E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një fitore e Obamës në Kongres

Ligjvënësit amerikanë kanë miratuar një masë urgjente për financimin e operacioneve ushtarake në Afganistan dhe Irak.

Masa kap vlerën prej 33 miliardë dollarësh dhe do të përdoret edhe për financimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan, që ishin propozuar nga presidenti Barack Obama.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 301:114 në favor të legjislacionit.

Edhe pse Partia Demokratike ka shumicën në Kongres, ligjvënësve iu deshën gjashtë muaj për të miratuar fondin që kërkoi Obama.

Pak para votimit, presidenti amerikan u bëri thirrje atyre që të kalojnë ligjin.

Ndërkohë, gjenerali James Matis, kandidat për kreun e komandës qendrore të SHBA-ve, shprehu mbështetjen e plotë për strategjinë e presidentit Obama në Afganistan. Komentet e tij u bënë para Komitetit ushtarak të Senatit.

Nëse Matis konfirmohet për të marrë drejtimin e komandës qendrore, ai do të zëvendësojë gjeneralin David Petreus, i cili tashmë ka marrë drejtimin e operacioneve në Afganistan dhe Irak.

Matis shprehu bindjen se fitorja në Afganistan është e mundshme.

“Besoj se me zbatimin e strategjisë, ne do të fitojmë në Afganistan. Megjithatë, misioni nuk do të jetë i lehtë. Arritja e qëllimeve tona në Afganistan, kërkon angazhim të fortë të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Matis.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›