E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhorxh Bush bën "bilancin" e luftës në Irak

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, ka mbajtur një fjalim me të cilin ka shënuar përvjetorin e pestë të luftës në Irak. Duke folur në Pentagon, Bush tha se rrëzimi i Sadam Hyseinit nga pushteti ishte vendimi i duhur. "Pas pesë vjetësh debatohet në mënyrë të kuptueshme për të ditur nëse kjo luftë ia vlente apo jo, nëse ia vlen të fitohet beteja dhe a mund ta fitojmë ne", deklaroi Bush. "Për mua, përgjigjet janë të qarta: rrëzimi i Sadam Huseinit nga pushteti ishte vendimi më i drejtë dhe kjo është një betejë që Amerika mund dhe duhet ta fitojë", tha ai. Ai vazhdoi akoma më tej duke thënë se rritja e numrit të trupave amerikane në Irak kishte sjellë një fitore strategjike në luftën kundër terrorit. Megjithatë, Presidenti Bush paralajmëroi se suksesi i kohëve të fundit në Irak është delikat dhe i kthyeshëm. Ai tha se tërheqjet e ardhshme të trupave amerikane nga Iraku nuk duhet të rrezikojnë fitoret e arritura deri tani në fushën e sigurisë. Fjalimi i Presidentit Bush vjen në një kohë kur kritikat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për luftën në Irak, janë rritur dhe disa kundërshtarë po përqendrohen mbi të gjitha te kostoja e lartë e saj. Në fjalën e tij, Bush hodhi poshtë ato që i quajti "përllogaritje të ekzagjeruara". Ai tha: "Kostoja është e domosdoshme kur ne flasim për një fitore strategjike mbi armiqtë tanë në Irak". Bush argumentoi se lufta kundër militantëve islamikë në Irak ka ndihmuar në parandalimin e sulmeve mbi shënjestra amerikane. "Terroristët që vrasin të pafajshëm në rrugët e Bagdadit, duan të vrasin të pafajshëm edhe në rrugët e qyteteve amerikane", tha Bush. "Mundja e këtij armiku në Irak e bën gjithnjë e më pak të mundshme përballjen me këtë armik në shtëpinë tonë". Në Irak, tha më tej ai, ne jemi dëshmitarë të kryengritjes së parë të madhe arabe, kundër Osama Bin Ladenit dhe domethënia e këtij zhvillimi nuk mund të anashkalohet, duke u ndalur kështu te bashkëpunimi amerikan me arabët sunitë. Ndërsa Presidenti Bush mbante fjalimin e tij, 32 persona u arrestuan ndërkohë që protestonin në Uashington. Protestuesit u përpoqën të tërhiqnin vëmendjen te paratë e taksapaguesve që kishin shkuar për financimin e luftës. Ndërkohë, protesta kundër luftës janë zhvilluar edhe në qytetet e tjera amerikane, përfshirë Nju Jorkun, Majamin, Çikagon, Los Anxhelosin dhe San Franciskon. Përllogaritet në fakt se lufta në Irak u ka kushtuar shumë amerikanëve. Zyra e buxhetit, në kongres, përllogarit rreth 600 miliardë dollarë të shpenzuara deri më tani, përfshirë edhe fondet e miratuara për këtë vit. Disa ekspertë ndërkohë përllogarisin që lufta mund të kushtojë deri në 3 biliardë dollarë, nëse do të merreshin parasysh edhe kujdesi shëndetësor për veteranët e saj, si edhe humbjet e ardhshme të ekonomisë amerikane. Ndërkohë, ky përvjetor i pestë i luftës në Irak është edhe temë qendrore e fushatës zgjedhore. Pretendenti demokrat për nominimin presidencial, Barak Obama, ka kritikuar administratën e Presidentit Bush dhe motivet e përdorura prej saj për të nisur luftën në Irak. "Kemi një President për të cilin ideologjia qëndron mbi pragmatizmin dhe ka shumë politikanë në Uashington që kalojnë shumë pak kohë duke lexuar raportet e shërbimeve të zbulimit dhe shumë më tepër kohë duke lexuar opinionin publik", tha ai në një fjalim në "Fort Brag", një bazë ushtarake në Karolinën e Veriut. Si ai, ashtu edhe rivalja e tij demokrate, Hillari Klinton, kanë premtuar se do t‘i japin fund luftës. Të hënën, Klinton kishte thënë se lufta mund t‘u kushtonte Shteteve të Bashkuara 1 trilion dollarë, para këto që do të ishin të mjaftueshme për të garantuar një kujdes të mirë shëndetësor për 47 milionë amerikanët e pasiguruar, do ta bënin shkollimin e lartë të përballueshëm për të gjithë dhe do të zgjidhnin problemin e krizës financiare që po kalon vendi. Vetëm kandidati republikan, Xhon MekKejkn, veteran i luftës në Vietnam, ka vazhduar të mbështesë politikën amerikane në Irak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›