Presidenti i Republikës thyen luajalitetin dhe besueshmërinë kushtetuese

Kreu i Shtetit në kushtet e mos dhënies së një oportuniteti në mbrojtje të ligjit dhe Kushtetutës, bën atë që askush s’e kishte menduar, duket se i jep kurajo aksionit të zi për dhunimin e shtetit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot në mesditë në një takim të posaçëm me kërkesën e tyre kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe deputetin socialist të qarkut të Beratit, Erion Braçe. Bëhet me dije se kryesocialisti Rama dhe deputeti Braçe e informuan Presidentin e Republikës rreth një shqetësimi të tyre në fushën e drejtësisë.
Pasi i dëgjoi me vëmendje, kryetari i shtetit dhe njëkohësisht kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i siguroi se institucionet e drejtësisë do të shqyrtojnë çështjen në fjalë me paanshmëri në funksion dhe në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Por, ajo që duket e paprecedentë në këtë mes, ka të bëjë me memecllëkun dhe mungesën e shqetësimit të kreut të shtetit, ndaj tendencave destabilizuese të segmenteve majtiste. Presidenti i Republikës, edhe pse vazhdon indiferencën e tij, në një kohë kur pozita institucionale dhe ligjore nuk ia lejon, pasi prezupozohet që kreu i shtetit të luajë rolin e rojtarit dhe mbrojtësit të Kushtetutës, këtë të fundit duket sikur e ka kthyer thjesht për shtrimin e frazeologjisë së tij politike. Në këtë sens, prej një kohe të gjatë, thuajse 18 mujore, kreu i shtetit s’ka dhënë asnjë koment për tendencat antiligjore dhe antikushtetuese të qarqeve të majta të Partisë Socialiste, edhe pse shpesh herë e kemi dëgjuar të dënojë shkeljen e ligjit dhe Kushtetutës. Është e kuptueshme se roli dhe ndikimi i kreut të shtetit në ruajtjen e ligjit themeltar të shtetit, e ka humbur sensin e vërtetë të kësaj qarkoreje, duke u zëvendësuar me një klikë të ngushtë interesash të qarta të s’dihet se kujt.