shtetet e tjera të Amerikës. Në një konferencë për shtyp, të mbajtur në Uashington, Obama njoftoi edhe standardet e reja për uljen e konsumit të automjeteve. “Brenda vitit 2011 standardet për konsumimin e automjeteve duhet të jenë më të ashpra”, - pohoi kreu i Shtëpisë së Bardhë. Pa iu përgjigjur pyetjeve, Obama sqaroi se objektivi është që të ulet në mënyrë drastike varësia e SHBA-ve ndaj naftës. “Duam t’i bëjmë të qartë botës se Amerika është gati të drejtojë. Për të mbrojtur klimën tonë dhe sigurinë kolektive duhet të organizojmë një koalicion global, në mënyrë që të kemi garancinë që vende si Kina dhe India të luajnë rolin e tyre, ashtu sikurse ne do të luajmë tonin”, - u shpreh Obama.
BE-ja angazhohet për rindërtimin e Rripit të Gazës
Pas përfundimit të luftës dhe dëmeve në Rripin e Gazës ndihet nevoja emergjente për ndihma dhe rindërtimin e vendit. Bashkimi Europian, Egjipti, Jordania dhe Turqia kanë debatuar dje për një armëpushim të përhershëm dhe për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore. Megjithatë, në plan të parë ishte ndihma e popullsisë palestineze dhe rindërtimi i Rripit të Gazës. Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, shprehu mendimin se kushtet e rënda të jetës në Rripin e Gazës janë edhe shkaku i dhunës palestineze. “Është vendimtare prania në Rripin e Gazës, me qëllim që njerëzit atje të kenë jo vetëm të drejtën e mbijetesës, por edhe të jetojnë”, - tha Bildt. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer, shpreson se palestinezët do të ndihmohen nga mbarë bota: “Duhet të përgatitemi për rindërtimin e Rripit të Gazës. Mendoj se është një sinjal i mirë që iniciativat vijnë edhe nga vetë rajoni. Egjipti ka paralajmëruar një konferencë donatorësh, që do të thotë se bota arabe do të marrë pjesë në rindërtimin. Europa me siguri që nuk do të rrijë duarkryq”. Një pengesë serioze jo vetëm për rindërtimin, por edhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe krijimin e shtetit palestinez, është përçarja mes vetë palestinezëve. Fatahu është në pushtet në Jordanin Perëndimor, ndërsa Hamasi në Rripin e Gazës.
27 Janar 2009