E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Kosova të përfshihet në liberalizimin e vizave

“Në raportin që po përgatis, kërkoj që të fillojmë pa humbur kohë për të gjetur mënyrat se si do të përfshihet Kosova në procesin e liberalizimit të vizave”, tha eurodeputetja sllovene në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Por, ajo theksoi se “aktualisht Kosova nuk është fare e përfshirë në proces, duke e lënë atë si një vrimë të zezë në Ballkanin Perëndimor". Prandaj, ajo thotë se personalisht kërkon që të mos bëhen dallime mes njerëzve, pavarësisht se ku jetojnë.

"Në parim, synojmë që të marrim mbështetje të fuqishme për idenë që Komisioni Evropian të fillojë dialogun me Kosovën, për të hartuar udhërrëfyesin për procesin e liberalizimit të vizave dhe me Kosovën", theksoi Fajon.

Ndonëse beson se ekziston një atmosferë pozitive ndaj Kosovës në Parlamentin Evropian, megjithatë Fajon pohon se Kosova është një çështje shumë delikate për faktin se pesë vende ende nuk e kanë njohur. Andaj tha ajo, kërkon që të hartohet "një dokument, ku nuk paragjykohet statusi i Kosovës".

Përndryshe, Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian ka votuar Projektligjin e Komisionit Evropian për përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e liberalizimit të vizave, të cilat kanë perspektivën e hyrjes në BE.

Komiteti, gjithashtu, miratoi nisjen e një dialogu me Kosovën për planin e liberalizimit të vizave, pa paragjykuar statusin e Kosovës, në mënyrë që të krijohet harta e ngjashme e liberalizimit të vizave me të tjerët.

Po ashtu ky komitet e ka futur në listën e bardhë Shqipërinë dhe Bosnjën për marrëveshje të lehtësimit të lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›