E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe UEFA pezullon Shqipërinë

Pas FIFA-s, edhe UEFA pezullon Federatën Shqiptare të Futbollit, për shkak të ndërhyrjeve të forta politike në sportin më popullor në vend. Vendimi i marrë nga drejtuesit e zyrave të Nionit është bërë publik dje, nëpërmjet një deklarate për shtyp. Në këtë mënyrë, situata e Shqipërisë përkeqësohet edhe më shumë, edhe sepse bashkëpunimi i qeverisë për të zgjidhur këtë problem ka qenë pothuajse inekzistent. Deri në momentin që konflikti MTKRS-FSHF nuk do të zgjidhet, si kombëtarja, ashtu edhe klubet shqiptare, nuk do të marrin pjesë në asnjë ndeshje ndërkombëtare, qofshin këto zyrtare apo miqësore. "UEFA ka vendosur që të bëjë publik pozicionimin e saj rreth gjendjes në Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila është pezulluar nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s më 14 mars 2008, sipas nenit 14 të Statutit të FIFA-s", citohej në deklaratën për shtyp, të shpërndarë gjatë mesditës. "Pas sinjalizimeve të Komisionit të Federatave, FIFA mori vendimin për të pezulluar federatën e vendit ballkanas, për shkak të ndërhyrjeve të forta të politikës shqiptare. Kjo çështje do të diskutohet edhe në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, i cili do të mblidhet më 28 mars 2008 në Vaduz të Litenshtejnit. Qëllimi i pezullimit të Federatës Shqiptare edhe nga UEFA bëhet me qëllim për të qenë në sinkroni me vendimin e FIFA-s. Pezullimi hyn në fuqi menjëherë, deri në komunikime të mëtejshme". UEFA "ngrin" çdo lloj aktiviteti të sportit të top-këmbës, megjithatë në këtë vendim ka edhe diçka pozitive: shtyrja e ndeshjes Shqipëri-Greqi, e vlefshme për Euro 2008 Under-21. "Shqipëria nuk do të mund të luajë as ndeshje miqësore dhe as takime zyrtare. Në veçanti, sfida e vlefshme për Grupin 1 kualifikues të Evropianit për U-21 kundër Greqisë, e programuar për t‘u luajtur më 26 mars është shtyrë, deri në një komunikim të mëtejshëm, vazhdonte deklarata e UEFA-s. Asnjë përfaqësues shqiptar nuk mund të marrë pjesë në mbledhjet e komiteteve të UEFA-s, në kurse, ‘ëork-shop‘, evenimente, etj., e asnjë gjyqtar shqiptar, delegat, apo përfaqësues nuk do të jetë i përfshirë në ndeshjet apo në evenimentet e organizuara nga UEFA". Pas këtij pezullimi, FSHF i ka bërë thirrjen e radhës Ministrisë së Sporteve që të zbatojë detyrat e lëna. "FSHF-ja kërkon që MTKRS të zbatojë ato detyra që ka lënë FIFA dhe UEFA, në mënyrë që futbolli shqiptar të mos humbasë dhe të shkojë drejt një udhe pa krye, ishte reagimi i institucionit që drejton futbollin. Ne jemi të bindur dhe shpresojmë që ka ende vullnet për të kapërcyer situatën. Përndryshe, pasojat do të jenë të pallogaritshme për futbollin shqiptar. Ndërsa fatura këtij dështimi historik, do t‘i mbetet si një njollë turpi MTKRS-së".

Ndërsa FIFA dhe UEFA kanë bërë të ditur se shpresojnë që konflikti të zgjidhet brenda dy muajve (në mes të majit 2008), kur do të organizohet Kongresi i FIFA-s. Nëse qeveria shqiptare nuk bashkëpunon, futbolli ynë rrezikon përjashtimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›