E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri orë debat, Greqia pranon kursimet e reja të Trojkës

Kuvelis, Samaras dhe Venizelos, aleatët e qeverisë greke

Samaras bind aleatët: Duhet të pranojmë ose do të na mbyllen dyert.

Pas shumë ditësh diskutime e kundërshtime, dje forcat kryesore të koalicionit qeveritar në Greqi vendosën të pranojnë masat e reja të kursimit të propozuara nga përfaqësuesit e Trojkës, duke evituar kështu skenarin e zgjedhjeve të reja. Takimi mes krerëve të PASOK, Demokracia e Re dhe DIMAR ka zgjatur dje rreth tri orë dhe më në fund ata ranë dakord ti paraqesin Trojkës masat për kursimin e 11.5 miliardë eurove për dy vitet e ardhshme, 2013-2014. Projekti i masave të reja të kursimit, i propozuar nga Kryeministri Antonis Samaras, ishte kundërshtuar më parë nga dy aleatët e tij, të cilët edhe një ditë më parë ishin kategorikisht kudër masave të reja, duke marrë parasysh reagimin që do të gjente në popull një valë e re shkurtimesh në paga e pensione, si dhe në vende pune. Kreu i PASOK, Evangelos Venizelos, tha: Duhet të pranojmë masat, nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje, siç bëri Demokracia e Re nëntorin e kaluar. Do ti qëndrojmë programit të marrëveshjes dhe shtoi se është zgjedhja dhe përgjegjësia e Kryeministrit, që masat për 11.5 miliardë euro të merren menjëherë. Ndërsa kreu i DIMAR, Fotis Kuvelis, tha se ata ishin përpjekur që shtresat e varfra të rëndoheshin sa më pak.
Kryeministri Samaras tha se vendimi krijon besueshmëri për Greqinë në arenën ndërkombëtare. Nëse nuk e marrim tani këtë vendim, do të hyjmë në izolim dhe do të përballemi me dyer të mbyllura. Në masat e reja për sigurimin e 11.5 miliardë eurove, të paktën 6 miliardë do të sigurohen nga shkurtimi i pagave dhe pensioneve.

Deklarata e Legarde
Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Legarde, tha se ajo qëndron në krah të Greqisë dhe u kërkon vendeve të tjera të eurozonës të veprojnë shpejt për të gjetur planin e saktë kundër krizës së borxhit. Legarde hodhi poshtë zërat në mediat ndërkombëtare se FMN-ja ishte tërhequr nga ndihma për Athinën.

Sherr në PASOK
Kryetari i PASOK, Evagelos Venizelos, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të partisë, ka debatuar me një fjalor të ashpër me një prej deputetëve të kësaj force politike, Mihalis Hrisohoidis. Venizelos tha se është në kundërshtim me masat e kursimit, por është i detyruar ti pranojë për të mos e çuar sërish vendin drejt zgjedhjeve. Ndërsa Hrisohoidis e ka akuzuar atë se po luan rolin e gangsterit në mënyrë false dhe ka shtuar se PASOK duhet ti mbështesë masat. Debati u mbyll me sharje të rënda. Hrisohoidis u largua nga salla, por deputetët e tjerë kanë komentuar se sherri mund të kishte shkuar deri në përplasje fizike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›