Rikthehen reshjet në Shkodër. Berisha: Situata po mbahet po menaxhohet

Mblidhet Shtabi i Emergjencave, grupet në gatishmëri për të ndihmuar banorët
Shtimi i prurjeve të lumenjve në veri të vendit si pasojë e shirave të rënë gjatë 24 orëve të fundit ka rritur shqetësimin e autoriteteve dhe banorëve të Shkodrës, për zgjerimin e hartës së zonave të përmbytura. Ndërprerja e reshjeve dhe ndërhyrja në disa argjinatura, thuajse e përgjysmoi sipërfaqen e përmbytur në fund të nëntorit. Por reshjet e dendura të së hënës që arritën në 55 mm, çuan në një rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumenjtë mbi kaskadën Drin dhe Bunë. Sipas të dhënave zyrtare liqeni i Shkodrës është në kuotën absolute të 8.79 metrave, duke shënuar një rritje me 16 cm të nivelit të ujit. Sakaq niveli i ujit në lumin Drin është 8.86 metër, duke shënuar një rritje gjatë mbrëmjes me 50 cm. Edhe në Dajç shënohet një rritje e nivelit të ujit me 30 cm. Prurjet kanë shënuar një rritje të ndjeshme edhe në Kir dhe Gjadër, përkatësisht me 300 metër kub në sekondë dhe 200 metër kub në sekondë. Duke iu referuar prurjeve të mëdha si dhe shkarkimeve në rritje nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit, Prefekti i Shkodrës Maxhid Cungu ka ripërsëritur thirrjen drejtuar banorëve të evakuuar, që të mos lëvizin nga qendrat e pritjes. Sipas informacionit zyrtar të qarkut Shkodër, situata në qytet mbetet e njëjtë me atë të një dite më parë, dhe e vetmja zonë ku uji vijon të jetë prezent është ajo në lagjen Livadhë. Në Komunën Ana e Malit, situata është e përkeqësuar krahasuar me të hënën, ku niveli i ujit është rritur me 10 cm. Sakaq komunat që vijojnë ende të jenë të përmbytura janë ajo e Obotit dhe fshati Goricë, ku mund të kalohet vetëm me mjete të larta. Ndërsa aksi rrugor Shkodër-Muriqan është i kalueshëm nga të gjitha llojet e automjeteve. Edhe në Komunën Bushat paraqitet e njëjta situatë, ku nuk shënohet rënie e nivelit të ujit. Të kalueshme janë rrugët lidhëse të kësaj zone me fshatrat Mali i Jushit-Bend-Ura e Gjonlulit-Velipojë. Rritje të nivelit të ujit ka patur edhe në Komunën e Bërdicës, ndonëse akset rrugore nuk paraqesin probleme, dhe janë të kalueshme nga të gjitha llojet e automjeteve. Vetëm rruga që lidh fshatrat e komunës Bërdicë ne Velipojën janë të bllokuara nga niveli i lartë i ujit në fshatin Trush i Poshtëm. Me 15 cm është rritur niveli edhe në Dajç. Në Darragjat me rreth 50 cm. Ndërsa akset që lidhin këtë komunë me fshatin Mushan Suka – Dajç janë të kalueshme me mjete të larta. E përkeqësuar paraqitet situata edhe në Komunën e Gurit të Zi, ku gjatë mbrëmjes ka patur një rritje të nivelit të ujit me rreth 30 cm. Edhe fshati Kuç, mbetet i mbuluar nga uji. Niveli i ujit në Komunën e Velipojës nuk ka pësuar ndryshime ne krahasim me atë të një dite më parë. Rrugët që lidhin këtë zonë me Shkodrën janë të kalueshme me të gjitha llojet e automjeteve. I pakalueshëm ështe vetëm aksi rrugor Trush i Poshtëm-Velipojë.
