E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyfishohet brenda një dite sipërfaqja e përmbytjeve, Shkodra izolohet nga TiranaNga Tema Edhe pse gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur reshje shiu, sipërfaqja e tokës së përmbytur në Shkodër është dyfishuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Dyfishohet brenda një dite sipërfaqja e përmbytjeve, Shkodra izolohet nga TiranaNga Tema
Edhe pse gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur reshje shiu, sipërfaqja e tokës së përmbytur në Shkodër është dyfishuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, sipërfaqja e tokës së përmbytur ka shkuar në 9150 hektarë, nga 4800 hektarë që ishte dy ditë më parë. Ndërkohë, sipas këtyre shifrave, banesat e përmbytura kapin shifrën 2080. Situata është dramatike, pasi shkarkimet e ujit nga Fierza nuk mund të ndërpriten, për shkak të nivelit të lartë të ujit që ndodhet në të. Për më tepër, ditët në vijim pritet që reshjet e shiut të shtohen dhe për pasojë edhe shkarkimet e ujit nga Fierza. Ministria e Brendshme bëri me dije se numri i personave të evakuuar kap shifrën 3407. Shumë prej këtyre të fundit nuk kanë pranuar që të akomodohen në konviktet dhe ambientet e tjera të vëna në dispozicion nga qeveria, por kanë shkuar te të afërmit e tyre. Ndërkohë, ministria bëri me dije se ka marrë një sërë masash të tjera shtesë si kufizimin e rrugëve me shirita tregues për zonat e përmbytura, vazhdimin e punimeve me mjete të rënda për forcimin e argjinaturave të Dajçit, kontrollin dhe monitorimin, me praninë e ushtrisë, policisë dhe të FNSH të zonave të përmbytura. U vendos gjithashtu që të krijohen hallkat e ndërlidhjes me përfaqësues nga të gjitha njësitë vendore të rrezikuara, të prefektit, të policisë dhe të ushtrisë, të cilët në bashkëveprim me njëri-tjetrin do të organizojnë operacionet e evakuimit në të gjitha zonat problematike, si dhe u vendos që në zonat e rrezikuara të mos lejohet futja e personave që nuk kanë leje të posaçme nga strukturat ushtarake, të cilat kontrollojnë këto zona. Ndërkaq, në dispozicion të qytetarëve që duan të kontribuojnë vullnetarisht për të prekurit nga përmbytjet është hapur llogari bankare në bankat e nivelit të dytë, ku mund të kontribuohet në lekë, dollarë ose euro. Ministria e Brendshme bëri me dije se, në zonat e përmbytura të qarkut Shkodër është garantuar shërbim shëndetësor 24 orë. Kështu, në komunën Obot gjatë ditës së djeshme është bërë i mundur transportimi i një pacienti me probleme kardiake, ndërsa me rekomandim të Shtabit të Emergjencës është vendosur që stafi mjekësor të qëndrojë në Qendrën Shëndetësore Oblikë, në gatishmëri për problemet shëndetësore. Gjatë ditës së djeshme stafi mjekësor ka lëvizur me mjete lundruese të emergjencave civile për në shtëpitë e pacientëve. Ndërsa në komunën Dajç gjatë ditës së djeshme situata ka ardhur vazhdimisht duke u vështirësuar. “Është ofruar shërbim mjekësor 24 orësh, një mjek dhe dy infermierë. Gjithashtu, gjatë gjithë kohës ka pasur në gatishmëri një autoambulancë, kështu që është bërë i mundur transporti për në spitalin rajonal të Shkodrës i dy pacientëve me probleme kardiake”, - bëri me dije ministria. Sipas kësaj të fundit, “në orët e pas-drekës është bërë evakuimi i shumicës së popullatës, si dhe është vendosur që stafi mjekësor dhe një autoambulancë të qëndrojnë në rrugën kryesore të hyrjes për në komunën e Dajçit, pasi kjo zonë tashmë është e përmbytur”.

