E Diel, 1 Nëntor 2026

Shakatë elektorale të Ramës

AGIM BAÇI

Kreu i PS-së paraqiti përpara publikut javën e shkuar dy prioritete, të cilat kishin të bënin me: ish-të përndjekurit dhe çështjen e pronave. Një parti që pretendon ardhjen në pushtet është krejt normale të prekë çdo fushë të jetës së vendit apo grup të caktuar, e pa dyshim, të përcaktojë edhe prioritete. Por, a mund të jenë këto dy kategori prioritetet e PS-së?
Së pari, ish-të përndjekurit nuk kanë ndonjë lidhje reale me ish-komunistët, kryesisht për shkak të së shkuarës me këtë parti, dhe së dyti, edhe ideologjikisht. Ndaj, ish-të përndjekurit mund të jenë fare mirë shqetësim i opozitës, sidomos në lidhje me projektet pas ardhjes në pushtet, por për arsye të së kaluarës së PS-së, nuk mund të jenë kurrsesi bosht politik i së ardhmes së saj. Duke nisur nga pafuqia e kësaj partie për të dënuar të gjitha krimet e komunizmit e deri te prania e mjaft elementëve pasues të asaj kohe sërish në PS, e kthen këtë platformë të paraqitur nga Rama pastërtisht në një gjueti elektorale votash. Madje, duke parë këtë absurditet, vlen të pyesim Ramën: çdo të bëjë me ish-të përndjekurit nëse mund ti ketë dërguar në qeli i ati i tij, Kristaq Rama, apo daja i tij, Spiro Koleka? Po Ruçi, si ish-ministri i fundit i Brendshëm i sistemit famëkeq, çfarë do tu thotë?
Nga ana tjetër, mjafton tu hedhim një sy tetë viteve në pushtet të PS-së, 1997-2005, se si është sjellë ajo me ish-të përndjekurit dhe pronat, ku asnjëra syresh nuk ka arritur kurrë në tryezën e debatit real. Dhe po të kemi parasysh se sot në PS është 90 për qind e atyre që kanë qenë për tetë vite në pushtet, ekzistojnë të gjitha arsyet e mosbesimit se a përbën vërtet shqetësim për këtë parti politike çështja e ish-të përndjekurve, apo zgjidhja e pronës?
Edhe pse në tryezën e PS-së shfaqen disa përfaqësues të ish-të përndjekurve, apo edhe të ish-pronarëve, kjo nuk do të thotë se ata përfaqësojnë logjikën e asaj klase të ndëshkuarish. Madje, edhe duke përfshirë gabimet që mund tu numërohen të djathtëve lidhur me këto dy shtresa, nuk ekziston asnjë element parimor që ti përafrojë ish-të përndjekurit me atë parti që i solli kalvarin e një jete, pasojat e së cilës ndjehen edhe sot në shumicën e ish-dënuarve dhe të pasardhësve të tyre.
Por, modeli që ka zgjedhur Rama të bëjë fushatë tregon se ai nuk ka ndër mend të kursejë asnjë mjet, qofshin këta individë apo kategori, edhe pse pa asnjë natyrshmëri. Një pozicion i tillë e kthen PS-në në pozicionin e një OJF-je, e cila i turret projektit të parë, e një partie që ka një bosht parimesh politike jo thjesht për të ardhur në pushtet, por për të mundur ta ushtrojë atë nëse do ti besohet.
Mund të jetë shumë e vërtetë që të afruarit nga Rama në PS e njohin shumë mirë jetën sociale të OJF-ve, por një parti ka disa parime politike, të cilat, pavarësisht seriozitetit për të respektuar një palë apo një palë tjetër, nuk mund të jenë as shtyllë, as prioritet.
Në fakt, ky është tregues i një drejtimi spontan, i prirë të propagandojë gjithçka, pa parë nëse u përgjigjet vërtet politikave përfaqësuese të jetës. Kjo mund të mos jetë gjë e keqe nëse vërtet do të përbënte shqetësim, por është një tregues i mungesës së vizionit dhe e një udhëheqësi që nuk ka aspak shqetësim atë që përfaqëson politikisht, por vetëm atë që i duhet individualisht.
Ndoshta ky model tregon qartazi se si në këto vite Edi Rama ka dhënë pëlqimin e marrëveshjeve politike, duke u kujtuar më vonë për pasojat e tyre, ose duke mos dhënë pëlqimin për reformat, e duke ndëshkuar kështu, bashkë me maxhorancën, edhe shumë socialistë shqiptarë që do të donin vendin e tyre të asociuar më BE, për të prekur nga afër nisjen e bashkëjetesës me rregullat.
Ndaj, për të mos e futur në një hulli joserioziteti opozitën lidhur me mënyrën si do të mund të sillet nëse vjen në pushet, Rama duhet të heqë dorë nga gjuetia elektorale e të mos kërkojë të ngjyejë dëshirat e tij për pushtet me këtë pjesë të shoqërisë që partia ia ka gatuar të shkuarën. Të dyja kategoritë e prioritetit të fundit të PS-së meritojnë pikësëpari një ndjesë nga shoqëria, e sidomos nga PS-ja, e cila trashëgon të kaluarën e shkaktuesve të peripecive të përfaqësuesve të këtyre kategorive. Ndaj, duke lënë mënjanë dëshirën e madhe për çdo votë, Rama duhet të tregojë se i përket një force politike që ka një themel programi, e se nuk është OJF me projekte aplikimi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›