Edhe njëherë për mjedisin në Shqipëri
Agron Alibali
Një takim i rëndësishëm për energjinë e “gjelbër” u mbajt muajin e kaluar në Ministrinë e Jashtme greke. Ministrja Bakojani-Micotaqis shpalosi aty një program të mirëfilltë pune, ku Greqia angazhohet seriozisht në përpjekjet e përbashkëta për shpëtimin e planetit dhe përfshirjen e saj në grupin e vendeve zotëruese të teknologjive më të përparuara për prodhimin e energjisë së “gjelbër”. Shqetësime të ngjashme gjejmë edhe gjetiu. Para do kohe Maqedonia mbolli rreth një milion pemë, kurse Meksika rreth 10 milionë syresh. Fill pas pavarësisë Mali i Zi përcolli me zgjuarsi imazhin e “Republikës së Gjelbër”. Mjedisi dhe energjia e “gjelbër” diskutohen gjerësisht edhe gjatë fushatës presidenciale në SHBA. Zonja Klinton, për shembull, shpalosi një program ambicioz për hapjen e mijëra vendeve të punës në industrinë e energjisë së “gjelbër”, sipas shembullit gjerman. Senatori Mekein, nga ana tjetër, propozoi para pak ditësh projektin Legzington, që synon ta kthejë SHBA-në në një vend energjetikisht të pavarur, nëpërmjet një revolucioni të vërtetë teknologjik, duke nxitur energjinë e “gjelbër” dhe mbrojtur mjedisin. Mirëpo, shqetësimi për mjedisin haset edhe në kontinentet e tjera. Kina, për shembull, ka mbyllur dhjetëra uzina në provincat fqinje me Pekinin për pastërtinë e ajrit gjatë Olimpiadës. Për herë të parë plani pesëvjeçar i zhvillimit të vendit parashikon objektiva mjedisore e për kursimin e energjisë. Po ashtu, autoritetet ruse morën masa ndaj një konsorciumi perëndimor në ishullin Sakhalin, i cili kishte shkelur normat e mjedisit.
Për fat të keq, në Shqipëri çështjet e mjedisit dhe energjisë së “gjelbër” shkojnë ndesh me prirjen e përgjithshme globale. Ndotja e industrializimit komunist s’është asgjë në krahasim me këtë të tanishmen. Bota mbjell pyje, në Shqipëri ato digjen. Djegia masive e ullishtave është krimi më i fundit që i bëhet të sotmes dhe të ardhmes së vendit. Bota ecën drejt energjisë së “gjelbër” dhe teknologjive “të pastërta”, kurse Shqipëria hap kanatet për transferimin në vend të industrive ndotëse të fqinjëve. Qindra hektarë me pyje janë dënuar për t’u shkatërruar dhe kthyer në miniera të industrisë së çimentos vetëm disa kilometra në veri të Tiranës. Sipas një statistike të qeverisë britanike të vitit 2001, përqindja e hapësirave pyjore në Shqipëri ishte zvogëluar nga 36% në 16% vetëm brenda një dekade! Kjo përqindje duhet të jetë edhe më e vogël sot…
Rinia indiferente tiranase, që e kalon shumicën e kohës kafeneve apo bareve të ish-Bllokut, duhet të ketë parasysh se mungesa e pyjeve në vend i dëmton edhe ata, dhe se Fushë-Kruja është shumë më afër Tiranës sesa uzinat ndotëse të provincave fqinje me Pekinin. Sa i takon Fushë-Krujës, përmendet se kur një politikan u mat të ngrinte shqetësimin për shkatërrimin e pyjeve dhe ngritjen aty të fabrikave greke të çimentos, disa pjesëmarrës në takim e këshilluan ta harronte atë muhabet sepse “fabrikat na hapin vende pune”…
Mirëpo harrohet se Fushë-Kruja mund të fitojë shumë më tepër duke ruajtur pyjet, mjedisin dhe trashëgiminë e saj kulturore se sa duke i shkatërruar ato për të prodhuar çimento për eksport. Një Park Historik Kombëtar i Fushë-Krujës pikërisht në rajonin ku më se 500 vjet më parë Gjergj Kastrioti, prijësi i Arbrit apo i Epirit, theu trupat otomane në njërën prej betejave më të mëdha të shekullit, do të sillte aty qindra mijëra turistë dhe miliona lekë të ardhura për banorët vendas.
