E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia konfirmon: Miqësore më 27 maj

Polonia konfirmon miqësoren me Shqipërinë në muajin maj. Pasi janë tërhequr në një moment të parë, për shkak të pezullimit që kishte futbolli ynë nga FIFA dhe UEFA, Federata Polake vendosi që ndeshja të luhet sipas axhendës. Shkak është bërë firmosja dhe regjistrimi i statutit të FSHF-së, që i ka hapur rrugë rikthimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Gjatë paradites së të premtes, drejtuesi më i lartë i futbollit në Poloni, Mikail Listieuicz, ka konfirmuar zyrtarisht miqësoren në Reutlingen të Gjermanisë, sipas marrëveshjes që dy federatat kishin arritur më 1 shkurt 2008. "I dashur zoti sekretar i përgjithshëm (i FSHF-së), së pari ju falënderoj për faksin e datës 23 prill. Duke marrë në konsideratë kërkesën tuaj, por edhe informacionet e FIFA-s rreth faktit se pezullimi i vendit tuaj do të hiqet shumë shpejt, dëshirojmë të rikonfirmojmë miqësoren Shqipëri-Poloni, e planifikuar për t‘u luajtur më 27 maj 2008 në Reutlingen të Gjermanisë", citohej në faksin e mbërritur dje në zyrat e Federatës Shqiptare. "Në të njëjtën kohë, ne dëshirojmë të ndihmojmë federatën tuaj në këtë situatë të vështirë, që të kthehet aktive në familjen e futbollit botëror. Kushtet për ndeshjen miqësore janë të njëjtat me ato që janë përmendur në faksin e datës 1 shkurt 2008". Në këtë mënyrë, Polonia e drejtuar nga Leo Benhaker do të luajë përballë kuqezinjve, në atë që do të jetë edhe prova e parë e parë zyrtare e Ari Han në krye të përfaqësueses. Sipas zyrës për shtyp në FSHF, miqësorja është përshëndetur edhe nga tekniku holandez, i cili më në fund do të ketë shansin që të njohë futbollistët. Shefi i kësaj zyre, Tritan Kokona, ka saktësuar se për miqësoren me polakët ka ndikuar shumë edhe FIFA: "Menjëherë pas regjistrimit të statutit në gjykatë, FIFA dhe UEFA janë lajmëruar me një relacion dhe ato premtuan se do të mblidhej menjëherë Komiteti i Emergjencës, në mënyrë që Shqipërisë t‘i hiqej pezullimi. Megjithatë, problemi qëndronte se sot (dje) është e premte dhe duke pasur parasysh se përpara është fundjava, vendimi mund të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme. Kjo vonesë mund të ndikonte negativisht për zhvillimin e ndeshjes miqësore, e FIFA ka vendosur që t‘i qetësojë drejtuesit e Federatës Polake, edhe sepse për shkak të pezullimit kombëtarja ka humbur dy miqësore, me Arabinë Saudite dhe Moldavinë. Gjithsesi, për konfirmimin e ndeshjes vlen të përmenden edhe qëllimet e mira të polakëve, që rikonfirmuan miqësoren e 27 majit në Reutlingen".

Kokona ka saktësuar gjithashtu se më 21 maj, vetëm 24 orë pas fillimit të grumbullimit në Gjermani, kombëtarja do të zhvillojë një miqësore me ekipin zviceran të Shafhauzenit. "Do të jetë një takim i lehtë testues, edhe për faktin se skuadra do të mblidhet vetëm një ditë më parë. Ata janë skuadra e një qyteti zviceran në kufi me Gjermaninë dhe do të udhëtojnë drejt vendit ku do të jetë e grumbulluar përfaqësuesja". Shafhauzen militon në kategorinë e dytë zvicerane, Challenge League, dhe aty militojnë katër lojtarë me origjinë shqiptare (Shkëlzen Gashi, Genc Mehmeti, Gëzim Sadiku e Allmir Ademi). Ndërkohë, sot në Tiranë do të mbërrijë trajneri Han, që do të jetë i pranishëm në derbin Partizani-Tirana. Ai do të kontaktojë edhe me zyrtarë të FSHF-së, për të rakorduar hollësitë e fundit të grumbullimit në Gjermani, ndërsa të dielën do të largohet nga vendi ynë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›