E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO shtyn firmat për Ballkanin

• Vendimi i vendeve të NATO-s për të ftuar në Aleancë, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë duket se do të merret vetëm në momentet e fundit.Megjithëse në mbledhjen e djeshme të ministrave të Jashtëm të NATO-s, pritej të konturoheshin ftesat për tre vendet e Kartës së Adriatikut, problemet mes Greqisë dhe Maqedonisë për shkak të emrit të kësaj të fundit, kanë detyruar ministrat e Jashtëm të mos marrin një vendim. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Sheffer, theksoi se aleanca punon me unanimitet dhe, Greqia do të ketë gjithmonë të drejtë si një vend anëtar. "Kemi një anëtare, Greqinë, dhe një jo-anëtare, Maqedoninë", tha ai pas bisedimeve jozyrtare. "NATO punon me konsensus. Shpresoj që nga ky takim deri tek ai i Bukureshtit do të gjejmë një zgjidhje", shtoi Sheffer. Por shtyrja e marrjes së vendimit përfundimtar për tre vendet ka ardhur pikërisht nga mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe Maqedonisë. Greqia ka refuzuar e vendosur lejimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO deri sa të zgjidhet konflikti mes tyre për çështjen e emrit. Ndërsa ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë diskutuar për anëtarësimin e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kroacisë në samitin e muajit të ardhshëm, ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis tha se vendi i saj mbështet vetëm dy nga kandidatura. "Greqia mbështet kandidaturën e Shqipërisë dhe Kroacisë, sepse konfliktet e pazgjidhura nuk na lejojnë të marrim të njëjtin pozicion për Maqedoninë", theksoi diplomatja greke. Bakojanis tha për reporterët në zyrat e NATO-s se, "askujt nuk i pëlqejnë vetot", teksa shtoi se "Greqia do të vazhdojë të punojë me një shpirt konstruktiv për një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët".TakimiNë mbledhjen e djeshme të ministrave të Jashtëm, sipas njoftimit zyrtar të sitit të NATO-s, është vlerësuar progresi i bërë nga tre vendet e Ballkanit, Shqipëria, Kroacia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, mbi aspiratat për të qenë anëtarë të aleancës. Në një konferencë për shtyp, në përfundim të këtij takimi, Sheffer bëri të qartë se nuk është marrë ende asnjë vendim mbi çështjen e ftesave, por theksoi se ata po i afroheshin këtij vendimi me shpejtësi. "Më lejoni t'ju them se: nuk ka asnjë problem me zgjerimin e NATO-s", tha Shefer. "Shpresoj dhe pres që deri në Samitin e Bukureshtit, ne do të jemi të aftë të themi se familja e NATO-s po rritet përsëri". Ndërkohë, Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, tha dje se Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në NATO. "Besoj të jemi shprehur qartë se ne besojmë që të tre këto vende kanë bërë përparime drejt anëtarësimit, por ne do ta gjykojmë këtë së bashku me aleatët tanë. Dhe atëherë do të jetë koha për të vendosur nëse ky proces do të ecë përpara", tha zonja Rajs në përgjigje të pyetjeve për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj shpresave të tre vendeve për anëtarësim dhe për çështjen e emrit të Maqedonisë. E pyetur se si do të reagonin Shtetet e Bashkuara nëse Greqia bllokon kërkesën e Maqedonisë, Sekretarja e Shtetit, Kondoliza Rajs, tha se është e qartë që Maqedonia së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë kanë bërë të tria përparim drejt anëtarësimit. Ajo tha se NATO është një organizatë që vepron me konsensus dhe tha se të gjitha vendimet do të merren me aleatët e Uashingtonit. "Shtetet e Bashkuara në parim kanë thënë gjithmonë se NATO është një organizatë që vepron në bazë të arritjeve, domethënë kur vendet janë të gatshme për fazat e ndryshme (të procesit), NATO duhet ta ketë derën të hapur për to dhe ky vazhdon të mbetet qëndrimi ynë", tha ajo.deklaratat• Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer deklaroi dje në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s pro marrjes së ftesës nga tre vendet e Kartës së