Parashikimi, fundjava e mbushur me reshje

Meteorologët thonë se situata e reshjeve nuk do të përmirësohet, pasi gjatë fundjavës ato pritet që të rifillojnë fuqishëm. Sipas tyre, të premten në mbrëmje, duke u gdhirë dita e shtunë, reshjet do të nisin sërish, ndërkohë që temperaturat do të jenë të larta, krahasuar me ato normale të stinës. Ndërkohë, ditën e shtunë, sipas Shërbimit Meteorologjik të Forcave të Armatosura, do të ketë reshje shiu në të gjithë vendin, madje, gjatë mesditës edhe rrebeshe. Ndërkohë, në mbrëmje pritet të ndodhë ulja e temperaturës, çka do të bëjë që duke gdhirë dita e diel, në zonat malore të fillojnë edhe reshjet e dëborës. Sinoptikanët thonë se vetëm ditën e hënë moti do të përmirësohet, por reshjet e shiut pritet që të rifillojnë sërish ditën e martë dhe të mërkurë.

Projektuesi i Fierzës: Digat do të rezistojnë

Farudin Hoxha, një ndër projektuesit e Fierzës, është shprehur se digat do të rezistojnë, edhe pse situata është nga më të rëndat. “Kam besim të plotë se veprat e ndërtuara, jo veçse do t’i rezistojnë këtyre prurjeve kaq të mëdha që po vijnë drejt Drinit, por edhe mënyra e shkarkimit të tyre do të bëhet me mënyrën teknikisht më të mirë dhe më të zgjuar, ndërsa humbjet do të jenë më të paktat që mund të bëhen në kësi rastesh. Të gjithë banorët duhet t’i binden urdhrit për t’u evakuuar nga vendbanimet e tyre, pasi e tashmja dihet, ndërsa e ardhmja padyshim që nuk dihet”, - tha Hoxha. Projektuesi i Fierzës tha se prurjet në kaskadën e Drinit janë nga më të mëdhatë që ai ka njohur deri më sot, ndërsa deklaron se porta 3 e hidrocentralit nuk punon dhe, në rast se do të duhet të bëhen shkarkime prej saj, atëherë ajo duhet të hapet forcërisht. “Portat e Fierzës janë të sigurta me përjashtim të asaj në tunelin numër 3. Në rast rreziku apo në rast të pamundësisë së një rrugëzgjidhjeje, ajo duhet të hapet në mënyrë të sforcuar”, - pohoi Hoxha.

Tiranë-Shkodër, ndërpritet qarkullimi për automjetet e vogla, rrezik izolimi për banorët

Për shkak të situatës emergjente, forcat e policisë kanë ndaluar dje qarkullimin e automjeteve të tonazhit të vogël në aksin rrugor Tiranë-Shkodër. Këto të fundit kanë ndërprerë qarkullimin e makinave të vogla në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, 5 kilometra larg Shkodrës, për shkak të rrezikut që mund t’u kanoset këtyre mjeteve nga prurjet e lumit Drin. Tashmë ekziston mundësia që banorët të izolohen plotësisht, pasi, nëse do të bllokohej qarkullimi rrugor, ata nuk do të kenë asnjë mundësi lëvizjeje. Edhe pse në fakt për momentin lëvizja është minimizuar, pasi banorët lëvizin me varka të improvizuara. Ndërkohë, për momentin do të vazhdojë normalisht qarkullimi i automjeteve të tonazhit të rëndë. Policia u shpreh se, “kjo masë sigurie është marrë prej orës 12:00 të ditës së djeshme, atëherë kur prurjet e Drinit u rritën me të paktën 50 centimetra”. Pas kësaj mase sigurie të përkohshme, të gjitha automjetet që vijnë nga Tirana me destinacion Shkodrën, duhet të ndjekin itinerarin Krye-Bushat- Mjedë-Rënzë-Shkodër dhe anasjelltas. Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme në këtë zonë nuk ka pasur reshje shiu, por pavarësisht kësaj forcat e Policisë Rrugore kanë përforcuar masat e sigurisë në aksin kombëtar Tiranë-Shkodër dhe anasjelltas. “Kjo është një masë për të mbrojtur automjetet e ulëta dhe njerëzit. Uji vjen me dallgë dhe në këto kushte mund të përbëjë ndonjë rrezik. Është një masë parandaluese”, - thonë punonjësit e policisë. Ata shprehen se këto masa do të vazhdojnë dhe, nëse situata do të përkeqësohet, qarkullimi rrugor në aksin rrugor Tiranë-Shkodër do të ndërpritet. Nëse do të ndërpritej qarkullimi rrugor, do të ishte një situatë katastrofike për banorët e zonës, pasi do të izoloheshin komplet. Bëhet fjalë për më shumë se 200 mijë banorë, të cilët nuk do të kishin asnjë mundësi për të siguruar ushqime dhe mjete të tjera të nevojshme. Për më tepër, ata nuk pranojnë që të largohen nga banesat e përmbytura, edhe pse kryeministri Berisha u ka bërë disa herë thirrje që të evakuohen. Edhe ato familje, që janë evakuuar nga banesat e përmbytura, nuk kanë pranuar që të shkojnë në konviktet dhe qendrat e ngritura nga qeveria, për shkak të kushteve jo shumë të mira në to. Banorët kanë shkuar në familjet e të afërmve të tyre në malësi.

