Besa në 80 vjet
Besa Imami mbush sot 80 vjeç. Në një ditë të nxehtë gushti, aktorja tregon për jetën, fëmininë, përditshmërinë, për mëngjeset me kafe dhe gazeta. Dhe sigurisht për lidhjen me artin dhe të birin
I biri i thotë të mbahet e fortë. Po shkruan një skenar për të. “Ku i dihet mbase e kam edhe unë fatin të luaj një rol të madh në pleqëri!”,- thotë ajo ndërsa sytë i marrin një bojë edhe më të kaltër. Besa Imami sot mbush 80 vjeç. Çuditet se si njerëzit e kanë mësuar. Në traditën familjare nuk hyjnë festat e mëdha, me të ftuar e ceremonira. E sigurisht, koleget moshatare do ta kujtojnë patjetër me ndonjë telefonatë. Do ta presin si gjithnjë disa minuta deri sa të ngrejë receptorin e ndonjëra do të thotë duke qeshur, se ndërkohë e kishte bërë drekën.
Por Besa Imami ka kohët e veta. Është e vështirë ta gjesh në “kullë”. I pëlqen të ecë. “Lëvizja të mban gjallë. Po, po, por hajde e thuaje këtë për moshën tonë. A është e mundur?”. Megjithatë ajo mbahet mirë. Ka ende një trup të drejtë dhe lëviz lehtshëm nëpër shtëpi. T’i bën të gjitha nderet. Të gostit me ç’t’i ndodhet. “Ani pse, nga të dyqanit”,- ironizon ajo. Mikpritjen duhet ta ketë marrë nga e ëma, gjakovarja e mirë me sy të gjelbër. “Ndoshta sot do t’i këndonin syve të saj”, - thotë, teksa ndalet e flet për të ëmën, se si i rriti 6 fëmijë, pas vdekjes së të atit. Aktorja Besa Imami i mbushi 18 vjeç, kur punonte në Teatër. Numëron ndoshta 90 role.
Ka shumë për të treguar. “Çdo moment i jetës sime, është një histori më vete”. Pranon të tregojë për udhëtimin e gjatë, por jo para se të shpjegojë se si u quajt Besa. Ishin 6 fëmijë dhe i ati, një arsimtar atdhetar, u vuri të gjithëve emra kuptimplotë, Besim, Liri, Fatmir, Bedri (si luftëtari Bedri Pejani)… Lindi pas Besimit, të quajtur kështu për shkak se ai besonte se edhe Kosova një ditë do të ishte e lirë. E që gjithçka të realizohej, duhet të kishe edhe besë. Ndaj vendosi ta quante të bijën Besa, një emër, që hasej për herë të parë asokohe e që më vonë do të ishte një emër në “modë”. Familja u zhvendos nga Gjakova, kur ajo ishte ende kërthi. Një shenjë gishti e nënës, në një dokument që as dinte ta lexonte do të shënonte largimin e tyre përgjithmonë nga Kosova, ku do të shkonte për herë të parë në vitin ’71. Tjetërkush banonte në atë shtëpi, të cilën gati 30 vjet më vonë do ta shihte të shkrumbuar. “Kishte mbetur vetëm oxhaku. Një legjendë e vjetër thotë që nëse pas një fatkeqësie, oxhakët nuk shemben, në atë shtëpi do të nisë sërish jeta dhe ashtu ndodhi”, - thotë aktorja që vlerëson së tepërmi në formimin e saj, të qenurit kosovare.
Ka kujtesë shumë të mirë. Është në gjendje të rrëfejë jo vetëm për rolet, por edhe subjektet, kolegët, me të cilët ka interpretuar, emrat “e ngatërruar” të regjisorëve rusë… Në ndihmë i vjen një tog fotografish bardhë e zi, të pasistemuara për shkak të zhvendosjes së apartamentit. Janë foto familjare dhe nga rolet që e bëjnë të kthehet pas në kohë, në vitet e hershme të rinisë, kur nuk e dinte kuptimin e fjalës “aktor”, edhe pse dëshironte të luante filma. “Kisha parë vetëm dy filma. Tek njëri mbaj mend një luan që më afrohej në plan detaj e që e lebetitur kam dalë nga skena e kinemasë”. Në një natë gushti, të shtrirë në bar, duke numëruar yjet, do t’i tregonte dëshirën e zemrës të vëllait, Besimit, që në moshën 17-vjeçare do të binte dëshmor. “Ia tregova me zë të ulët, mos na dëgjonte nana”, - thotë ajo dhe në mënyrë instiktive vë dorën tek goja. Asokohe artistët nuk shiheshin me sy të mirë. “Shka?! Nuk është çika jeme për kto punë”! Ende i kumbon në vesh zëri i së ëmës, teksa i përgjigjej regjisorit Pandi Stillu që i merrte leje që e bija të angazhohej aktore. E do të ishte ajo natë gushti dhe ajo bisedë me Besimin, që do t’ia zbuste zemrën nënë Behixhes. Që atëherë ajo do të ishte spektatore e rregullt. Do të ulej gjithnjë në radhën e parë e do t’iu “mburrej” grave në nahije se e bija luante vetëm role “serioze”. E të tilla do të kishte shumë.
