Edhe një prej xhaketave të vjetra të nomeklaturës, Gjinushi, kritikon kalvarin antidemokratik të orkestruar nga Edi Rama

Kritika të forta janë lëshuar një ditë pas mbledhjes së Opozitës së Bashkuar nga aleati i Partisë Socialiste, Skënder Gjinushi. Kryetari i social-demokratëve thotë se Partia Socialiste po humbet kohë që prej muajit shtator në kërkesën e saj për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Gjinushit, Partia Socialiste duhet të bllokojë reformat në parlament për të rrëzuar qeverinë dhe jo të vetëofrohet për një pakt tjetër, i cili tha ai, do të prodhonte sërish zgjedhje të kontestuara. Ditën e djeshme, Opozita e Bashkuar zhvilloi një mbledhje e cila zgjati mbi 2 orë dhe gjatë saj, krerët u shprehën të alarmuar për situatën e krijuar ndërsa akuzuan mazhorancën se nuk po u qëndron ofertave që ajo vetë ka bërë për hetimin e zgjedhjeve. Sipas zëdhënësit të Opozitës së Bashkuar, Preç Zogaj, e majta tashme do të vijojë betejën e saj në tre drejtime: Në parlament, me protesta, si edhe kontaktet me faktorin ndërkombëtar për të kërkuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.