Edhe një vit më vonë, Edi Rama shfaqet në pozita anti-NATO
Një ditë pas anëtarësimit në NATO, Edvini thirri vjet njerëzit në protestë, ndërkohë që dje s’i fshehu ndjenjat e tij antiperëndimore, teksa deklaroi se anëtarësimi në aleancë po i bën dëm demokracisë në Shqipëri dhe se ky realitet e shtyn sërish atë të bëjë thirrje për protesta
Nga ngrehina socialiste shënohet një tjetër situatë nekropolitike me përgjegjës një nga udhëheqësit e krizave, Edvin Rama. Përmes një komunikimi me mediat, të cilën e kthen sipas dëshirës, madje edhe duke dhunuar disa nga mediat e lira, njërës duke i mbyllur dyer e konferencës për shtyp dhe tjetrës duke i dhënë përgjigje satireske dhe batuta pa shije, hodhi dje deklaratën e turpit se do të protestohet në muajin kur Shqipëria është bërë anëtare e forcës më të madhe politiko-ushtarake në botë, NATO-s.
Me vetëdije të humbur dhe mykur se muaji prill njihet në mbarë trevat shqiptare si muaj festiv, pasi trungu i kombit, Shqipëria ka realizuar aspiratën mbarëshqiptare, të anëtarësimit në NATO, ylberisti Edvin Kristaq Rama, vazhdon ta cilësojë si muaj protestash, për t’i thënë “Jo politikës integruese të Berishës”...
Fataliteti i socialistëve vazhdon të nxjerrë si “outpute” destabilitetin politik dhe nxirjen e imazhit të vendit, në sytë e ndërkombëtarëve, më tepër akoma, kur Shqipëria renditet mes të barabartëve në selinë e NATO-s në Bruksel.
Kërcënimi për shtrirjen e revolucionit permanent kundër aksionit integrues të qeverisës “Berisha” thellon edhe më tepër krizën e identitetit personal të Edvin Kristaq Ramës, duke e detyruar këtë të fundit të përdorë momentet festive, për të lëshuar grahmën kërcënuese kundër pushtetit dhe rendit demokratik.
Paralajmërimi i Edvinit për protesta gjatë muajit prill, nuk janë diçka e re. Lakuriqi i PS-së ka implementuar të njëjtin aksion destruktiv duke filluar nga prilli i 2008-ës kohë në të cilën, Shqipëria ftohej të bëhej pjesë e NATO-s e ndërsa e njëjta situatë absurditeti u shoqërua edhe në 2 prill të vitit të kaluar, kur Rama protestoi me anë të një pseudomitingu në bulevardin kryesor me sloganin e turpshëm “Po NATO-s, Jo Berishës”.
Inkorporomi i politikës së alternativave të vdekura dhe mirëfillti të kalbuara nga nekropolitika e ylberistëve, e ka kthyer PS-në dhe opozitën në tërësi, në turpin e kombit, duke i faturuar vetes një gjobë të rëndë, porsa kohë tentojnë të luajnë me fatet e vendit. Vendi festoi dje anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, por për Edvinin nuk është njësoj.
Sipas kryesocialistit në detyrë, Shqipëria mbush një vit anëtare e NATO-s por e gjen përsëri vendin në protesta. Ligjërata groteske e lakuriqit të PS-së vjen në një kohë kur vetë ai ka shpallur lëvizjen e proletariatit për rrëzimin e qeverisë “Berisha” duke mos u interesuar për fatet e kombit dhe aspiratën e të gjithë shqiptarëve për shtrirjen e linjës së drejtimit drejt Bashkimit Evropian.