Edhe një herë për dënimin e krimeve të diktaturës komuniste
Faktet po tregojnë dita-ditës se nuk i ka ikur koha kërkesës së ish-të përndjekurve politikë për dënimin e Enver Hoxhës, qoftë edhe pas vdekjes. Zbulimi i varreve në rrëzë të malit të Dajtit është tepër domethënës, ndërsa kufomat e nxjerra flasin vetë, pa qenë nevoja për komente e për “hartime” me më the e të thashë. Enver Hoxha ishte dhe mbetet simboli i diktaturës komuniste në Shqipëri. Dënimi i tij pas vdekjes në kohën e duhur, donte me thënë shumë më tepër sesa mendohej asohere. Bashkë me të do të ishin ndaluar, për rrjedhojë, edhe mjaft simbole të tjera komuniste që burojnë nga zezona e emrit dhe e figurës së tij. Por ja që thirrjet e ish-të përndjekurve politikë, ranë në vesh të shurdhër. E kam thënë dhe dëshiroj ta përsëris kërkesën tonë të atëhershme, pavarësisht nga ndonjë qortim se mund të bëhem i mërzitshëm, duke i rënë fyellit në një vrimë. Qysh nga mesi i vitit 1993, - isha kryeredaktor i gazetës së ish-të përndjekurve politikë në atë kohë - “Liria” filloi të shkruante përse duhej dënuar Enver Hoxha (për krime kundër njerëzimit) dhe përse duhej një gjyq i tipit të Nurembergut. Madje, përpos redaksionaleve dhe shkrimeve nga personalitete me emër, në faqen e parë të çdo numri ne nuk reshtëm së nxjerri thirrjen: “Kërkojmë dënimin e Enver Hoxhës pas vdekjes, për krime kundër njerëzimit”. E vumë thirrjen me shkronja kapitale në krye të faqes, e vumë në mes të faqes, e vumë në fund, e vumë horizontalisht, e vumë vertikalisht... Askush nuk na e vuri veshin. Të tjerat dihen pa qenë e nevojshme t’i rikthehem së kaluarës. Më të rejat i mësuam ditët e fundit. *** Tashti, pas rrëzimit të ligjit për lustracionin nga ana e Gjykatës Kushtetuese, shtrohet pyetja nëse duhet riformuluar ligji, duhet ankimuar në Gjykatën e Strasburgut apo duhet thirrur referendum. Them se të tre opsionet duhen ndjekur. Për sa i takon opcionit të parë: nuk ka asnjë të keqe që ligji të riformulohet, të shtrihet në konceptim, në hapësirë e në kohë, duke shtuar edhe dënimin e Enver Hoxhës si simbol i diktaturës, si ideator i krimeve që u kryen ndaj popullit shqiptar gjatë regjimit komunist, jo vetëm ato kundër “armiqve të klasës”, por edha ato kundër çështjes shqiptare, çka diktatori i ka konsumuar duke ia shitur Kosovën Jugosllavisë titiste. Pra ligji të ketë klauzola të tilla që diktatori Hoxha të dënohet edhe si tradhtar i kombit. Rrjedhojat do të ishin derivate të ligjit. Për sa i takon opsionit të dytë: është më e nevojshme se kurrë që Strasburgu të ketë në dorë një dokument të qartë e të pastër, i cili do të provonte se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe ata që e ankimuan ligjin për lustracionin janë në konflikt të hapur interesi me të. Rasti i Havzi Nelës implikon haptazi shpurën e Edvin Kristaq Ramës, i cili ideoi ankimimin, si edhe ndokë ndër anëtarët e Kushtetueses, si ekzekutues i urdhrit të Ramiz Alisë në atë fund të regjimeve komuniste, një vit përpara rrëzimit të Murit të Berlinit. Për sa i takon opsionit të tretë: këtu, në Bruksel, shumë bashkatdhetarë që e kanë pësuar nga diktatura (dhe nuk janë pak), e kanë shprehur idenë e një referendumi qysh se Partia Socialiste dhe ca partiçka satelite të saj iu drejtuan Kushtetueses që ajo të shprehej për ligjin në fjalë. Në kushtet e një Gjykate të politizuar që nuk do të pranonte kurrsesi të dënonte vetveten sa kohë do të kishte mundësinë të mbrohej duke përdorur jo argumente ligjore, por argumentin e votës, referendumi do të ishte bllokim i të gjitha shtigjeve për t’i shpëtuar verdiktit të popullit. Në fund të fundit, koha ka treguar se komunistët, duke mos pasur atdhe, nuk kanë as skrupuj, nuk mund t’u shërbejnë interesave të kombit, por atyre personale. Pse të presim më gjatë?...