Po ndiqni "NATO TV"

Ndriçimi gati, kamerat nisin xhirimin, dhe ja, në ekran shfaqet një tank, ndërsa një ushtar i NATO-s shtrëngon duart me një të moshuar me mjekër të gjatë në pllajat e Afganistanit. Mund të jenë pamje nga çdo televizion i botës, por kësaj here transmetuesi është vetë NATO-ja. Objektivi është tepër i thjeshtë: të tregohet imazhi i duhur i një fushate për të cilën liderët e Aleancës thonë se rrezikon shumë suksesin e saj ushtarak, për shkak të paaftësisë për të përfituar nga avantazhi i medias. “Kur bëhet fjalë për pamje, NATO-ja ndodhej në Epokën e Gurit kur unë mora postin. Ne thjesht nuk ishim në fushë”, - shpjegoi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, ndërsa bëri publik shërbimin e ri televiziv online të Aleancës gjatë samitit në Bukuresht. “Grupet ekstremiste me të cilët përballemi, janë të shpejtë në përdorimin e suksesshëm të platformave të reja mediatike. Na u desh të siguronim që NATO-ja të përqafonte sfidat e medias së shekullit XXI”, - tha kryeministri danez, Anders Fogh Rasmussen, qeveria e të cilit kryesoi programin. NATO-ja ka udhëhequr forcat e sigurisë, ISAF, në Afganistan, që nga gushti i vitit 2003, me qëllimin e deklaruar për të asistuar qeverinë afgane në shtrirjen e autoritetet të saj dhe krijimin e një mjedisi të sigurt. Aleanca pretendon se ka arritur suksese të mëdha, ku tani 6 herë më shumë fëmijë afganë shkojnë në shkolla sesa në vitin 2001, hapjen e mbi 4 mijë qendrave mjekësore e trajnimin e mbi 50 mijë trupave ushtarake afgane. Por këto suksese janë errësuar nga raportet në media për vdekje civilësh e sulme të rrezikshme nga talebanët. Tashmë, liderët e Aleancës e kanë kuptuar se NATO-ja ka një problem imazhi në Afganistan, pasi talebanët kanë një fushatë efektive mediatike dhe mënyrë për të shpërndarë informacionin. Kështu, përgjigja e NATO-s është “natochannel.tv”, që ofron pamje, video, lajme në kohë reale, analiza dhe materiale arkivorë në internet nga misioni i Aleancës në Afganistan, në përpjekje për të ndryshuar këndvështrimin e publikut ndaj NATO-s. “Aleanca ka ndërmend të dërgojë 5 ekipe xhirimi në Afganistan, me qëllimin për të prodhuar një sërë klipesh, video-lajme, histori dhe pamje çdo javë”, - tha zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apathurai, gjatë lançimit të shërbimit të ri. Kjo gjë është mirëpritur nga analistët, të cilët e identifikojnë mungesën e mbështetjes publike për misionin, si sfidën kryesore të aleancës. Por ata i tremben faktit se e gjithë kjo mund të merret si propagandë nga shikuesit dhe vënë në dyshim nëse ky shërbim do të jetë i balancuar.