E Diel, 1 Nëntor 2026

I zhdukuri grabit fqinjën me armë

Policia po punon për gjetjen dhe ndalimin e 15-vjeçarit Lorik K., i zhdukur prej 5 ditësh nga shtëpia

VLORË - Një 15-vjeçar “i humbur” prej disa ditësh e për të cilin policia po punon për ta gjetur, dyshohet se ka qenë personi që ka hyrë me armë për të grabitur në një banesë në fshatin Hysoverdhë të komunës Kotë në Vlorë. Policia e cila më parë ishte vënë në kërkim të djaloshit, pasi familjarët e tij e kishin deklaruar të zhdukur, pa asnjë adresë, tani është duke e kërkuar atë si autorin e mundshëm të një krimi. Sipas uniformave blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, A K. i është drejtuar paraditen e djeshme komisariatit për të kryer një denoncim. Sipas gruas, një person i armatosur me automatik tip kallashnikov i ka hyrë në banesë dhe e ka kërcënuar që t’i jepte paratë. Pasi nuk ia ka arritur qëllimit, personi i maskuar ka qëlluar dy herë në ajër me armë dhe më pas është larguar. “E kam njohur grabitësin që më kërkonte paratë nën kërcënimin e armës. Ai është Lorik K., 15 vjeç, bashkëfshatari im”, mësohet të ketë thënë para uniformave blu A. K. Ngjarja në fakt ka ndodhur rreth orës 18:50 të së dielës, në një kohë kur ende terri nuk është i plotë.

Vetëm pak ditë më parë, pikërisht në datë 14 nëntor, familjarët e Lorikut i ishin drejtuar policisë së Vlorës për të kërkuar ndihmë, për shkak se 15-vjeçari ishte zhdukur papritur. Ata, të shqetësuar për fatin e djalit të tyre, kanë kërkuar nga policia që të vihej në kërkim të tij. Pas denoncimit të bashkëfshatares së tyre, familjarët me siguri që nuk do ta besojnë faktin se grabitësi me armë mund të ketë qenë djali i tyre, që prej ditësh mungon në shtëpi. Mësohet se policia e Vlorës ka shkuar në vendngjarje, ku ka gjetur në oborrin e banesës së gruas disa gëzhoja automatiku. Aktualisht, uniformat blu po punojnë për gjetjen dhe ndalimin e 15-vjeçarit, çka më pas do të shërbente edhe por të sqaruar pozicionin e tij në lidhje me akuzat që i bëhen. Ndërkaq, të afërmit e tij janë në ankth dhe urojnë që ai të bëhet i gjallë sa më shpejt. Ndaj Lorik K. rëndon akuza e “vjedhjes në tentativë” dhe e “armëmbajtjes pa leje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›