Opozita shtyn protestat për shkak të përmbytjeve: Katastrofa nuk është natyroreNga TemaKryetari i PS, Edi Rama, mblodhi dje krerët e koalicionit që ai drejton për të analizuar situatën e përmbytjeve në veri të vendit, si dhe për të shprehur solidarit
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Opozita shtyn protestat për shkak të përmbytjeve: Katastrofa nuk është natyroreNga TemaKryetari i PS, Edi Rama, mblodhi dje krerët e koalicionit që ai drejton për të analizuar situatën e përmbytjeve në veri të vendit, si dhe për të shprehur solidaritetin me banorët e zonave të përmbytura e për t’iu ardhur në ndihmë atyre. Në takimin e djeshëm, krerët e pesë partive, Edi Rama i PS, Spartak Ngjela i PLD, Erion Veliaj i G99, Skënder Gjinushi i PSD si dhe ish-drejtuesi i LSI, Ndre Legisi, u takuan për të vendosur rreth një axhende të partive të opozitës në ndihmë të banorëve të përmbytur nga hapja e portave të hidrocentraleve, që shkaktoi edhe përmbytjen e disa komunave në qarkun e Lezhës dhe Shkodrës. Krerët e pesë partive kanë shprehur angazhimin e tyre për t’i ardhur në ndihmë banorëve, si dhe i kanë bërë thirrje gjithë shqiptarëve për t’u solidarizuar me situatën në ndihmë të zonave të përmbytura.
Skënder Gjinushi i PSD u shpreh dje se është momenti që secili të solidarizohet për të përballuar situatën, dhe më pas të gjenden përgjegjësit që shkaktuan këtë katastrofë, të cilën krerët e opozitës nuk e quajnë natyrore, por si një produkt i korrupsionit të qeverisë Berisha.
Kryetari PLD, Spartak Ngjela, i bëri thirrje presidentit të vendit që të iniciojë krijimin e një komisioni për të parë ecurinë dhe dinamikën e respektimit të rregullores teknike, e cila ka të bëjë me jetën e një numri shumë të madh qytetarësh. Ngjela tha se, sipas të dhënave që disponon opozita, kjo rregullore është shkelur. Ngjela tha gjithashtu se menjëherë pas kapërcimit të situatës, opozita do të vijojë protestat e saj në kërkim të hapjes së kutive të votimit.
Kryetari i G99, Erion Veliaj, i bëri thirrje banorëve të zonave të përmbytura të largohen nga banesat e tyre për të shmangur rrezikun për jetën. Ai tha se sot do të ngrihet një shtab i opozitës pranë vendit të përmbytur, kryetari i opozitës dhe disa anëtarë të tjerë do të jenë aty për të çuar ndihma.
Veliaj akuzoi qeverinë Berisha si shkaktare të kësaj katastrofe, duke theksuar se ishte pikërisht korrupsioni i qeverisë Berisha, i ministrit të Energjitikës, Dritan Prifti, që çoi në këtë situatë përmbytjesh në veri të vendit. Veliaj tha se opozita do të kërkojë nga prokuroria të hetojë për nxjerrjen e përgjegjësve dhe përballjen e tyre me ligjin. “Nëse qeveria dështon dhe nuk merr përgjegjësitë e saj, ne ju themi se këto përgjegjësi do t’i marrë opozita, duke filluar që nga nesër me dërgimin e ndihmave dhe ngritjen e një shtabi operacional. Kërkojmë gjithashtu që disa autoritete, si Prokuroria e Përgjithshme, nuk duhet të rrinë, por të duken, sepse kjo ka vend më shumë se kurrë. Është koha që, me të mbaruar kjo situatë, zoti Dritan Prifti, zoti Sali Berisha, kushdo qofshin, të gjejnë vend ku të futen, jo nga dhuna e opozitës, por nga ligji. Opozita është e shqetësuar, sepse për interesa banale, Prifti na provoi se për 10 ditë ishte në dijeni të shkeljes së rrezikut të jetës dhe i neglizhoi. Kjo që thashë, të gjejnë vend të futen, nuk është kërcënim, por premtim, sepse me të mbaruar kjo situatë ata do të mbajnë përgjegjësi. Nuk mund të vazhdojmë më. Ajo rrugë drejt Shkodrës është autostrada e vdekjes”, - tha Veliaj.
