E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita zemëron qeverinë, por jo qytetarët me qeverinë

SAMI NEZA

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, deklaroi dje si shans për Shqipërinë për të marrë kandidaturën, afatin më të fundit të diskutimit të statusit, vjeshtën e këtij viti. Pra, nuk ka më një datë surprizë. Ky afat lidhet me një proces burokratik të Brukselit prej disa vitesh, atë të hartimit dhe publikimit të progres-raportit për Shqipërinë. Kjo do të thotë se humbja e statusit vitin e kaluar nuk është kompensuar përgjatë kësaj periudhe. Shqipëria kishte shansin për tu përfshirë para pak ditësh në një propozim të tillë së bashku me Serbinë dhe ndërsa një shpresë e vakët që lidhej me muajin qershor, duket se është zbehur plotësisht.
Plotësimi i 12 rekomandimeve është një detyrë, e cila nuk mund të bëhet vetëm me administratën  publike, pa përfshirë edhe vullnetin politik të të gjitha palëve. Deri tani Shqipëria ia ka dalë të realizojë njëqind për qind vetëm një kusht, që lidhet me gatishmërinë e maxhorancës për të votuar një shije të opozitës, zgjedhja e Avokatit të Popullit. Ky ishte i vetmi rekomandim ku votat e maxhorancës mund të bllokonin integrimin. Ajo nuk e bllokoi, por votoi opozitën. Në të paktën gjashtë rekomandime të tjera janë të detyrueshme votat e opozitës, të cilat ajo, edhe kur i jep, nuk i ka për llogari të integrimit, por për llogari të konsumit të brendshëm politik dhe të skemës së saj paraelektorale. Por, në përgjithësi, nuk i jep edhe pse Rama deklaron shpesh kohët e fundit se opozita ka votuar të gjitha ligjet që kalojnë në Parlament me tre të pestat e votave.
Para katër ditësh ne ishin dëshmitarë se si opozita vërtet votoi një përqindje të rekomandimit që kërkon votimin e ligjeve me tre të pestat, që lidhen me reformat në Drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar. Por votoi vetëm atëherë kur vota e tyre nuk mund të shërbente qoftë edhe një grimë në përfshirjen e Shqipërisë në debatin që po zhvillohej në Bruksel në të njëjtën ditë për avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
Pra edhe këtë votë, që skematikisht është në axhendën e integrimit, opozita e nxori jashtë kësaj axhende, në përpjekje për ta konsumuar së brendshmi edhe si shantazh ndaj maxhorancës, pra bajonetë shpo, nëse perifrazojmë Patozin, edhe si karotë për publikun, për të ngritur alibinë se integrimi nuk pengohet nga opozita, por është qeveria ajo që nuk bën detyrat. Opozita ka për ta vazhduar këtë strategji edhe në muajt në vijim. Votimi i ligjeve me tre të pestat e votave po ecën shumë ngadalë, reforma zgjedhore është shtyrë me dy muaj, kurse ajo për rregullat parlamentare ende nuk ka nisur. Shumë prej këtyre ligjeve që presin të votohen, por nuk votohen, janë të lidhura fort me sigurimin e realizimit të disa rekomandimeve të tjera që opozita thotë se janë detyra shtëpie për qeverinë. Të dymbëshjetë rekomandimet janë të lidhura fort njëra me tjetrën, në mos të gjitha së bashku në të paktën dy blloqe, ato që lidhen me zgjedhjet dhe funksionimin e Parlamentit dhe ato që lidhen me ligjshmërinë dhe administratën.
Duke qenë se opozita ka ndërtuar strategjinë e saj politike jashtë axhendës së integrimit, është e vështirë për qeverinë të ndërtojë e vetme një axhendë për integrimin. E vetme do të dështojë, ashtu si edhe ka ndodhur dy vitet e fundit. Për aq sa integrimi ka qenë vullnet që lidhej vetëm me qeverinë, ose ndryshe, integrim me axhendë teknike, ajo ia ka dalë ta realizojë atë, siç është liberalizimi i vizave.
Por tani çështja është ndryshe. Opozita, përmes një gabimi strategjik dhe për më keq edhe të qëndrueshëm, luan politikë vetëm me qeverinë, ose ka strategji vetëm për qeverinë. Nëpërmjet këtij mekanizmi që ka zgjedhur, ajo ia del ta bllokojë atë në disa reforma, e tërheq në beteja politike me qëllim vështirësinë për të qeverisur, ia godet profilin integrues të saj duke simuluar edhe teza si qeveri e izoluar dhe gjëra të këtij lloji.
Por, ndërkaq, ka harruar se të gjitha këto janë gjeste komunikimi vetëm me qeverinë, dhe pak ia dalin që të depërtojnë në publik. Por edhe kur asimilohen nga publiku, efekti i tyre është mjaft i vogël, aq më tepër që qeveria gëzon impakt të mjaftueshëm në media dhe komunikim për të asnjanësuar efektet.
Ta zëmë votimi i opozitës të enjten e kaluar në orën e dhjetë, nëntë orë pasi ishte deklaruar vota kundër, ia doli të bllokonte qeverinë, ta zemëronte atë, por nuk ia ka dalë të zemërojë qytetarët me qeverinë për të njëjtën arsye. E kundërta ka ndodhur. Qytetarët konsiderojnë se në ato raste kur opozita nuk voton, ka gjithnjë një kurth ndaj qeverisë, dhe jo një arsye që shpërblen interesin e publikut. Nëse do të hynte në interesat e opozitës edhe ky i fundit, ka qenë e mundur që votimin për integrimin ta kthente në favor të vetes, natyrisht me modesti, aq sa mund të kthehen në bekim për opozitën sukseset e një shteti. Kjo nuk do të ishte pak për ta, sepse jemi në vitin e shtatë të qeverisjes së Berishës dhe PD-së. Dhe opozitës nuk i duhen shumë gjëra për të fituar zgjedhjet elektorale të vitit që vjen, sado e mirë të vlerësohet qeveria aktuale.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›