Skandali, arrestohet me 65 kg heroinë sekretari i ambasadës shqiptare në Maqedoni
Si të mos mjaftonin skandalet e shumta që kanë përfshirë qeverinë, dje kësaj të fundit i është shtuar edhe një tjetër i tillë. Agim Haxhiu, sekretar i ambasadës sonë në Maqedoni, është arrestuar në Turqi me plot 65 kilogramë heroinë. Arrestimi i tij është kryer më datën 2 maj, por lajmi është bërë publik nga autoritetet turke vetëm gjatë ditës së djeshme. Policia e Shtetit bëri të ditur se nuk ka dijeni për operacionin e arrestimit të Haxhiut, teksa ky i fundit mendohet se është pjesë e një grupi të gjerë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Agim Haxhiu që prej tre vjetësh është përfshirë në radhët e shërbimit diplomatik, ndërkohë që më parë ka punuar si gazetar në Agjencinë Shtetërore të Lajmeve, ATSH. Vetëm pak muaj më parë, një tjetër ambasadë shqiptare, ajo në Itali, u përfshi nga një skandal i ngjashëm, teksa shoferi i ambasadës sonë u arrestua me një kilogram heroinë.
Edhe pse arrestimi i sekretarit të dytë në ambasadën tonë në Maqedoni, Agim Haxhiu, është kryer pesë ditë më parë, autoritetet turke e kanë bërë publik atë vetëm gjatë ditës së djeshme. Kanë qenë shërbimet e Antidrogës së policisë turke dhe ato të Shërbimeve Sekrete, të cilat kanë kryer prangosjen e Haxhiut. Mësohet se arrestimi i tij është kryer, pasi në makinën me të cilën udhëtonte iu gjetën 65 kilogramë heroinë e pastër. Në momentin e arrestimit, sekretari i ambasadës sonë në Maqedoni ka qenë duke udhëtuar me makinën e ambasadës, me targa diplomatike. Ky i fundit kishte kaluar me makinën e ambasadës nga Maqedonia përmes Bullgarisë, për të përfunduar më pas në Turqi, ku dhe do të dorëzonte sasinë e drogës, gjë të cilën nuk ka arritur dot ta kryejë, pasi është arrestuar. Mendohet që Haxhiu të jetë pjesë e një grupi të gjerë të trafikut ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike dhe ka luajtur rolin e korrierit. Kjo, duke parë dhe lehtësinë e tij për të lëvizur me automjetin dhe pasaportën e tij diplomatike. Mësohet se autoritetet turke kanë pasur më parë informacione për përfshirjen e Haxhiut në trafikun e drogës dhe për këtë arsye e kanë mbajtur nën vëzhgim atë, duke e arrestuar me sasinë e konsiderueshme prej 65 kilogramësh heroinë. Sakaq, Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana bënë të ditur se nuk kanë qenë në dijeni të operacionit për arrestimin e diplomatit Haxhiu. Kjo, duke qenë se linja e trafikut, në të cilën ishte përfshirë Agim Haxhiu, nuk e përfshinte Shqipërinë. Agim Haxhiu nuk bën pjesë në listën e diplomatëve të karrierës, pasi ai është përfshirë në radhët e shërbimit diplomatik rreth tre vite më parë, ndërsa para kësaj kohe punonte si gazetar në Agjencinë Shtetërore të Lajmeve, ATSH. Vetëm pak muaj më parë, një tjetër skandal i ngjashëm ndodhi me ambasadën tonë në Itali, ku shoferi i ambasadës u arrestua me një kilogram heroinë, të cilën po e transportonte me anë të automjetit të punës.