Rritet niveli i Fierzës, 4 metra larg kapacitetit maksimal

Edhe pse shkarkimet e ujit në Fierzë vazhdojnë, niveli në të duket se nuk ka ndërmend që të bjerë. Madje, kuotat e ujit në Fierzë janë duke u rritur. Autoritetet pohuan se niveli i ujit në liqen ka arritur në 292.4 metra, duke qenë më pak se 4 metra larg kapacitetit maksimal. “Fierza tani rritet me 1 deri në 2 centimetra në orë. Është një situatë që po shikohet në mënyrë të kujdesshme. Nëse situata do të përkeqësohet në ditët e ardhshme, unë mendoj që mund të rriten shkarkimet”, - tha drejtori i KESH, Stojku.
“Prurjet në Fierzë tani janë 150 metra/kub në sekondë, pra janë thuajse dyfishi me mesataren e ditës së djeshme. Në Koman janë 700 metra/kub në sekondë dhe në Vaun e dejës janë 400. Sigurisht, në këto kushte ne kemi shtuar prodhimin dhe shkarkimet. Jemi duke u përpjekur të kontrollojmë situatën. Prurjet janë të disiplinuara”, - shpjegoi ministri i Energjitikës, Dritan Prifti. Drejtuesit e sistemit energjitik deklarojnë se sistemi është në gatishmëri të plotë dhe se hidrocentralet janë vënë në punë me të gjitha turbinat. Prodhimi vendas ka arritur në 26 milionë kilovat/orë në ditë, ndërkohë që eksporti vazhdon në nivele të larta.

Hapja e portave te Fierzës është e domosdoshme

“Hapja e portave të Fierzës është e domosdoshme”, - kështu shprehen specialistë të ndryshëm, sipas të cilëve, duke parë se niveli i ujit në Fierzë është tej normës së lejuar, duhet që të hapen portat për shkarkim, në mënyrë që të shmanget ndonjë ngjarje më e rëndë, siç do të ishte çarja e digave. Ata shprehen se situata është pasojë e shkeljes së rregullores për ruajtjen e digave, por, nëse uji në Fierzë nuk shkarkohet, shqiptarët do të pësonin një katastrofë të ngjashme me efektet e një cunami, për shkak të përmbytjes së digave. Aktualisht niveli i ujit në Fierzë është 292.5 metra, ndërkohë që minimalisht duhet të jetë të paktën në kuotën e 287 metrave. Ish-zëvendësministri i Energjitikës, Pajtim Bello, u shpreh dy ditë më parë se shkarkimet e ujit duhet të kishin filluar gradualisht që prej muajit nëntor, në mënyrë që të shmangej kjo situatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›