Fillimi i punimeve në Gërdec, ushtarakët “sherr” në gjyq
27/03/2010 Anashkalimi i Shtabit të Përgjithshëm, pse urdhrat i kalonin Komandës së Bashkuar
TIRANË- Fillimi i dëshmive nga ushtarakët që kanë pasur dijeni për punimet në Gërdec, sjell edhe përplasjet e para. Ashtu si edhe një seancë më parë, kur rojat deklaruan se punimet filluan me urdhër gojor e jo me shkrim, edhe dje u pohua e njëjta gjë. Këtë urdhër gojor, sipas gjithë dëshmive e ka dhënë ish-gjenerali i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Faktet dolën nga gjenerali i Forcave Ajrore, Astrit Jaupi. Ai sqaroi me imtësi gjithë procedurën e përdorur për fillimin e punimeve, duke pasur përballë ish-eprorin e tij Shpëtim Spahiu. Sipas Jaupit, urdhri për lejimin e punimeve nuk erdhi kurrë, edhe pse ka pasur disa komunikime verbale me Spahiun. “Edhe pse nuk e kisha në natyrën e punës sime, nga situata që u krijua, pas disa komunikimeve verbale me eprorin tim Shpëtim Spahiu, u detyrova të bëja një shkresë, ku me shqetësim shkruaja se ‘nuk po vjen urdhri për lejimin e punimeve në ish-repartin e Gërdecit’. Ndërkohë, sipas raportimeve që kisha nga vartësit e mi, punimet kishin vijuar, duke arritur edhe në shembjen e disa objekteve”, deklaroi gjeneral Jaupi. Pas kësaj dëshmie erdhi dhe një deklaratë nga Shpëtim Spahiu. Të dy janë gjeneralë dhe kanë bërë përplasjen e parë pa pasur ndonjë urdhër me shkrim, por duke iu përmbajtur deklarimeve gojore. Spahiu deklaroi se nuk kishte dhënë një urdhër të tillë, se ish-reparti ishte në administrim të Forcave Ajrore dhe Jaupi s’kishte pse i merrte leje atij. Por, edhe pse Spahiu e mohoi të kishte kompetenca mbi atë ish-repart, në kontratën e qirasë, kur ky ambient i është kaluar MEICO-s në datën 26.06.2007 dokumenti mban edhe firmën e Spahiut.
Bashkim Allushi, ish-nënoficer, roje në Gërdec
“Më ka urdhëruar komandanti që të ruaja repartin e Gërdecit. Hapësira për t’u ruajtur ishte e madhe, por unë isha i vetmi roje, ndërkohë që zëvendësohesha nga ish-nënoficerë të tjerë duke qëndruar me turne. Kur unë kam ruajtur këtë repart, përfaqësues të firmës private kanë qenë duke bërë punime në ambientet brenda repartit. Për këto punime kam komunikuar gjatë gjithë kohës me telefon me shefin tim dhe i kam thënë se nuk kanë asnjë dokument me vete që i lejon që të kryejnë punime. Unë kam zbatuar urdhrat e eprorëve të mi, dhe për çdo lëvizje apo të re kam shkruar në librin e informacioneve”.
Nazmi Shera, ish-nënoficer, roje në Gërdec
“Kam qëndruar roje në ish-repartin e Gërdecit për rreth dy muaj. Në kohën që unë kisha nën ruajtje këtë hapësirë ushtarake mbaj mend se në ambientet e brendshme po bëheshin jo vetëm piketime apo matje, por madje po shembeshin edhe objekte. Këto objekte ishin në gjendje të mjeruar dhe të papërdorura nga forcat ushtarake. Ishte një sipërfaqe prej rreth 100 mijë metra katrorë dhe ishte shumë e vështirë ta ruaja vetëm të gjithën. Unë nuk kisha vetëm merakun se çfarë po bënte firma private, por edhe frikën se mos hynin banorët e Gërdecit, apo ndonjë ish-pronar që pretendonte se toka ishte e tij. Për çdo veprim që kanë bërë firma private kam komunikuar me komandantin.”
