Një Bukuresht tjetër

Asnjë qen i humbur apo i pastrehë nëpër rrugë, asnjë pellg i pisët apo ndonjë polic i palarë. Me urdhra të prerë, zyrtarët e Bukureshtit urdhëruan pastrimin më të madh që qyteti ka parë ndonjëherë, ndërsa vendi nisi mikpritjen e ngjarjes më të madhe ndërkombëtare që ka parë ndonjëherë. “Mund ta ndjesh lehtësisht ndryshimin”, - thotë një shofer taksie i parkuar pranë lulishteve të freskëta me lule në sheshin “Piata Presei”, ku pjesëmarrësit kaluan gjatë rrugës për në hotelet e tyre me 5 yje. “Çdo gjë funksionon. Trafiku është tërësisht i kontrolluar, të gjitha dritat e rrugëve funksionojnë dhe, madje, njerëzit duken ndryshe. Kjo nuk është normale”, - vazhdon ai. Qeveria rumune ka zbarkuar 23 mijë oficerë policie, mijëra pastrues rrugësh, rreth 50 punonjës për kapjen e qenve, agjentë sekretë dhe snajperë për të siguruar kryeqytetin gjatë tri ditëve të samitit. Organizatorët thonë se krerët e 26 shteteve anëtare të Organizatës së Atlantikut të Veriut dhe liderë nga 20 vende të tjera kanë mbërritur në Bukuresht të shoqëruar nga 3500 gazetarë dhe mijëra ndihmës që ndjekin nga afër punimet e këtij samiti. Sipas banorëve, vetëm tri javë më parë kryeqyteti ishte përfshirë nga zhurma e ndërtimeve, pluhuri e trafiku, qentë nëpër rrugë dhe pellgjet me baltë. Ndërsa tani, mijëra flamuj rumunë e të Aleancës valëvisin nëpër rrugë. Me mijëra policë me uniforma të pastra kanë mbërritur nga jashtë Bukureshtit dhe drejtojnë trafikun plot hijeshi nëpër kryqëzimet që zakonisht janë të mbytur nga kaosi. Sipas mediave rumune, Ministria e Jashtme ka shpenzuar 8 milionë dollarë për këtë samit, ndërsa Ministria e Shëndetësisë rreth 1 milion. Ndërsa qeveria rumune nuk ka bërë publike koston e masave të sigurisë. Megjithëse disa media ndërkombëtare raportojnë se ky samit, më i madhi për nga pjesëmarrja që Aleanca ka mbajtur deri më sot, ka një kosto të lartë harxhimesh prej 26 milionë eurosh. Presidenti i vendit, Trajan Bashesku, tha gjatë një interviste javën e kaluar, se Rumania ka si qëllim të përdorë këtë samit pjesërisht për të rritur profilin e saj në BE dhe NATO, e për të tërhequr turistët e huaj. Helikopterë ushtarakë e policorë patrullojnë qiejt e Bukureshtit, ndërsa pjesa më e madhe e rrugëve të qytetit janë mbyllur për trafikun. “Çdo gjë është më e pastër”, -thotë Simona Ginea, një punonjëse sociale, e cila ndihmoi për dërgimin e të pastrehëve të rrugës nëpër disa strehëza të përgatitura posaçërisht për samitin. Por ky samit përbën një humbje të madhe ekonomike për sistemin e transportit të Bukureshtit. Ndërsa hotelet luksoze e të kryeqytetit rumun pritet të fitojnë rreth 6 milionë euro nga akomodimi i delegacioneve që marrin pjesë në samit, humbësit më të mëdhenj janë kompanitë e transportit dhe operatorët ajrorë. “Shoqëritë e taksive do të humbin rreth 74 mijë euro në ditë”, - tha Iulian Anghel, presidenti i Shoqatës Kombëtare të Shoferëve të Taksive. Sipas tij, të ardhurat e taksistëve ulen me rreth 30 për qind gjatë tri ditëve të samitit. Po kështu, dy aeroportet e kryeqytetit kanë ndalur fluturimet për të përballuar trafikun ajror gjatë samitit. Për rrjedhojë, kompanitë ajrore ndërkombëtare të cilat kanë anuluar rreth 22 fluturime në ditë gjatë ditëve të samitit, kanë përllogaritur humbje prej dhjetëra mijëra eurosh.