Ministria e Jashtme: Haxhiu kishte braktisur detyrën që prej një jave
MPJ thotë se ka ikur që më datë 1 maj, që është ditë pushimi, po ashtu datat 2 dhe 3 kanë qenë e shtunë dhe e diel. Emërimi i Haxhiut, nën kujdesin e kryeministrit
Ministria e Punëve të Jashtme në mënyrë skandaloze ka reaguar vetëm pas publikimit të lajmit se një punonjës i saj është arrestuar me një sasi të madhe droge në makinën me targa diplomatike. Por qëndrimi nuk ka qenë aspak serioz. Ministria nuk ka kërkuar ndjesë për njollosjen e rëndë të imazhit të një vendi që është anëtar i NATO-s, por ka deklaruar thjesht se Haxhiu është larguar prej disa ditësh nga puna dhe ata kanë vendosur ta lirojnë nga detyra. Për drogën, asnjë fjalë. Për përdorimin e makinës së ambasadës, asgjë. Për emërimin e tij, heshtje. Për faktin që prej ditësh ai ndodhet në qeli dhe këtë ministria e dinte, absolutisht asgjë. Por, duke luajtur me datat e asaj që ministria e quan braktisje të detyrës, dita e arrestimit të zyrtarit shqiptar është quajtur si ditë jozyrtare pune për Haxhiun. Duket se në kohë të lirë zyrtari shqiptar merrej me trafiqe. Kjo edhe për shkak se data 1 ka qenë pushim zyrtar, po ashtu data 2 dhe 3 që respektivisht kanë qenë e shtunë dhe e diel.
“Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se z. Agim Haxhiu, ish-sekretar i dytë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, me motivin për braktisje të pajustifikueshme të detyrës që nga data 1 maj deri me datë 6 maj 2009, është liruar nga detyra me urdhër të ministrit të Punëve të Jashtme. Ky vendim, si dhe heqja e çdo privilegji dhe imuniteti diplomatik i është bërë e ditur zyrtarisht edhe palës maqedonase, si vend ku ishte i akredituar z. Haxhiu.”
“Turqit na njoftuan vetëm dje për Haxhiun, pasi ua kërkuam ne”
Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme
Ministria e Punëve të Jashtme, duke iu referuar informacionit të dërguar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Ankara, bën të ditur se në vijim të njoftimit telefonik lidhur me humbjen e lidhjeve dhe vendndodhjes së shtetasit Agim Haxhiu, ish-Sekretar i Dytë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Shkup, dhe mundësinë e udhëtimit të tij drejt Turqisë, nëpërmjet Oficerit të Kontaktit të Policisë së Shtetit, të akredituar pranë Përfaqësisë sonë në Ankara, u interesuam pranë organeve kompetente të policisë turke. Objekti i interesimit ishte sigurimi i çdo lloj informacioni të nevojshëm lidhur me hyrjen eventuale në territorin e Turqisë të shtetasit në fjalë, vendndodhjen e tij, si dhe me ndonjë aksident të mundshëm. Ky interesim nisi dhe u përcoll fillimisht si shqetësim i familjarëve të z. Haxhiu edhe të Përfaqësisë sonë në Shkup, pasi që prej datës 1 maj ishin humbur kontaktet me të.
Në vijim të kërkesës së palës sonë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë turke informoi Oficerin tonë të Kontaktit se shtetasi në fjalë rezultonte të ishte futur në territorin turk me automjet, nëpërmjet kufirit tokësor me Bullgarinë, me datë 1 maj 2009, dhe deri në atë moment nuk kishte të dhëna për ndonjë aksident apo rast të ngjashëm lidhur me shtetasin Haxhiu. Për të mundësuar lokalizimin e vendndodhjes së tij u kërkua dhe numri i telefonit që mendohej se kishte në përdorim shtetasi Haxhiu. Pas pohimit verbal për hyrjen në Turqi të shtetasit shqiptar, Departamenti i Kufirit dhe i të Huajve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë turke, më 6 maj 2009, njoftoi, edhe zyrtarisht me shkrim, Oficerin tonë të Kontaktit për datën e hyrjes në Turqi të këtij shtetasi, data 1 maj 2009.
Pas disa komunikimesh, mes Përfaqësisë sonë dhe Autoriteteve policore turke, vetëm sot pasdite, më datë 7 maj 2009, ora 17:43, Policia e Stambollit përcolli me faks njoftimin për ndalimin e shtetasit Agim Haxhiu, me akuzën “për tregtim të lëndëve narkotike”.
Deri tani, sipas njoftimit ne fjalë, rezulton se shtetasi Agim Haxhiu është ndaluar në segmentin rrugor Stamboll-Edirne nga organet kompetente turke më datë 2 maj 2009 për tregtim të lëndëve narkotike dhe aktualisht ndodhet në Burgun Maltepe në Stamboll. Vendndodhja konfirmohet edhe nga Konsullata jonë e Përgjithshme në Stamboll.
