E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për irakianët, një jetë e zhytur në mjerim e pasiguri

Në lagjen Al-Fadhil, një ndër më antiket e Bagdadit, plagët e luftës dhe dhunës janë të dukshme ngado. Këtu, shumica e banorëve janë të besimit sunit, por varfëria, mjerimi dhe mungesa e shpresës nuk njohin as fe e as besim. Sipas UNICEF-it, për më shumë se një fëmijë në dy prej tyre nuk ka ujë të pijshëm, katër në dhjetë janë jetimë. Në Sadër Sitin shiit, ujërat e zeza që shpërthejnë ngado në sipërfaqe kanë efekte shkatërruese në shëndetin e popullatës. Pesë vjet pas ardhjes së amerikanëve, Bagdadi ka edhe këtë fytyrë. "Të gjithë mendojnë për interesat e veta", thotë një burrë, "ndërsa ne, njerëzit e shkretë, nuk kemi asgjë për të futur në bark. Bijtë tanë sëmuren. Për sa i takon ujit të pijshëm, është më mirë të pihet ai i kanalit". Ndërsa në El Adamia, në veri të kryeqytetit irakian, banorët e lagjes kanë marrë në duar armët, një milici popullore për të çrrënjosur praninë e Al Kaedës. Njerëz të armatosur mbikëqyrin postblloqet dhe hyrjen në lagje. "10 nëntorin e shkuar, shpjegon një pjesëtar i kësaj milicie, një grup personash është rebeluar kundër një banke kriminelësh që terrorizonte njerëzit. Tani jemi ne ata që bëjmë të mundur të mbretërojë rendi këtu". Deri pak kohë më parë, ky bastion sunit ishte një nga zonat më të ekspozuara ndaj atentateve në kryeqytetin irakian. Shumë persona kanë qenë viktima të dhunës dhe në varrezë numërohen tani mbi 4 mijë varre e nuk ka më vend për të tjera. Të paktë janë ata që guxojnë të kalojnë përtej urës që lidh El Adamian me pjesën tjetër të qytetit. Infrastruktura është e mbyllur për trafikun tashmë që prej dy vjetësh. Al Karrada është një nga lagjet e rralla të Bagdadit ku sunitët dhe shiitët jetojnë përkrah njëri-tjetrit. Për këtë arsye, numri i atentateve është shumë më i madh se ai në zona të tjera. Para luftës ishte shumë e gjallëruar. Tani çdo lëvizje bëhet vetëm për të siguruar ushqime. Dy muaj më parë, një shpërthim shkatërroi disa godina të lagjes dhe vrau 120 persona. E nëse kohët e fundit është parë një përmirësim i kushteve të sigurisë, ajo që u mungon më shumë irakianëve është qetësia që i lejon t‘u gëzohen në paqe kënaqësive të vogla të jetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›