Edhe artistët vjedhin

Një ueb faqe shqiptare mbi artin pamor shqiptar u ka hapur telashe artistëve shqiptarë në të dy anët e kufirit. Ueb faqja http://albaniancontemporaryart.wordpress.com, e cila nuk dihet nëse është krijuar në Kosovë apo në Shqipëri, ka vendosur krijimet artistike të një pjese të madhe të artistëve shqiptarë, duke i krahasuar ato me krijimet e artistëve të huaj, e që në fakt ngjasojnë shumë njëra me tjetrën.
Pikturat, skulpturat dhe instilacionet e artistëve të huaj datojnë me vite para atyre të artistëve shqiptarë dhe kjo, sipas autorëve të ueb faqes, është fakt që artistët shqiptarë i kanë vjedhur idetë dhe konceptet e kolegëve të tyre të huaj.
Në këtë ueb faqe, përpos artistëve më pak të njohur, janë të pranishëm edhe artistë me famë botërore si Sislej Xhafa dhe Anri Sala. I pari është paraqitur instilacionin "Shy grey" të vitit 2009, i cili duket i ngjashëm me instilacionin e artistit Bruce Nauman "Fifteen Pairs of Hands", i krijuar në vitin 1996. Ndërkaq, instilacioni i artistit Anri Sala "Fuera del carrusel", i bërë në vitin 2002, ngjason me atë të artistit Mauricio Cattelan "Trotsky", i cili daton pesë vite para atij të Salës.
Edhe skulptorët shqiptarë duket se nuk kanë mbetur anash sa i përket vjedhjes së ideve dhe koncepteve të skulptorëve të huaj. Skulptori Thoma Thomai e ka bërë bustin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili është vendosur në Shkup, në vitin 2006, duke u bazuar apo duke e kopjuar statujën e Mark Aurelit, e cila ndodhet në Romë.
Ndërsa, skulptori tjetër Sadik Spahija memorialin e poetëve të pushkatuar, i cili është i vendosur në Librazhd, në vitin 2006, e ka kopjuar nga artisti Igor Mitoraj, i cili skulpturën e tij "Eros Bendato" e ka krijuar në vitin 1999.