Edhe në këtë rast është faji i burrit për dhunën?
SHËNIM I REDAKTORIT: Historia e mëposhtme është një replikë me dy historitë e djeshme botuar në Kontakt, ku tregoheshin dy histori dhune në familje. Autori, dëshmon mbi një rast të kundërt. Edhe kjo pjesë është shkëputur nga Blogu i Shekullit. Të gjitha replikat dhe reagimet për këto histori, mund t’i dërgoni në adresat tona të lexuesve.
Unë totalisht jam për dënimin e rasteve kur dhunohen femrat, por mendoj se edhe femrat kanë pjesën e fajit të vet. Do ju tregoj një rast, do mundohem t’i bie shkurt dhe mos të zgjatem shumë.
Gruaja për të cilën po flas jeton këtu në mërgim me bashkëshortin dhe tre fëmijë. U larguan nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Tani kanë dalë këto çatet që mundesh të lidhesh më lehtë me këdo e kudo. Gruaja hyri në çat dhe na u lidh me dikë tjetër. Fliste gjithë kohën, bashkëshortit që punonte si kalë, i thoshte që është e mërzitur dhe fliste me të ëmën. Një radhë kërkoi gjoja do shkonte për vizitë njëjavore me një grup shoqesh dhe doli njëra dhe i tha bashkëshortit që do të shkojmë të organizuara ekskursion, sepse të gjitha shpenzimet janë të paguara nga një donator pranë shoqatës që na ka mundësuar udhëtimin. Dhe i ngrati burrë besoi, pa ditur se gruaja shkonte për të kaluar një javë me “mikun e çatit” dhe për ta bërë realitet dashurinë që kishte bërë në internet dhe tani donte ta provonte në realitet. Kur u kthye gruaja nga shëtitja njëjavore, bashkëshorti filloi nga pak të dyshojë, për shkak se mungonin para në llogaritë e shtëpisë.
Kur filloi të hyjë më thellë në ngjarje, gruaja i vuri kundër fëmijët duke krijuar situata të pakëndshme. Nga një njeri shumë i zgjuar dhe i dashur me familjen dhe fëmijët, ai u kthye në armik dhe një ditë prej ditësh, në momente nervozizmi, bëri gabimin fatal dhe qëlloi njërin nga fëmijët. E paditën, dhe erdhën e i morën fëmijët dhe bashkëshorten. Atje në prani të punonjësit social, nuk lanë gjë pa folur për të shkretin njeri dhe ajo kërkoi ndarjen nga bashkëshorti.
Ai sot kalon jetën në vetmi të plotë. Tani do pyes, mos vallë edhe këtu është faji i burrit? Prandaj mendoj që ekspertët që merren me këto punë duhet t’i trajtojnë problemet drejt dhe pa asnjë anim. Nuk ka rëndësi a është femra që shkon e padit burrin. Padia nuk do të thotë që ajo është medoemos viktima në historinë e ndarjes. Ndoshta ajo që shkon e padit është më fajtore se bashkëshorti. Unë ju thashë atë çfarë unë e kam parë e dëgjuar vetë. Ju përshëndes për rubrikën! Lexues, shkodran në emigrim.