Dalip Kau, ish-nënoficer, roje në Gërdec
“Kam qenë për një periudhë kohe të shkurtër roje në ish-repartin e Gërdecit. Detyra ime ishte të ruaja sipërfaqen dhe për këtë më kishin pajisur me një armë. Kur unë kam marrë këtë detyrë, punimet kishin nisur nga firma private. Kam marrë urdhër nga eprori im që të lejoheshin punimet. Kam zbatuar vetëm urdhrat e eprorëve. Tani jam i papunë. Nuk kam bërë asgjë që të jetë në kundërshtim me urdhrat që më jepeshin. Për çdo lëvizje apo veprim që kryhej brenda në territorin që unë ruaja kam lajmëruar, madje kemi mbajtur edh procesverbal. Gjithçka ishte nën kontrollin tonë. Për urdhra dhe veprime të mëtejshme nuk kam dijeni”.
Fatmir Hoxha, ish-oficer, aktualisht i papunë
“Kam qenë shef operativ i brigadës ajrore nga tetori i vitit 2006 e deri në datën 22 qershor të 2007-s. Më pas në këtë periudhë u lirova nga detyra. Për një muaj kam qenë komandant dhe kisha në varësi dhe repartin 126, që ndryshe njihet si reparti në Gërdec. Kjo periudhë që unë kisha detyrën e komandantit është nga 14 maji deri më 22 qershor. Ky repart kishte 23 objekte dhe ishte me një sipërfaqe 100 mijë metra katrorë. Një ditë, më duket se ka qenë 28 prilli, jam njoftuar nga vartësit e mi se disa persona janë paraqitur për të nisur piketimet. Ata kishin thënë se kanë marrë leje, por realisht nuk kishin asnjë urdhër apo vendim me shkrim që i lejonte të bënin punime. Për këtë jam informuar në mënyrë urgjente, dhe unë më pas kam informuar eprorin tim, Mehmet Merkon”.
Dëshmia e Astrit Jaupit
“Në kompetencën time përfshihej reparti i tankeve në Gërdec. Jam njoftuar se kishin vajtur disa persona të bënin disa matje. Këtë informacion ma dha në telefon zëvendëskomandanti, i cili më tregoi se këta persona i kishin thënë që komandanti e di arsyen pse kemi ardhur. Fola në telefon me gjeneral Shpëtim Spahiun, i cili më tha që t’i lejoja këta persona të futeshin në objekt, pasi ata do të bënin disa matje dhe janë në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, firmës “Meico” dhe amerikanëve. Spahiu më tha se urdhri me shkrim do të vinte të hënën. Me vendimin e qeverisë dhe urdhrin e ministrit jam njohur më vonë. Për punimet në fabrikë, ndërtimin dhe prishjen e objekteve nuk ka pasur urdhër me shkrim.”
Deklarata e Shpëtim Spahiut
“Unë nuk kam dhënë asnjë urdhër të kundërligjshëm. Reparti në Gërdec nuk është një repart, por është një pronë ushtarake në administrim dhe vetëm 5 për qind e këtyre pronave ruhen nga forcat ushtarake. Jam përfshirë në ndërtimin e fabrikës së Gërdec me anë të një urdhri të ministrit të Mbrojtjes. Dhënia me qira e tokës, nisja e punimeve dhe prishja e disa objekteve është bërë duke u bazuar tek urdhri dhe vendimi i ministrit. Nuk kam dhënë asnjë urdhër me shkrim ose edhe me gojë që të lejohej nisja e punimeve dhe e ndërtimeve në mungesë të një vendimi ministrie. Dhe jo më pastaj që ta bëjë këtë gjë në favor të një kompanie private, siç ishte “Alba-Demil.”