Adriatikut. "Për të mirën e stabilitetit, ne duhet t'i ofrojmë ftesën e anëtarësimit Kroacisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë", theksoi Shtajnmajer. • Kreu i diplomacisë së Luksemburgut, Jean Asselborn, tha se i vetmi problem me tre vendet e Ballkanit Perëndimor është ai i Maqedonisë për shkak të emrit. "Për vendet e Ballkanit nuk kemi asnjë problem, me përjashtim atë të Greqisë me Maqedoninë për çështjen e emrit", tha Jean Asselborn. • Sipas ministrit të Jashtëm të Italisë, Masimo D'Alema: "Qëndrimi i Italisë është ai që të tre këto vende, të përfshira në planin e aksionit të vendeve anëtare të NATO-s, të ftohen në Samitin e Bukureshtit. Ne jemi pro përshpejtimit të procedurave për anëtarësimin e këtyre 3 vendeve, duke pasur parasysh se ato kanë fituar standardet e nevojshme".Liberalizimi i vizave, sot negociatat BE-ShqipëriBashkimi Evropian dhe Shqipëria do të hapin sot zyrtarisht negociatat për liberalizimin e plotë të vizave. Tre muaj pasi ka hyrë në fuqi marrëveshja e lehtësimit të regjimit të vizave për vendin tonë, zv.presidenti i Komisionit Evropian, Franko Fratini, do të çelë bisedimet me Tiranën. Negociatat do të nisin në Pallatin e Brigadave gjatë takimit të zyrtarit të lartë të KE-së me Kryeministrin Berisha, ku të pranishëm do të jenë edhe ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë. Në orën 11:30, Berisha dhe Fratini do të jenë përballë mediave, ndërkohë që në orën 12:15 zv.presidenti i KE-së do të takohet me kreun e shtetit dhe në fund do të ketë një takim edhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në prag të kësaj vizite, Fratini është shprehur: "Vij personalisht në Tiranë për t'u sjellë qytetarëve shqiptarë një mesazh politik të fortë e pozitiv nga Bashkimi Evropian, duke nisur dialogun për liberalizimin e vizave mes Bashkimit Evropian dhe vendit të tyre. Ky proces synon të arrijë një qëllim të përbashkët, që është lëvizja e lirë e qytetarëve. Për më tepër, ky dialog do të nxisë promovimin e lëvizjes së njerëzve mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor si një element kyç drejt një bashkëpunimi më të ngushtë me vendet e rajonit". Negociatat për liberalizimin e plotë të vizave, të cilat do të nisin sot, nuk kanë një datë fikse se kur do të përfundojnë, pasi zyrtarët evropianë do të shohin me përparësi çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Bregu: Ja hapat për zbatimin e marrëveshjesQeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa konkretë për zbatimin e marrëveshjes së ripranimit të emigrantëve që qëndrojnë pa autorizim në vendet e BE-së. Këtë e ka bërë të ditur dje ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë takimit të Komitetit të Përbashkët të Ripranimit mes përfaqësuesve të KE-së dhe Shqipërisë. Ky detyrim i qeverisë shqiptare lind falë marrëveshjes së KE-së dhe Tiranës zyrtare. Sipas ministres Bregu: "Hapat që janë ndërmarrë nga qeveria shqiptare për zbatimin e kësaj marrëveshje janë ndryshimet ligjore të ndërmarra, nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale dhe protokollet e zbatimit me vendet anëtare të BE-së dhe vendeve të treta, ndryshimet strukturore dhe organizative, trajnimet e stafit të përfshirë me çështjet e ripranimit, vendosja e procedurave dhe krijimi i kushteve të nevojshëm për të kthyerit me qëndrim të parregullt në vendet anëtarë të BE-së etj.". Komiteti i Përbashkët për Ripranimin ka si detyrë kryesore që të kontrollojë zbatimin e marrëveshjes; të vendosë masat e nevojshme për zbatimin e njëjtë të kësaj marrëveshjeje; të ketë shkëmbime të rregullta informacioni mbi protokollet për zbatim të hartuar nga shtete të veçanta anëtare dhe Shqipëria. Duke përmendur faktin se për zbatimin e plotë të marrëveshjes mbeten ende disa sfida për t'u përballur, ministrja Bregu theksoi se zbatimi me rigorozitet i kësaj marrëveshje, si një angazhim edhe në kuadër të MSA-së, përbën gjithashtu një kërkesë që do të merret në konsideratë për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›