E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e privatizimit nuk mund t’i përdor Qeveria

Nga Express më 22 qershor 2011 në ora 19:40

Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), kanë bërë të ditur se mbi 500 milionë eurot e grumbulluara nga fondi i privatizimit nuk mund të inkuadrohet në buxhetin e shtetit, pasi që duhet të përmbushen disa kërkesa kreditore dhe pronësore dhe po duhet dhënë drita e gjelbër nga Bordi i AKP-së.

Kryetari i Bordit të AKP-së, Dino Asanaj bëri të ditur se është marrë vendim për një riorganizim të AKP-së, që nënkupton ndryshimin e ligjeve, të cilat kanë të bëjnë me efektshmërin e procesit të privatizimit dhe të likuidimit.

Këto deklarata janë bërë të mërkurën pas mbledhjes së Bordit të AKP-së, me ç’rast është thënë se po bëhet përpjekje që të gjendet një zgjidhje rreth problemeve që kanë disa ndërmarrje të privatizuara me spin-off special.

Në interesimin e medieve për të kuptuar nëse Qeveria mund të përdorë paratë e mbledhura nga privatizimi, drejtori i AKP-së, Shkëlzen Lluka ka thënë se me ligjin e ri parashihet që të përmbushen disa kërkesa kreditore dhe pronësore pastaj ato para mund të transferohen në buxhet.

“Ligji që do të vjen nga parlamenti qartazi shihet që mjetet apo mbetja e mjeteve pas përmbushjes së kërkesave kreditore dhe pronësore vetëm atëherë mund të transferohen në Buxhetin e Kosovës dhe jo para përmbushjes së tyre. Dihet që shpërndarja e këtyre mjeteve apo transferin e mjeteve në Buxhetin e Kosovës kërkohet edhe vota tre anëtarëve ndërkombëtar në Bordin e drejtorëve të agjencionit dhe pëlqimin e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme. Do të thotë pa përmbushjen e kërkesave të kreditorëve, pa përmbylljen e procesi të likuidimit nuk mund të ketë transfer të mjeteve në Buxhetin e Kosovës”, ka theksuar Lluka, siç transmeton Kosovapress.

Kurse kryetari i Bordit të AKP-së, Dino Asanaj përveç vendimit për një riorganizim në AKP, bëri të ditur se norma e interesit për fondin e privatizimit është rritur për 8 herë më shumë nga Banka Qendrore e Kosovës, pra nga 0.1 për qind që ka qenë më herët, tani është 1.2 për qind dhe vetëm në këtë gjashtëmujor të parë janë përfituar mbi 5 milionë euro.

Në lidhje me ndërmarrjet e privatizuara nga spin-off special dhe problemet e tyre që të përmbushin zotimet, Asanaj ka thënë se janë 3 ndërmarrje dhe miniera që kanë këto probleme. Por sipas tij, AKP është duke u munduar që të gjej një zgjidhje për to.

“AKP që nga qershori i vitit 2008 do të thotë nuk ka bërë komercializime apo spin off speciale, këto i kemi trashëguar. Ndërmarrjet më delikate do të thotë që janë në zonën e kuqe, prej premtimeve apo zotimeve që i kanë dhënë janë katër, është Hotel Grandi, dy minierat Strezovci dhe Goleshi, IDG Tobaco dhe Agro Kosova Hollding nga Suhareka. Ne jemi duke vazhduar takimet që të gjejmë një zgjidhje, se këtu po dëmtohen përveç qytetarëve që gjenden në këto asete, por edhe nëjherit edhe punëtorët. Jemi në një proces që të dalim nga kjo”, ka thënë ai.

Për privatizimin e kompleksit Brezovica, Asanaj theksoi se qysh para një viti e gjysmë ka filluar përgatitja e një master-plani dhe ky kompleks do të shitet si një qendër turistike, e cila mund të shfrytëzohet për 365 ditë në vit.

Bordi i AKP-së gjatë ditës së sotme ka aprovuar valën 51, që përfshin privatizimin e 45 ndërmarrjeve të reja dhe njëherë vala më e madhe e privatizimin deri më tash. Po ashtu, është vendosur që ndërmarrja Metaliku të jetë ndërmarrje shoqërore, duke autorizuar menaxhmentin të përfshijë atë në tenderët e privatizimit. Gjithashtu është vendosur që ndërmarrja shoqërore Ereniku të futet nën administrim direkt dhe kjo është bërë për ti ruajtur asetet e ndërmarrjes shoqërore.

Në pasqyrën e privatizimit tregon se deri më tani janë shpallur 50 valë të privatizimit, ndërsa janë privatizuar 300 ndërmarrje shoqërore dhe janë krijuar 657 ndërmarrje të reja. Kurse deri më tani janë grumbulluar mbi 556 milionë euro, prej tyre nga privatizimi 522 milionë, ndërsa nga likuidimi me shitje të aseteve 34 milionë euro.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›