Trafiku ajror përkeqësohet në Evropë
Situata e trafikut ajror është përkeqësuar dje për shkak të hirit vullkanik të Islandës, pasi nuk ka pasur mundësi as për ngritje dhe as për ulje të avionëve për civilë në pjesën më të madhe të Evropës veriore dhe qendrore. Agjencia evropiane e kontrollit të aviacionit, “Eurocontrol” njoftoi se në hapësirën ajrore evropiane janë kryer rreth 5,000 fluturime, nga 22,000 që duhej të ishin normalisht për të shtunën dhe për të premten 10,400 nga 28,000 që duhej të kryheshin. Të shtunën, retë e hirit vullkanik në 9 mijë metra lartësi mbuluan pjesë të Rusisë, Polonisë, Finlandës dhe vende të tjera të Evropës lindore ndërsa vazhdojnë të qëndrojnë mbi Britani, Suedi, Norvegji, Gjermani, Danimarkë dhe Holandë. Vendet ku fluturimet vazhdojnë në kontinent janë Evropa jugore, Spanja, Ballkani jugor, Italia jugore, Bullgaria, Greqia dhe Turqia. Nga 300 fluturime transatlantike që pritej të mbërrinin dje paradite në Evropë, janë realizuar vetëm 73. Situata nuk pritet të ndryshojë të paktën edhe për 24 orë të tjera. Pezullimi i fluturimeve është më i keqi që ka ndodhur që pas 11 shtatorit 2001 pas sulmeve në Nju Jork, kur hapësira ajrore amerikane u mbyll për tri ditë dhe avionët evropianë ishin të detyruar të pezullonin të gjitha fluturimet transatlantike. Pezullimi i fluturimeve preku edhe Azinë, kur dhjetëra fluturime që do të niseshin nga Evropa u anuluan dhe hotelet nga Pekini në Singapor humbën mijëra prenotime. Shpërthimi vullkanik që ndodhi të mërkurën (i cili shkaktoi një re hiri të dendur nga 6-11 km) u lehtësua pak të shtunën (reja e hirit kishte dendësi nga 5-8 km), por mund të vazhdojë për disa ditë apo edhe muaj në vazhdim. Nuk duket se do të ketë një fund të shpejtë për kaosin ajror në Evropë. Ekspertët e motit kanë parashikuar të premten se hiri vullkanik ka gjasa të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme. Shkencëtarët thonë se është shumë herët për të parashikuar kur vullkani Eyjafjallajökull në Islandë do të ndalojë së nxjerri hi, duke vënë në pikëpyetje anulimin e mijëra fluturimeve gjatë ditëve në vazhdim. Sipas qendrës së parashikimit meteorologjik në Londër, erërat perëndimore pritet t’i çojnë retë masive të hirit drejt lindjes dhe veriut.