E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikoliç kërkon të udhëheqë negociatat me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, do të jetë kryetari i ekipit të Beogradit në fazën e re të dialogut me Prishtinën, nëse edhe qeveria serbe jep miratimin e saj. Në një deklaratë për mediat serbe, kabineti i Nikoliçit ka njoftuar se ai është gati të bisedojë me përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme në Kosovë, por kusht është që së pari të arrihet konsensus i aktorëve relevantë në Serbi. Sipas planit të Nikoliçit: Me Kosovën duket të merret Presidenti i shtetit, ndërsa Kryeministri duhet ti dedikohet çështjeve të integrimit në BE dhe zgjidhjes së problemeve ekonomike e sociale. Prej kohësh Nikoliç ka deklaruar se niveli i negociatorëve duhej të ngrihej në një stad më të lartë dhe të nisnin bisedimet politike. Synimi i tij është marrja e Veriut të Kosovës, pasi siç e ka deklaruar më parë, Autoritetet në Kosovë nuk do të drejtojnë dot kurrë në Mitrovicë, ashtu siç Beogradi nuk mund të drejtojë më në pjesën tjetër të Kosovës.  Ish-kryenegociatori Borisllav Stefanoviç ka reaguar ashpër ndaj propozimit, duke thënë se me përfshirjen e Presidentit apo Kryeministrit në bisedime, do të bëhej de facto njohja e Kosovës. Bisedimet e reja pritet të vazhdojnë në shtator, por Prishtina është zotuar të mos mbajë asnjë takim nëse nuk zbatohen marrëveshjet e arritura më parë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›