Ndërsa kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, tha se është momenti për t’iu bindur zërit të specialistëve.
“Në këto momente tepër të vështira, jo vetëm për banorët atje, por për gjithë Shqipërinë, prioriteti i prioriteteve mbetet ai humanitar, shpëtimi i jetës njerëzore. Theksojmë nga ana jonë, t’i bindemi nga e gjithë popullata e këtyre zonave ndaj zërit të specialistëve. Është momenti që të gjithë, çdo qytetar, aq më tepër ata që kanë mundësi, të solidarizohen me njerëzit në nevojë. Kontot e hapura bankare duhet të jenë një motiv për të gjithë qytetarët të japin kontributin e tyre tepër të domosdoshme. Opozita krahas këtyre veprimeve, do të jetë këmbëngulëse për normalizimin e situatave, që të dalë përgjegjësia e fundit dhe të ndëshkohen përgjegjësit për këtë situatë fatkeqësie civile”, - tha Dule.
PS: Të largohet Dritan Prifti, shkaktari i drejtpërdrejtë i katastrofës
Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, kërkoi dje në emër të opozitës largimin e ministrit të Energjitikës, Dritan Prifti. Leskaj përsëriti akuzën se grumbullimi i ujit është bërë për qëllime korruptive, pasi qeveria synonte të shiste sa më shumë energji.
“Partia Socialiste vlerëson, se shqiptarëve duhet t’u thuhet e vërteta e asaj që po ndodh sot në veri të vendit. Cilat janë arsyet që situata degradoi deri në këtë pikë?
Fatkeqësisht, të gjitha të dhënat, faktet dhe argumentet e specialistëve, tregojnë se situata ka degraduar në këtë pikë, jo nga paaftësia e ministrit dhe vartësve të tij, por si rezultat i një plani të mirëfilltë korruptiv; sipas një plani që kaskadat e hidrocentraleve të grumbullonin më shumë ujë nga sa e lejon kapaciteti i tyre, vetëm e vetëm që kjo qeveri të mund të eksportonte energji, për të tentuar mbylljen e pjesshme të gropës së zezë që ka krijuar në buxhet.
Tentativa për të shpëtuar qeverinë jo-legjitime, rrezikoi zona të tëra të përmbytura, duke vënë në rrezik jetët e mijëra njerëzve e duke krijuar një kosto shumë të madhe për banorët e asaj zone dhe për gjithë ekonominë e vendit.
E vërteta tashmë ka dalë në shesh.
Përpos teatrit që Sali Berisha dhe oborri po tentojnë të luajnë këto ditë, shqiptarët e kanë të qartë se situata në të cilën ndodhemi dhe katastrofa që rrezikon mund të ishin shmangur nëse do ishte vepruar në kohë e me përgjegjësi dhe jo në shkelje të plotë të rregullores”, - tha Leskaj.
“Partia Socialiste vlerëson se ato kanë një shkaktar, ministrin e Ekonomisë dhe këtë qeveri pa legjitimitet. Në këto kushte Partia Socialiste kërkon me vendosmëri largimin e Dritan Priftit si ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës, si përgjegjës i drejtpërdrejtë i kësaj katastrofe, plotësisht e shmangshme. Dritan Prifti duhet të largohet, që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.
Në harkun kohor të dy javëve, u solli shqiptarëve dy ngjarje ogurzeza: rritjen e çmimit të energjisë dhe përmbytjet e ditëve të fundit.
Njëherësh Partia Socialiste kërkon që prokuroria të nisë menjëherë hetimet për shkaktarët, që me veprimet apo mosveprimet e tyre shkaktuan përmbytjen në zonat e Veriut”, - vijoi Leskaj.