Jo rrallëherë i besonin role luftarake, nënash malësore, edhe komisaresh, madje. Kur i dhanë rolin e Donika Kastriotit tek filmi i famshëm shqiptaro-rus “Skënderbeu”, ajo nuk pranoi të luante si një Dezdemonë. “Gjithnjë e kemi menduar Donikën një grua luftarake dhe i kërkova regjisorit të bënte disa ndryshime”. Po do të luante edhe role borgjezkash. “Jo, jo, mos shko, mos shko!”. Për shumë vite, kjo batutë tek filmi “Radiostacioni”, mbeti në gojën e djemurisë që e “ngacmonin” kur dilte nga teatri. Për një rol tek drama “Shënomëni dhe mua”, thotë se nuk e ka zili Ledi Makbethin. Ka veshur petkat e shumë karaktereve, ka marrë pjesë në radiodramatizime që bënte Radio Tirana. “Kemi bërë shumë regjistrime në radio. Shumë drama janë regjistruar, por nuk shohim të transmetohen kurrë nga Radio Televizioni Shqiptar. Përse nuk e shfaqin “Lumin e vdekur”, një kryevepër e letërsisë, por që është vënë edhe bukur në skenë. Apo shumë vepra të tjera. Ç’rëndësi ka nëse i përkasin asaj kohe. Ne nuk mund të mohojmë kohën”, - thotë aktorja që rreket të kuptojë se ç’ndodh me artin dhe aktorët, si ndahet e vlerësohet një rol. Kujton se dikur punohej shumë për realizimin e një roli, në punë, në shtëpi, madje edhe nëse ndodhte të ishe në spital.
Nuk është penduar për asgjë që ka bërë në jetë. “Vetëm tani e kuptoj se sa e kemi dashur punën”. Fotot i lënë vendin njëra-tjetrës. “U ku ku, i miri nanës!”, - nuk e mban dot përkëdhelinë, kur i shfaqet fytyra njomëzake e të birit, Arturit, të cilin qysh në pelena e merrte me vete në teatër, gjatë shfaqjeve, në prova, në aksione… “Unë nuk doja të bëhej aktor apo regjisor. Doja të bëhej historian, që të tregonte të vërtetën e Kosovës, dhimbjen e saj. Kurse i ati donte që të bëhej mjek. E ai nuk na dëgjoi asnjërin”, - thotë ajo, teksa sheh fotot e të birit me të atin, Petro Zhejin. Një dashuri e skajshme i buron nga e gjithë qënia e mpakur prej viteve. “Donim të bënim 6 fëmijë, po pastaj ai se si ndryshoi…”, - thotë gruaja si të donte të “justifikonte” divorcin me të shoqin, kur Arturi ishte ende i vogël. Po ajo e la të lirë të birin që vazhdoi të ishte i lidhur me të atin. Edhe sot vazhdon të mbetet i përkëdheluri i saj që tani shkruan një skenar për të ëmën.
Para dy vitesh, Besa Imami u kthye në teatër pas 14 vjetësh me rolin e një malësoreje në dramën e Ruzhdi Pulahës “Streha e të harruarve”. Nuk kishte dashur ta pranonte. I ishte dukur tepër skematik. Por kishte nxjerrë nga “thesi imagjinar” i përvojës së jetës, karaktere, ngjarje e ngjyra, për t’i dhënë jetë një personazhi që ndoshta është vetëm parapërgatitja për rolin që do të vijë.
Një ditë e zakonshme
I pëlqen të zgjohet herët. Pi kafenë, apo çajin me nge dhe rreth orës 08.30 ha pak mëngjes. Pastaj del. Vishet thjeshtë. Mbi flokët e bardhë vendos një kapelë me streh dhe mban syze të mëdha dielli. U bënë vite që nuk bën tualet. Që kur i vdiq e ëma, me të cilën kishte lidhje të veçantë. Blen gazetat dhe ulet në një kafene ku porosit kafe turke. Nxjerr syzet dhe nis leximin. Ndodh që të rrijë aty rreth 1 apo 2 orë, në varësi të asaj që i ofron shtypi e merr sërish udhën për në shtëpi. Besa Imami ecën ngadalë. Nuk u ka besë rrugëve. Sheh me kujdes ku vë këmbën dhe iu ruhet makinave që ecin si të tërbuara. Tanimë jeton pranë të birit, Arturit, në katin e dhjetë të një pallati të ri. Nuk ua ka besën as ashensorëve, ndonjëherë të lënë në baltë. Por ajo është aq e fortë sa të ngjitet deri në majë të “kullës”, siç e quan. Ende nuk është zhvendosur mirë në shtëpinë e re. “Gjërat i kam akoma tek “rezidenca” në Rrugën e Durrësit”, - thotë duke qeshur. I pëlqen të gatuajë gjellë tradicionale. E ëma gatuante shumë mirë dhe është munduar t’i marrë ca nga mjeshtëria. Nuk të fal, kur vjen fjala për edicionin e lajmeve, jo vetëm sepse i biri është gazetar. I sheh të gjitha. Është e vëmendshme ndaj gjithçkaje që ndodh, madje mban edhe shënime. Dikur do t’i shërbejnë.