Edhe Spanja, drejt kërkesës për ndihmë financiare
Kriza
Kryeministri e përmend, por kërkon të dijë se cilat do të jenë kushtet
Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, shkoi shumë pranë dje kërkesës për të kërkuar një fond të shpëtimit financiar për vendin e tij që ndodhet në një situatë shumë të rëndë financiare dhe bankare. Por ai deklaroi se së pari do të donte të dinte se cilat do të ishin kushtet e një ndihme të tillë dhe cila do të ishte edhe forma e paktës së shpëtimit.
Komentet e tij që janë bërë në përfundim të një mbledhjeje të kabinetit, kanë ardhur një ditë pasi Banka Qendrore Europiane sinjalizoi se po përgatitej për të blerë bonot spanjolle dhe italiane, por këtë gjë do ta bënte vetëm pasi të aktivizoheshin fondet e shpëtimit financiar të kërkuara nga vendet problematike. Ndërkohë një burim i veçuar tha se Spanja nuk do të vendoste nëse do të aplikonte apo jo edhe për disa javë të tjera. Blerja e bonove dhe marrja e ndihmës financiare janë hartuar sipas Bankës Qendrore Europiane vetëm për të ulur kostot e huamarrjes, që tani janë bërë shumë të larta për të gjitha vendet që ndodhen në problem financiar, për shkak të mungesës së sigurisë që kanë ndaj këtyre vendeve investitorët e huaj. Kryeministri i Spanjës tha se ishte i gatshëm që të bënte më të mirën për vendin e tij, por ende nuk e ka bërë të ditur se kur është, sipas tij, momenti i duhur për të marrë dhe përfituar ndihmën financiare. Ndërkohë Spanja ka kërkuar ndihmë financiare për shpëtimin e bankave të saj të sëmura. Thuhet ndërkohë se arsyeja kryesore që Kryeministri i vendit ende nuk është duke kërkuar ndihmë, është se ai është shumë krenar, por kjo nuk dihet që të jetë e vërtetë. Ai ka kërkuar asistencë për bankat, sepse e pa se kjo ishte e vetmja masë që mund të zgjidhte një problem të madh me to. Por nëse do të ndërmerret një paletë tjetër ndihme financiare, këtë herë masat shtrënguese do të jenë edhe më të ashpra dhe mund të shkohet deri në reduktimin e pensioneve, çka do të përbënte një problem të madh social dhe një shkak për daljen në rrugë të njerëzve dhe shkaktimin e trazirave sociale.
Edhe Spanja, drejt kërkesës për ndihmë financiare burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip