E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për përmbytjen në Lezhë: Nuk u mor vesh çfarë qe. Për Shkodrën: Ajo përmbytet periodikishtNga TemaMashtrimi i kryeministrit: Në vitin 2004 u shkarkua më shumë ujë Kryeministri, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp dje, më shumë p

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha për përmbytjen në Lezhë: Nuk u mor vesh çfarë qe. Për Shkodrën: Ajo përmbytet periodikishtNga TemaMashtrimi i kryeministrit: Në vitin 2004 u shkarkua më shumë ujë

Kryeministri, Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp dje, më shumë për të sulmuar opozitën sesa për të bërë të qartë se çfarë ka ndodhur. Berisha u shfaq entuziast, ndërsa tha se digat nuk do të çahen. Njeriu që e quajti situatën katastrofike, tani deklaron se ajo është e menaxhueshme, dhe se është opozita që po përhap panik.
Berisha nuk ka sqaruar se a kanë qenë reshjet e këtij viti më të mëdha se zakonisht, pse u mbushën aq shpejt liqenet e hidrocentraleve, dhe pse u hapën portat pa lajmëruar më parë banorët. Berisha i quajti spekulime të gjitha akuzat se është lejuar që Fierza të mbushet më shumë se ç’lejohet.
“Spekulimi në një kohë të tillë dëshmon një amoralitet të madh. Çdo qytetar, çdo gazetar dhe çdo politikan është i thirrur që të shkojë dhe të kontrollojë të gjithë regjistrin elektronik të të gjithë treguesve të kaskadës së Drinit, të prurjeve, të niveleve, të shkarkimeve dhe t’i krahasojë me rregulloren, e cila është një rregullore e vitit 1988, ndodhet në shumë kopje dhe mund t’ju bëhet disponibël edhe juve. E them që është në shumë kopje, pasi, rastësisht, dëgjova një zë që me papërgjegjshmëri të plotë deklaronte se nuk gjendet rregullorja. Rregullorja është zbatuar pikë për pikë. Rregullorja përcakton kuotat për çdo sezon dhe unë mund t’ju garantoj se pa arritur kuota më e lartë e përcaktuar për sezon, grupi i emergjencës së KESH ka filluar shkarkimet. Komani, deri në 10-ditshin e fundit kur janë shtuar reshjet, është mbajtur në nivelin 170 metra, që është niveli minimal dhe të gjitha këto janë të regjistruara. Askush nuk duhet të mendojë se do të nxjerrë përfitime nëpërmjet mashtrimit. Aty është një sistem tërësor elektronik i regjistrimit të parametrave, i cili bëhet me përgjegjësi të plotë”, - tha Berisha.
Kryeministri tha se është informuar NATO për situatën e krijuar.
“Mund t’ju them se është informuar NATO, qendra e emergjencës, pasi ne jemi vend anëtar i NATO-s. Kryeministri Silvio Berluskoni ka dërguar këshilltarin e tij kryesor për energjinë, i cili është njëkohësisht kryetar i Komitetit të Digave të mëdha të Italisë. Pas pak unë kam takim me të. Po ashtu, qeveria mike austriake ka kërkuar të dijë se cilat janë nevojat tona për ndihma, me qëllim që të na i ofrojnë. Qeveria e Maqedonisë dhe qeveria e Kosovës janë të vendosura të na ndihmojnë. Kjo është një situatë, të cilën ne do ta menaxhojmë dhe do ta kapërcejmë. Nuk ka vend për panik, por ka vend për qëndrim më të vendosur, më të mençur dhe serioz. Mbrëmë janë dyfishuar shkarkimet, pasi u dyfishuan prurjet”, - tha Berisha.
Kryeministri tha se përmbytjet janë natyrore dhe ato erdhën nga Zoti.
“Për problemet e larta, aty është i gjithëfuqishmi dhe ne jemi të pafuqishëm për ato. Por problemet në tokë ne po bëjmë çdo gjë që t’i menaxhojmë. Mund të thuhet se, kur Valbona apo i gjithë baseni i Drinit merr 4 mijë metra kub shkarkime në sekondë, do të ishte po të mos qe rregullorja. Rregullorja është zbatuar me përpikëri, shkarkimi ka filluar në kohë, kuotat janë mbajtur në nivelin që përcakton rregullorja. Dhe mendoj se është në interesin tuaj që të merrni rregulloren, të merreni kuotat, të merrni shkarkimet, të merrni nivelet, sepse ka një gjë: përdorimi i fatkeqësisë për propagandë të çon në një lloj transformimi, që ngjet si korb që ushqehet me viktimat e fatkeqësisë dhe kjo është jashtë çdo lloj standardi”, - tha Berisha.

