Vit i ngecur
Viti 2008 nisi i mbarë për shqiptarët në Ballkan, me Kosovën që e shpalli pavarësinë në shkurt dhe me ftesën që i erdhi Shqipërisë për NATO dy muaj më pas. Pavarësia e Kosovës, përveçse kurorëzim i procesit të gjatë e të mundimshëm të çlirimit të asaj krahine nga kontrolli serb, krijoi edhe kushte të reja, jashtëzakonisht të favorshme, për ta rithemeluar dialogun aq të munguar mes shqiptarëve, madje vetë hapësirën shqiptare si hapësirë të njësuar kulturore para së gjithash. Ftesa për t’u futur në NATO, përkundrazi e pavarësisht nga implikimet ushtarake, krijoi rrethanat e nevojshme për t’i rithemeluar marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera, veçanërisht me fqinjët dhe më gjerë në Europë.
Megjithatë, mundësitë politike dhe kulturore të lidhura me krijimin rishtas të një shteti të dytë, në thelb shqiptar, në Ballkan nuk u shfrytëzuan mirë, as këtej, as andej kufirit; dhe nëse zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë kërkojnë trajtim më vete, nga ana e Tiranës mund të ishte bërë më tepër në drejtimin politik dhe diplomatik, për të ndihmuar njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri dhe rimëkëmbjen e institucioneve të atjeshme. Për keq ndikoi në këtë drejtim edhe çështja e abuzimeve me fondet për rrugën Durrës-Kukës-Morinë, e cila tashmë është shndërruar në fushë beteje për pushtetet dhe forcat politike të Shqipërisë; aq më tepër që shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë për këtë rrugë gjatë vitit 2008 duket se kapin rreth 89% të buxhetit shtetëror për shpenzime kapitale (sipas Balkan Insight). Argumenti se këto abuzime, edhe po të kenë ndodhur, nuk ngrenë kurrfarë peshe përballë rëndësisë strategjike të arteries që do të lidhë mes tyre gjymtyrët e ndara të kombit, nuk ka kurrfarë vlere juridike, madje edhe sikur të sillet me sinqeritet. Prandaj është për të ardhur keq që çështja madhore e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës është kapur peng nga një histori shpërdorimesh dhe korrupsioni, të cilat u duhen lënë organeve të drejtësisë për t’i shkoqitur.
Më anë tjetër, gëzimi i ligjshëm për marrjen e ftesës për NATO iu zu qeverisë Berisha në fyt nga shpërthimi katastrofik i depos së armëve në Gërdec dhe nga zbardhja e rrethanave të atij incidenti dhe të krejt trafikut të armëve dhe të municionit të vjetër kinez. Bota mbarë mësoi se miliona dollarë në armë dhe municione në thelb të skaduara kishin ndërruar duar mes gjithfarë tregtarësh dhe kompanish fiktive, nga Tirana në Florida të SHBA-së, nga Qiproja në Afganistan dhe gjetiu; një trafik ky i papastër, ku ishin implikuar jo vetëm individë të dyshimtë, por edhe njerëz të lidhur me qeverinë shqiptare, administratën amerikane, NATO-n dhe Pentagonin. Vdekja bizarre e kryedëshmitarit Kosta Trebicka, në një aksident “gjahu”, nuk ishte veçse fundi logjik i kësaj katrahure që nuk duhej lejuar të ndodhte.
Shpërthimi i Gërdecit nuk i rrezikoi shanset e Shqipërisë për t’u pranuar në NATO, por nuk i shërbeu as afrimit të Shqipërisë me Europën. Sot e kësaj dite Shqipëria mbetet vendi më i izoluar në kontinent, i rrethuar nga të gjitha anët me polici, motovedeta të kufirit, tela me gjemba burokratike dhe ushtarake, paragjykime dhe mure të mosbesimit dhe të përçmimit. Që Shqipëria ende shihet si vend që prodhon probleme, kriminalitet dhe imigracion të paligjshëm nuk mund t’i lihet faji vetëm qeverisë Berisha; meqë anëtarësimi tashmë i siguruar në NATO, ose anëtarësimi tjetër, aq i dëshiruar, në Bashkimin Europian ende konsiderohen, gjerësisht ndër shqiptarët pavarësisht nga bindjet politike, si rrugëhyrje në autostradën e privilegjeve, fondeve, granteve, donacioneve dhe të tjerave dhurata të pamerituara. Paradoksalisht, integrimin europian të Shqipërisë e pengojnë edhe raportet krejt të deformuara midis institucioneve në Tiranë dhe ambasadave perëndimore ose përfaqësive të organizmave dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat thirren gjithnjë e më shpesh për të arbitruar zëniet dhe gërricjet, herë serioze e herë meskine, midis palëve institucionale shqiptare.
Edhe brenda Shqipërisë, vështirë të thuash se 2008-a solli ndonjë përmirësim në komunikimin mes institucioneve: gjyqësorit dhe ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit, pozitës dhe opozitës, shoqërisë civile dhe shtetit. Çështjet e qeverisjes vijuan të trajtohen si çështje të kuadrit, madje ashtu edhe u amplifikuan nga mediat; protagonizmi i figurave politike qendrore, ndonjëherë deri në përmasa koreano-veriore, nuk u përligj nga rezultatet konkrete të punës së tyre, as të përpjekjeve të tyre, e aq më pak të vizionit prej shtetarësh; lufta politike gjithnjë mbeti e reduktuar në përplasje personalitetesh dhe kacafytje për pushtet. Konfliktet e shumta mes palëve jo vetëm mbeten të hapura, por duket se mungon edhe vetë mekanizmi për t’i zgjidhur, sa kohë që çdo aksion politik, vetvetiu interpretohet si mjet për të arritur qëllime meskine, të ngushta dhe private.
2008-a duket se e rrënjosi më tej, në të gjitha instancat e shoqërisë shqiptare, bindjen paranoide se në filozofinë e qeverisjes së vendit dhe të administrimit të punëve nuk ka mbetur më hapësirë për preokupime të natyrës etike. Kështu, nga një anë korrupsioni nuk gjëllin vetëm si dukuri e përditshme, por edhe si psikozë kolektive vetëpërftuese; nga ana tjetër aspiratat për mbrothësi kombëtare nyjëtohen në trajtat arrogante të një kombëtarizmi primitiv dhe autoritar, i cili po tregohet gjithnjë e më haptazi alergjik dhe intolerant ndaj pluralizmit, lirisë së shprehjes dhe mendimit intelektual të pavarur. I njëjti infantilizëm duket të sundojë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me botën, i përthyer jo vetëm në ligjërimin arkaik të diplomacisë së Tiranës dhe kujdestarëve të imazhit kombëtar, por edhe në pritjet groteske që kultivohen ndaj ndërkombëtarëve, Perëndimit, Europës, Amerikës, dhe perëndive të tjera pagane, të cilave u falemi nga sabahu në aksham.