Me t`u njohur zyrtarisht me këtë informacion, Ministria e Punëve të Jashtme e konsideron të nevojshme të theksojë se shtetasi Agim Haxhiu nuk gëzon asnjë privilegj dhe imunitet diplomatik dhe do të procedohet sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Turqisë, si dhe konform konventave ndërkombëtare.
Si u fsheh lajmi për arrestimin e Haxhiut
Lajmi për arrestimin e sekretarit të dytë të ambasadës sonë në Maqedoni është zbuluar vetëm nga mediet. Strukturat tona shtetërore nuk kanë publikuar asgjë deri në momentin kur një skandal i tillë është bërë i ditur për opinionin publik. Fshehja e një lajmi kaq të rëndë implikon rëndë dhe strukturat shtetërore që kanë për detyrë informimin e qytetarëve për çdo ngjarje. Adresat elektronike të çdo gazetari gëlojnë nga dhjetëra njoftime të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Punëve të Jashtme për çdo detaj të aktivitetit të tyre. Policia e Shtetit njofton për arrestime të çdo të riu që posedon dhe disa gramë drogë. Por, për arrestimin e zyrtarit të lartë shqiptar, na është dashur të mësojmë nga mediet e huaja. Siç pothuajse ndodh zakonisht për ngjarje të tilla. Ajo që duhet theksuar është se një zyrtar kaq i lartë nuk ka vepruar i vetëm në këtë linjë trafiku. Bashkëpunëtorët e tij sigurisht duhet të jenë njerëz që kanë gjithashtu imunitet diplomatik. Kjo për shkak se edhe emërimi i Haxhiut në atë ambasadë ka qenë i dirigjuar me kujdes. Një gazetar me nivel nën mesatar, Haxhiu ishte një nga militantët e shumtë partiakë që hynë në shërbimin diplomatik pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet. Tashmë, kjo qeveri nuk ka se çfarë u shpjegon qytetarëve të vet. Këtë detyrë e ka marrë media, me shpresën se do arrijë të zbulojë të paktën majën e ajsbergut të kushedi sa skandaleve të tjera që na fshihen nga strukturat qeveritare.
Heqja e vizave dhe siguria e pasaportave diplomatike
Ka kohë që mazhoranca flet për heqjen e vizave, çka nënkupton lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Edhe pse një gjë e tillë ishte premtuar se do bëhej sivjet, kryeministri, Sali Berisha, thotë se do e bëjë realitet heqjen e vizave mandatin që vjen. Por, ç’ka ndodhur ndërkohë. Procesi i pajisjes me letra identiteti është në kaos; një sondazh i bërë prej disa kohësh tregon se shumica e shqiptarëve do iknin nga vendi për të jetuar diku tjetër. Sigurisht që ky nuk është një lajm i mirë për vendet e BE, dhe çka është më e rëndësishme, edhe ata që e kanë të lehtë të lëvizin nëpër botë, pikërisht diplomatët tanë, lëvizin me bagazhe të mbushura me drogë. Sinjali është tepër negativ për vendin tonë në pritje të diskutimeve për heqjen e vizave. E vetmja që po mban ende flamurin e heqjes së vizave është Italia, e cila po e bën këtë për të shpërlarë gojën si detyrim ndaj disa projekteve energjitike, katastrofike për ambientin, që synon të realizojë në Shqipëri.
Nipi i Selmanllarit, mikut të Shkëlzen Berishës, u kap me drogë në makinën e ambasadës sonë në Itali
Rasti i sekretarit të ambasadës shqiptare në Maqedoni nuk është i pari. Para disa kohësh shoferi i ambasadës sonë në Romë u arrestua me drogë. Nipi i mikut të ngushtë të djalit të kryeministrit, Sali Berisha, ishte emëruar në këtë detyrë duke shkelur gjithë kriteret. Por me detyrë të qartë, trafikun e drogës. Ngjarja shkaktoi një furtunë në medien shqiptare, por ajo që nuk e vuri ujin në zjarr ishte qeveria shqiptare, e cila si gjithmonë sulmoi mediet që e denoncuan. Gazeta “TemA” risjell një redaksionale të botuar në atë kohë për skandalin në fjalë. Duhet theksuar se Rrahman Selmanllari, miku i ngushtë i Shkëlzen Berishës, ka të punësuar në Ministri të Jashtme dhe të shoqen, duke përforcuar kështu idenë e një rrjeti të trafikut.
