E Diel, 1 Nëntor 2026

Miliona njerëz nëpër rrugë kundër reformës në sistemin e pensioneve

Miliona grekë morën pjesë në një grevë kombëtare 24-orëshe kundër reformave të planifikuara të sistemit të pensioneve. Si pasojë, pati një paralizim të fluturimeve, anije të ankoruara në porte, shkolla, ministri dhe banka të mbyllura. Mijëra persona ndërkohë marshuan në qendër të Athinës, duke hedhur slogane si "Ligji është mashtrim", duke protestuar kështu kundër reformave që sipas tyre dëmtojnë të ardhmen e tyre. Policia përdori madje edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup protestuesish që hodhën bomba molotov jashtë Parlamentit. "Pjesëmarrja në grevë ishte totale. Po flasim për miliona njerëz të solidarizuar", tha Spiros Papaspiros, president i sindikatës së shërbyesve civilë, një nga organizatorët e grevës. "Qeveria nuk duhet të nënvlerësojë këtë zemërim publik", shtoi ai. Sindikata e sektorit publik dhe ajo e sektorit privat përfaqësojnë rreth 2.5 milionë anëtarë. Një zyrtar i qeverisë, që ka preferuar të qëndrojë anonim, tha se pjesëmarrja në grevë e sektorit publik ishte në masën 31 për qind. Ai nuk dha ndërkohë një vlerësim për grevën në total. Legjislacioni që synon "të shërojë" sistemin "e sëmurë" social të Greqisë, që sipas ekspertëve është i destinuar të rrënohet brenda 15 viteve nëse nuk ndërhyhet, kaloi dje në Parlament dhe do të votohet sot. "Ne nuk kemi vlerësuar koston politike kur premtuam se do të ecim përpara me reformën e sistemit të pensioneve", tha ministri i Punës, Fani Palli Petralia, në Parlament. "Ne nuk mund ta shtyjmë më tej këtë reformë dhe as të tërhiqemi prej saj dhe pikërisht këtu qëndron problemi", tha ai. Qeveria e rizgjedhur në shtator mbi bazën e premtimit se nuk do të cenojë të drejtën për pension, ka nevojë për mbështetjen e të 151 deputetëve të shumicës në Parlamentin me 300 vende, në mënyrë që projektligji të shndërrohet në ligj. Sindikatat thonë ndërkohë se Kryeministri Kostas Karamanlis nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë dhe se reforma kufizon përfitimet e punëtorëve pa përmirësuar aspak sistemin. Protestat në javët e fundit kanë shkaktuar ndërkohë një sërë "black out"-esh, kanë lënë male plehrash nëpër rrugë, kanë ndërprerë transportin dhe shërbimet, si edhe kanë pezulluar tregtinë në tregjet financiare për ditë të tëra. Të paktën 150 fluturime u pezulluan të mërkurën dhe shumë të tjera u vonuan për shkak se edhe kontrollorët e trafikut ajror ishin në grevë. Monumentet dhe Akropoli i Athinës u mbyllën herët për shkak të lajmërimit se edhe rojat e tyre do t‘i bashkoheshin grevës. Shkollat, ministritë dhe bankat u mbyllën. "Ky projektligj do të na dëmtojë të gjithëve, veçanërisht gratë. Ne duam që ai të tërhiqet", tha një student 21-vjeçar që merrte pjesë në marshimin para Parlamentit. Ndërkohë, rreth 50 të vetëshpallur anarkistë dolën nga radhët e marshimit dhe filluan të hidhnin bomba molotov mbi policët, të cilët në anën tjetër reaguan duke përdorur gazin lotsjellës. Anarkistët u shpërndanë, por jo para se të thyenin xhamat e dritareve të tre bankave dhe t‘u vinin zjarrin grumbujve të mëdhenj me plehra. Në të vërtetë, projektligji prek kryesisht gratë, dhe veçanërisht nënat që punojnë, të cilat deri më tani, kanë mundur të dalin më herët në pension dhe në disa raste me përfitime të plota. Ndërkohë që ka shumë më pak përfitime për punëtorët me orar të zgjatur apo me vështirësi pune.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›