Berisha për përmbytjen në Lezhë: Nuk u mor vesh se çfarë qe

Duke folur për përmbytjen e Lezhës, Berisha tha se nuk u mor vesh se çfarë ishte ajo që ndodhi.
“Ulza dhe Shkopeti janë në shkarkim. Këto hidrocentrale vazhdojnë shkarkimin, por, siç keni konstatuar dhe ju, argjinatura ka funksionuar shumë mirë dhe në rrethin e Kurbinit dhe të Lezhës. Nëse përpara nga Drini dhe Mati përmbyteshin me mijëra hektarë, ne kësaj here përmbytje kemi pasur vetëm nga ajo dallgë e fuqishme e detit. Se çfarë qe ajo, nuk u mor vesh qartë. Nuk mund ta them dot, nëse ishte një stuhi e madhe, ngrohje globale apo pati lidhje me eklipsin, pasi pozicioni i hënës ndikon në lëvizjen e ujërave të detit, por ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Ka qenë më e fuqishme në Greqi, ku ka krijuar shumë probleme. Ne nuk kemi territore të përmbytura në rrethin e Kurbinit dhe të Lezhës. Kanë funksionuar shumë mirë investimet e bëra”, - tha Berisha.

Berisha: Ajo zonë është përmbytur periodikisht, mos përhapni panik

Kryeministri, Sali Berisha, premtoi dje në mbledhjen e qeverisë se do ketë kompensim në çdo qindarkë për banorët e Shkodrës.
Berisha i rezervoi dje një pjesë të mirë të mbledhjes falënderimeve.
“Unë gjithashtu dua të përgëzoj policinë, forcat e rendit, autoritetet vendore, Komitetin e Emergjencës që sot, gjatë gjithë ditës, kanë bërë një menaxhim kompetent, eficient të situatës në zonat e përmbytura. Janë dyfishuar mjetet dhe forcat në të katër anët e zonave të përmbytura. Prania e policisë, e forcave të rendit, forcave të ushtrisë është evidente në të gjitha raportimet e bëra nga mediet e vendit, por edhe nga kontaktet e mia të vazhdueshme me komitetin, drejtuesit, Shtabin e Përgjithshëm, Policinë e Shtetit, autoritetet vendore, kryetarët e komunave dhe se shkalla e angazhimit është e admirueshme. Dua të falënderoj me mirënjohje qindra qytetarë të thjeshtë, biznesmenë, drejtues dhe qeveritarë vendorë, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të kontribuar në mënyra nga më të ndryshmet, në mbështetje të banorëve të zonave të përmbytura”, - tha Berisha.
Kryeministri tha dje se ajo zonë është përmbytur dhe më parë. Madje aty në vitin 2004 është shkarkuar më shumë ujë.
“Në 26.3.2004 janë shkarkuar 3017 metra kub në sekondë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Në 27.3. 2004 janë shkarkuar, edhe mbi kapacitetin, 6210 metra kub në sekondë. Në 27.3.2004, - atyre që duan ta paraqesin këtë situatë si të paprecedent, nëse e bëjnë nga mungesa e memories, po ua rikujtoj, nëse e bëjnë për qëllime të mbrapshta politike, mjerë ata, - janë shkarkuar 4620 metra kub dhe as është përmbytur qyteti, as nuk ka lëvizur vendi. Ka pasur përmbytje të mëdha në zonë, por qyteti ka mbetur i paprekur. Bahçallëku që është sot i përmbytur, në memorien e qytetarëve shkodranë, unë nuk them se nuk ka ndikuar lëshimi i ujërave, por, edhe kur nuk kanë ekzistuar diga dhe hidrocentrale, Bahçallaku ka qenë një zonë që i është nënshtruar përmbytjeve periodike”, - tha Berisha.
Duke folur për banorët që kanë refuzuar që të shkojnë në vendet e caktuara nga qeveria, Berisha tha: “Ndërkohë, ndonëse ju e keni pasur vetë parasysh, do të kërkoja që, krahas përqendrimit në evakuim, si përparësia më absolute, po kaq rëndësi duhet t’i kushtoni post-evakuimit. Në traditën më të shkëlqyer shqiptare janë hapur dyert dhe zemrat e qindra familjeve dhe i kanë marrë në shtëpitë e tyre. Ndonëse ne i kemi të gatshëm, përveç turizmit dhe konvikteve, të dy konvaleshencat dhe po të jetë e nevojshme shumë e shumë lokale dhe ndërtesa të tjera. Por këta qytetarë, që kanë hapur dyert dhe zemrat për njerëzit e tyre, duhet të ndihmohen. Ndaj, kur thashë post-evakuim, kërkoj që të dërgohet ndihma. Komuna të fillojë regjistrimin e familjeve që janë dyfishuar tani me pjesëtarë dhe të asistohet me ushqime, ilaçe e të gjitha mjetet. Kjo ka rëndësi shumë të madhe.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›