Arsen Selmanllari, i kapur me një kilogram drogë në makinën me targa diplomatike të shtetit shqiptar, rezulton nga hetimet tona të jetë një nip i një biznesmeni që ka një kafe në “Bllok”, të quajtur “Fiesta”. Ky person është po ashtu një nga miqtë më të ngushtë të Shkëlzen Berishës, madje vëllai i tij jo-biologjik. Por, ndërsa ne po hetonim për mënyrën se si është rekrutuar ky shofer në shërbimin diplomatik, ia behu deklarata e fortë e Bogdanit, e cila thotë: “Sot, në fletushkën e tij personale një tender-lëpirës dhe gjobëvënës i njohur si ushtari i mirë i Ruçit, boton trillimin e radhës, sipas të cilit shoferi i kapur nga autoritetet italiane me drogë, qenka sugjeruar nga familjarë të Berishës. Asnjë familjar apo i afërt i kryeministrit nuk ka sugjeruar apo propozuar ndonjëherë këtë person apo persona të tjerë për punësim nëpër ambasada. Me trillimet dhe mashtrimet e tij të përditshme, ai vetëm vjell mbi vete vrerin, se me këtë qeveri nuk pret dot më gjoba dhe nuk fiton tenderë me shpifjet dhe trillimet që boton në fletushkën e tij.”
Reagimi ishte shumë interesant, se është shkruar direkt nga Berisha dhe ka një tërbim të paparë për një gjë që është shumë publike. Rrahmani, pronar i kafe “Fiestës”, është vërtet mik i ngushtë i Shkëlzen Berishës dhe këtë Sali Berisha nuk mund ta mohojë. Ajo që ai ka të drejtë, është nëse shoferi ka përdorur autoritetin e Rrahmanit për t’u emëruar në shërbimin diplomatik apo autoritetin e Shkëlzenit. Ne besojmë atë që thotë zoti Berisha, edhe pse shumë i nxehur dhe jashtë kontrollit, kur përpiqet të japë dhe përgjigje shumë të thjeshta. Ne jemi të gatshëm të besojmë se ai që ka ndikuar në emërim, nuk është Shkëlzeni, djali i tij, por emërimi është bërë falë autoritetit dhe ndikimit që ka në Ministrinë e Jashtme shoku i tij.
Dhe për këtë pastaj duhet të pyesim se kush është ky biznesmen që ka aq shumë fuqi, sa të emërojë një shofer në shërbimin diplomatik. Po ashtu, kemi rast të shikojmë, nëse emërimi është politik, për shkak të kontributeve të tij personale, nepotik, për shkak të lidhjeve të tij familjare apo i merituar, për shkak të cilësive të veçanta të këtij punonjësi të diplomacisë sonë. Zoti Berisha është i lirë të na i shpjegojë këto qetësisht, pa u nxehur, pa e humbur logjikën dhe pa na kërcënuar. Ne, për fat, e njohim dhe atë, dhe Shkëlzenin, dhe pronarin e “Fiestës”, dhe nuk kemi ndonjë mëdyshje ç’ka ndodhur. Nuk njihnim vetëm këtë shoferin, por këtë e njohëm si trafikant droge. Nëse Berisha mendon se mund të na trembë duke na mbyllur gojën, duke na futur në konflikt me kartelet e mbetura të drogës në Tiranë, i ka bërë llogaritë gabim. Edhe pse s’kemi makinë të blinduar, siç ka patur ai, dhe pse nuk kemi miq, siç ka patur ai, që të na dhurojnë një të tillë, ne kemi me vete të vërtetën që na mbron shumë herë më shumë se mjetet me të cilat mbrohen trafikantët nga njëri-tjetri. Dhe e vërteta është në mes të diellit. Trafikanti është njeri i afërt i një biznesmeni, shoku më i ngushtë i djalit të tij. Mund të mos ketë asnjë ndikim djali i tij në këtë emërim, por pyetja më e rëndë është: Ku e gjeti fuqinë shoku i djalit të tij për të bërë emërime të tilla?
Për këtë i lutemi të përgjigjet qetësisht, se tërbimi me të cilin përgjigjet, e bën shumë pak të besueshëm. I kërkojmë të jetë i qetë, se nuk është kapur me drogë shoferi i gazetës “TemA”, por shoferi i shtetit shqiptar, me targat simbol të shtetit shqiptar, në krye të të cilit është zoti Berisha.