E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur racionaliteti zëvendësohet me emocionalitet folklorik

 

Pak kohë më parë, disa paketa cigare me portretin e kryeministrit Berisha u tentuan të hidhen në treg. Deri këtu mund të duket një marri e ca idhujtarëve militantë të heshtur të Kryeministrit apo të ca njerëzve që thjesht shfrytëzonin imazhin, emrin e Kryeministrit si një mënyrë origjinale reklamimi të mallit të tyre. Por nuk mbaronte këtu.

Kishte përveç portretit të Kryeministrit edhe një slogan të kahershëm të qeverisjes së djathtë, moton kryesore me të cilën u mëtua pushteti: lufta kundër korrupsionit dhe krimit. Shprehur në një mënyrë sa të vërtetë, aq dhe ironike: “Korrupsioni dëmton individin dhe shtetin“, mbart një dykuptimësi që herë ngjante me një shndërrim të devizës qeverisëse në një shprehje të padëmshme mikluese dhe herë ngjante me një shprehje satirike si e vetmja gjë groteske e kësaj qeverisjeje.

Shohim mbledhje të hapura qeverie ku kumbon vetëm zëri i revoltuar, me të drejtë ose jo i Kryeministrit, qëndrime morale të drejta ose jo të Kryeministrit, akuza të vërteta ose jo të thëna prej Kryeministrit, urdhra të atypëratyshëm ndaj ministrave, dhe herë-herë edhe përsiatje në një mbledhje qeverie. Një qeverisje ku çdo interpretim ligjor, çdo nismë merr një ngjyrim moral, ku e drejta zëvendësohet me etjen për drejtësi, ku racionaliteti zëvendësohet me emocionalitet folklorik, nuk ka se si t’i shmanget voluntarizmit apo personalizimit të pushtetit.

Historia e firmës së paketave të cigareve që “guxoi” të stampojë foto të Kryeministrit me diciturën kundër korrupsionit, përveç një incidenti qesharak, tek e fundit nuk është tjetër veç një shfaqje naive, simptomë dhe tregues gati-gati tragjikomik i kësaj forme qeverimi tejet voluntariste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›