E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Kosova pjesë e “Orës së Tokës”

Partia Ekologjike e Kosovës iu bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që sonte t’i fikin dritat për një orë, duke filluar nga ora 20.30 deri në 21.30, me rastin e “Orës së Tokës”, aktivitet ky simbolik që shënohet në gjithë botën me qëllim të sensibilizimit ndaj ndryshimeve klimatike.

Sot në shumicën e vendeve të botës për një orë të fiken dritat, aktivitet ky të cilit sivjet për herë të parë do t’i bashkohet edhe vendi ynë.

Kryetari i Partisë Ekologjike, Arif Krasniqi, ka thënë për Kosovapress se Kosova këtë vit i bashkohet aktivitetit global më të madh mjedisor “Ora e Tokës”, ku qytetarët për një orë duhet të fikin dritat dhe aparaturat e tepërta elektrike.

“Kjo është “Ora e Tokës”, të cilën ne ia kushtojmë shtëpisë sonë të përbashkët Tokës me një veprim mjaft simbolik, por efikas kundër ndryshimeve klimatike, të cilat po ia zënë frymën mjedisit”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij energjia elektrike është përgjegjëse për afër 60 për qind të dioksideve të karbonit të emetuara në atmosferë, kështu që rrjedhimisht kursimi i energjisë është veprim direkt në reduktimin e emetimit të dyoksid karbonit në ajër.

“Secili qytetar i botës ka një rol aktiv në luftën kundër ndryshimeve klimatike përmes veprimeve simbolike sikur ky i sotmi “Ora e Tokës”, andaj i ftojmë edhe një herë të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i fikin dritat dhe të kontribuojnë sadopak në ruajtjen e mjedisit”, ka thënë Krasniqi.

“Ora e Tokës” është një ngjarje globale dhe është konfirmuar si aktiviteti mjedisor me pjesëmarrje më masive në botë. Kulmi i këtij aktiviteti sensibilizues është të shtunën e fundit të marsit, 27 mars, kur në orën 20:30 të gjithë do të fikin dritat dhe aparaturat e tepërta elektrike për një orë.

Vitin që shkoi në botë u fik për 1 orë ndriçimi Kullës Ajfel, Koloseu, Syri i Londrës, Ura Bruklin, Stadiumi “Foleja e Zogut”, Porta e Brandenburgut etj.

Duke fikur dritat për një orë, qytetarët anembanë globit japin kontributin modest për të kursyer dioksidin e karbonit që emeton në atmosferë prodhimi i energjisë elektrike, si dhe për të treguar se ne duam qëndrime të menjëhershme kundër ndryshimeve klimatike.

Protokolli i Kiotos e ka identifikuar rritjen e efikasitetit të energjisë si njërën nga rrugët më të shkëlqyera për të ulur lëshimet e dioksidit të karbonit në atmosferë.

“Ora e Tokës” është shënuar për herë të parë në botë në vitin 2007 dhe është iniciativë e World Wild Fund. Nga viti i parë i ngjarjes e deri tek e katërta, kjo iniciativë ka njohur rritje nga 1 milion njerëz në Sidnei në 2007, në 1 miliard në gjithë botën në vitin 2009. Sivjet synimi i “Orës së Tokës” është që të ketë mbi 1 miliard pjesëmarrës: 1 në çdo 6 banorë të planetit. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›