Kryeministri Berisha: Situata po menaxhohet
Situata e përkeqësuar në qytetin e Shkodrës nisi drejt sa dje në mbrëmje kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Shefi i ekzekutivit mori pjesë në mbledhjen e komitetit ndërministror dhe shtabit të emergjencave në qytetin e Shkodrës, nga ku ka deklaruar se situata është përkeqësuar pas reshjeve të dy ditëve të fundit. Kreu i qeverisë më pas ka folur për median ku ka deklaruar se sërish liqeni ka pësuar rritje. “Reshjet e shiut dhe dëbora kanë sjellë këtë situatë, tha kryeministri, ndërsa shtoi se situata kritike po menaxhohet”. “Reshjet e vazhduara të shiut kanë rënduar situatën, kemi sërish rritje të shpejtë të nivelit të liqenit, pasi shiu i pandërprerë ka sjellë prurje në kaskadë. Problematik mbeten lumenjtë Kir dhe Gjadër”- tha kryeministri. Duke deklaruar se ende nën ujë janë rreth 7300 ha tokë, Berisha tha se po bëhet e “pamundura për menaxhimin e kësaj situate kritike”. Kryeministri u shpreh se duhet të nisë vlerësimi i dëmeve në qytetin e Shkodrës, ku është larguar edhe prezenca e ujit.
Zv/kryeministri Ilir Meta: Ka rritje të nivelit të liqenit, grupet e punës po monitorojnë situatën
Pas disa ditë qetësie, situata në Shkodër ka nisur të përkeqësohet disi, për shkak të reshjeve të rëna ditët e fundit, të cilat kanë rritur prurjet në liqenin e këtij qyteti.
Për këtë arsye, dje në mbrëmje është zhvilluar mbledhja e Shtabit të Emergjencës në Shkodrës, dhe pas saj zv/kryeministri Ilir Meta ka deklaruar se situata është nën kontroll dhe po monitorohet nga grupet e punës. “Situata për shkak të reshjeve shumë intensive, por edhe për shkak të shkrirjes së dëborës ka pasur një rritje të kuota të liqenit të Shkodrës po ashtu edhe tek ura e Bunës. Rritje të nivelit të ujit ka pasur edhe në Dajç. Kjo situatë është shoqëruar me rritje të sipërfaqes nën ujë”, tha Meta. Ai bëri të ditur se ka pasur shqetësime në Baçallëk për shkak të prurjeve. Shqetësime të veçanta ka pasur edhe komunën e Dajçit ku është dëmtuar një pjesë e argjinaturës.
Meta tha se në këtë argjinaturë po punohej për një kohë të gjatë. Por ai siguroi se janë marrë masa për të vazhduar operacionin e përditshëm në drejtim të furnizimit të banorëve dhe të sigurimit të rrugëve për furnizimin e banorëve dhe bagëtive me produkte ushqimore. Zv/kryeministri Meta ka garantuar se situata në kaskadë është e qëndrueshme, shkarkimet janë minimale, dhe po shkarkohet më pak se 1000 mijë m3/sek. Meta tha se ka pasur tendence për rritje të shkarkimit në Koman dhe Vaun e Dejës, pasi u rriten prurjet anësore nga shkrirja e dëborës. “Problemet kryesore kanë ardhur nga shkrirja e dëborës në Alpet tona dhe Malit të Zi, që kanë rritur nivelin e liqenit të Shkodrës. Por edhe prirjet në lumin Kir dhe lumin Gjadër. Por situata është nën kontroll të plotë”, ka siguruar zv/kryeministri Meta.
Apeli i qeverisë për ndihmë- 250 milion lekë për të përmbyturit në Shkodër
Në përgjigje të apelit të kryeministrit Berisha për të kontribuar për zonat e prekura nga përmbytjet, të zgjedhurit vendorë të bashkive Korçë, Dibër, Kuçovë, Sarandë e Vlorë kanë dërguar mbi 250 milion lekë në numrat e llogarisë së emergjencës dhe qindra pako me ushqime, veshmbathje e medikamente. Në çdo qark të vendit në partneritet me të zgjedhurit lokalë është krijuar grupi i punës me në krye Prefektin e Kryetarin e Qarkut për të monitoruar procesin e ndihmave. Deri më datë 19 dhjetor janë nisur në drejtim të Shkodrës mbi 100 makina me rreth 5980 kv bar, jonxhë, hime e koncentrat për gjënë e gjallë të familjeve të përmbytura. Ndërkohë edhe këtë javë po punohet intensivisht edhe nga njësite e tjera vendore për të dhënë kontributin për zonat e fatkeqësisë.