Edhe këtë vit; një popull i tallur
T’i përgjigjesh kësaj pyetjeje nuk është padyshim një ndërmarrje e thjeshtë. Që në fund të analizës të konkludojmë nëse ka qenë një vit i mirë apo i keq për shqiptarët, do të duhet të ndërtonim një bilanc të ngjarjeve, pozitive apo negative, të cilat kanë ndodhur përgjatë këtij viti. Por, dhe këtu “fle” vështirësia e kësaj ndërmarrjeje, është e pamundur të ngresh një bilanc nisur nga fenomene sociale, pasi për të tilla po flasim. Nga pikëpamja ekonomike, një bilanc i tillë do të ishte padyshim më i thjeshtë. Dhe kjo vlen si për financat e shtetit, të aktiviteteve të ndryshme private, ashtu edhe për ekonominë familjare. Të gjitha këto, në fund të një viti e kanë më të thjeshtë këtë ushtrim, edhe pse në fakt, ai nuk është i njëllojtë për të gjithë. Kjo varet gjithashtu dhe nga pritshmëritë e secilit. P.sh., në ndonjë familje ministri, mbushja e llogarisë bankare apo blerja e një apartamenti të ri në bregdet, mund të jetë padyshim një bilanc pozitiv edhe pse pritshmëria mund të jetë më e madhe, p.sh., blerja e një terreni jashtë Shqipërisë. E kundërta ndodh me ekonominë e një përqindjeje të madhe të popullsisë, ku mbijetesa ka qenë i vetmi qëllim. Dhe nëse kjo u realizua, atëherë ky mund të konsiderohet një vit i mirë. Të mos harrojmë; shumica e familjeve shqiptare nuk ëndërron më.
Kështu pra, të ndërtosh një bilanc të tillë nuk është e thjeshtë. Për ta bërë më të thjeshtë “ushtrimin” do të mundohemi ta ndajmë analizën tonë, në disa fusha, të cilat mund të konsiderohen si më të rëndësishme.
Së pari, jeta dhe siguria e saj. Padyshim, në një sistem demokratik gjeja më e vyer do të duhet të jetë jeta njerëzore e çdo njeriu. Ajo është vlera më e lartë dhe sublime. Në këtë pikëpamje, viti 2008 ka qenë padyshim një vit i keq për ne. Disa dhjetëra bashkatdhetarë tanë ikën përgjithmonë nga kjo jetë, në një mënyrë të padenjë. Këtu kam parasysh Farkën, Gërdecin, Sarandën, Gjirokastrën, minatorët e Bulqizës, qindra persona të tjerë të cilët vdiqën çdo ditë, në rrugët e vendit dhe disa qindra të tjerë, të cilët u vetëvranë. Vdekje padyshim mizore, pas një jete po kaq mizore. Këta njerëz mbërritën në vdekje të llahtarshme pas një jete të tallur keqas. Skllevër të vërtetë të kohëve moderne. Pothuajse shumë prej tyre vdiqën në vende pune të pasigurta, pa siguracione as të jetës, as të punës, disa prej tyre akoma pa mbërritur moshën madhore. Me të vetmin faj, sepse jetojnë në vendin ku pasuria e pakicës nuk po ka kufij, në dëm të varfërisë therëse të shumicës. Dhe ç’është më e keqja, akoma ky shtet nuk po i “shpjegon” pse: pse vdiqën në këtë mënyrë.
Po ky shtet, këta njerëz që ne zgjedhim, nuk po dinë të na shpjegojnë as ne, të gjallëve të këtij vendi; përse jetojmë kështu? Përse vazhdojmë të pushohemi nga puna, për bindjet tona politike, pa ligj e rregull. Përse në spitalet tona mungojnë ilaçet më bazilare, përse listat e veresisë shtohen në mënyrë marramendëse, përse rritet po kaq marramendësisht, numri i shqiptarëve të përjashtuar nga shoqëria dhe përse numri i vetëvrasjeve shtohet çdo ditë. Asnjë fjalim qeveritar nuk ka guximi t’u shpjegojë shqiptarëve përse-të e kësaj jete të tallur.
Edhe pse një numër skandalesh, deri diku shpjegojnë këtë mënyrë të qeverisuri të vendit dhe në mënyrë të veçantë, objektivat kryesorë të saj. Padyshim, ata më të padukshmit, por që për fat të keq janë dhe ata më të synuarit. Gërdeci, dhjetëra kilometra të rrugës patriotike të paguara e të papunuara dhe së fundi Fazlliçi, janë disa përgjigje, që flasin shumë më tepër se çdo fjalim festiv.
Këta të fundit vazhduan të kenë dëgjuesit e tyre, të cilët edhe pse të varfër si gjithë pjesa tjetër e popullsisë, ishin gjithmonë më të shumtë se qytetarët që protestojnë. Ky vit ishte viti i paradoksit social, i paqes sociale që “fle” mbi pabarazinë sociale, mbi përjashtimin social, mbi varfërinë dhe skamjen.
Viti 2008 ishte gjithashtu një vit politik i çuditshëm, i paqes dhe konsensusit pozitë-opozitë për reformat institucionale në vend dhe, nga ana tjetër, i tendencës për kontroll absolut të ekzekutivit mbi pushtetet e tjerë dhe institucionet e pavarura në vend.
Së fundi, për të gjithë çka përmendëm më lart, viti 2008 ishte një vit i keq për shqiptarët. Veçanërisht i keq, por dhe veçanërisht historik. Historik për dy ngjarje të mëdha, aq të mëdha, sa rrallë mund të kesh fatin t’i jetosh në një jetë të tërë. Ky ishte viti i shqiptarëve si komb. Viti i pavarësisë së Kosovës dhe ftesës në NATO, padyshim, ngjarjet më madhore të historisë sonë, pas dhjetëra vite historie të çmendur, diktaturash dhe gjenocidi etnik.
Ai ishte pra 2008-a një vit i mirë apo i keq? Për mendimin tim, ishte një vit historik, si komb për shqiptarët, po aq sa ç’ishte një vit i keq për qytetarin shqiptar. Këta të fundit u tallën, veçanërisht, si kurrë më parë nga udhëheqësit e këtij vendi.