E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati axhenda ndaj seancës për Pavarësinë e Kosovës

Sipas gazetës kosovare Express, për fazën e fundit të prezantimit të argumenteve për dhe kundër shpalljes pavarësisë së Kosovës, janë paraqitur gjithsej 31 shtete.

Në dallim nga dy fazat e mëparshme të procesit, kur në anën e Kosovës kishte numër më të madh të shteteve, në seancën dëgjimore Kosova ka vetëm një aleat më shumë se Serbia.

Po sipas Express, pavarësinë e Kosovës do ta mbrojnë 16 shtete, duke përfshirë këtu edhe delegacionin kosovar, ndërkaq qëndrimet serbe do t’i mbështesin 15 shtete, ku bën pjesë edhe Serbia.

Diplomacia serbe ka arritur që kësaj here të bindë edhe disa shtete të reja për seancat dëgjuese siç është Laosi, Burundi, etj. Asnjëra nga to nuk ka dorëzuar ndërkaq dokumente në Gjykatë.

Megjithatë, edhe në anën e Kosovës ka disa shtete që për herë të parë përfshihen në proces, si Jordania, Arabia Saudite, Kroacia, Bullgaria, etj.

Pjesëmarrja është paralajmëruar nga të gjitha shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina.

Gjykata e Drejtësisë ka vendosur që Serbia dhe Kosova, si palët kryesore në proces, të kenë në dispozicion nga tri orë për të prezantuar argumentet e veta. Serbia, e cila ka iniciuar rastin në Gjykatë, do të flasë e para, më 1 dhjetor, paradite. Të njëjtën ditë, pasdite, do t’i jepet fjala delegacionit të Kosovës, përkatësisht “autorëve të shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, siç njihet zyrtarisht nga Gjykata e Hagës.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›