E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe Kosova, edhe Serbia presin që votimi të jetë në anën e tyre

Prishtinë/Beograd, 12 gusht – Diçka kanë të përbashkët Prishtina dhe Beogradi para katërmbëdhjetë shtatorit: shpresa të njëjta të përfundimit të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shkruan sot Koha Ditore. Të dyja vendet fqinje kanë pritjet se votimi do të jetë në anën e tyre në muajin e ardhshëm. 
Nëse Bashkimi Evropian dështon që të bindë Serbinë për ta ndryshuar projektrezolutën, ku bëhet thirrje për “bisedime në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme”, që në mënyrë indirekte nënkupton bisedimet për statusin dhe për të participuar me një projektrezolutë të përbashkët, atëherë projektrezoluta serbe pritet të jetë e para që do të mëtojë të bëjë për vete dy të tretat e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme. Në rast se ndodh një gjë e tillë atëherë, sipas rregullores së Asamblesë së Përgjithshme, kurrfarë projektrezolute tjetër e sponsorizuar nga ndonjë shtet tjetër nuk do të merret në konsideratë, ngase nuk bën që materia e njëjtë të hidhet në votim për të dytën herë.  
Afro një muaj para ballafaqimit përtej Atlantikut, në Qeverinë e Serbisë pavarësisht dyshimeve të shprehura dhe luhatjeve në dukje të disa shteteve, mendohet se ka mjaft mundësi të sigurohet mbështetja e shumicës së shteteve për të kaluar projektrezolutën serbe dhe mbështetjen për bisedimet. Këtë e ka thënë të mërkurën për KD-në sekretari i shtetit në Ministrinë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq.
Ndërkohë burime të Kohës Ditore nga Qeveria e Kosovës kanë thënë në kushte anonimiteti të mërkurën se shpresat e shtetit të ri në mënyrë që projektrezoluta e Serbisë të mos marrë shumicën e votave në Asamblenë e Përgjithshme janë të bazuara te aktiviteti që po bëjnë me vendet e tjera Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania, Turqia dhe disa nga shtetet e tjera që e kanë njohur Kosovën.    (Më gjerësisht lexoni në botimin e sotshëm të gazetës Koha Ditore)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›