Përveç shqetësimit të ministrit të Kulturës të shprehur në KKRRT, është tronditëse që, deri më sot, asnjë shoqatë apo grup qytetarësh nga Fushë-Kruja, por edhe nga Kruja, Tirana apo Durrësi, nuk ka ngritur ende zërin për shkatërrimin e pritshëm të mjedisit e të trashëgimisë së tyre kulturore.
Sot në botë mbrojtja e mjedisit shikohet jo vetëm si një nevojë e ditës, por edhe si një detyrim për brezat pasardhës. Sipas një lajmi të Radios Publike Kombëtare amerikane të datës 23 maj 2008, Presidenti Bush parashikohet të shpallë si Monumente Natyrore Detare rreth 5 rajone të gjera brenda ujërave amerikane. Shpallja e monumenteve natyrore me dekret presidencial e ka zanafillën në “Ligjin e Trashëgimisë Kulturore” [Antiquities Law] të vitit 1906, i cili i njeh kreut të ekzekutivit tagrin që të shpallë si monumente kombëtare vende, vepra dhe objekte “me interes historik e shkencor”, duke i kthyer këto në zona rreptësishtë të mbrojtura dhe të përjashtuara nga veprimtaritë ekonomike, industriale etj.
Deri në 2006-ën ishin shpallur rreth 125 monumente kombëtare me një sipërfaqe prej rreth 400,000 kilometrash katrore, ose gati sa sipërfaqja e Suedisë.
Atë vit, Presidenti Bush shpalli krijimin e Parkut Monumental Kombëtar Detar të Havait, një nga hapat më të rëndësishme në historinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit në botë. Zona e mbrojtur e këtij parku mbulon rreth 360,000 kilometra katrore dhe aty përjashtohet çdo lloj derdhjeje e ndotjeje, çdo lloj trafiku anijesh naftëmbajtëse etj.
Sipas radios së sipërpërmendur, plani i ri për shpalljen si zona të mbrojtura e të paktën 5 rajoneve të tjera detare, që nga bregu i Floridës e deri në Ishujt Mariane në Oqeanin Paqësor, do ta cilësonte përfundimisht Bushin si presidentin e “kaltërt” të Amerikës.
Mirëpo, këto politika të rëndësishme të ruajtjes së mjedisit dhe trashëgimisë kulturore nuk janë përcjellë si duhet në Shqipëri. Edhe pse herë pas here bëhen deklarata dhe financohet ndonjë projekt i vogël në këtë lëmë, veprimet konkrete në terren flasin për një largim nga këto parime dhe politika. Ndonjë donator perëndimor mund të thotë se “kemi dhënë aq e kaq për aksh projekte etj., etj”. Porse shumica e ndihmave për mjedisin përfundon tek llogaritë e Qendrës Rajonale të Mjedisit [REC], një organizëm gjysmë-qeveritar gjysmë OJQ i rregulluar sipas ligjit hungarez që, deri më sot i ka shpëtuar llogaridhënies dhe kontrollit të organizmave të shoqërisë shqiptare. Përveç një buletini ditor dhe ndërmjetësimit të fondeve, kjo organizatë ka bërë fare pak për ngritjen e ndërgjegjes mjedisore në vend, nxitjen e pyllëzimeve, kundërshtimin me rrugë gjyqësore administrative të projekteve të dyshimta e të dëmshme etj.
Ndoshta fondet që i jepen asaj duhet të kalojnë drejtpërdrejtë nën administrimin e Ministrisë së Mjedisit sepse, të paktën, edhe dhënësit, por edhe qytetarët, do të kenë se kujt t’i kërkojnë llogari.
Ka edhe më. Para disa vitesh ishte pikërisht një shtetas i huaj i mbështetur nga zyra tregtare e një ambasade të huaj, që dëmtoi rëndë rërën e bregut në plazhet e Himarës, Vunoit dhe Dhërmiut, duke e vjedhur atë për plazhet e Korfuzit. Po ashtu, dy punonjës të huaj të një firme konsulence janë zanafilla e propozimit famëkeq për ngritjen e një TEC-i me bazë nafte në plazhin historik të Treportit në Vlorë, midis dunave të rërës dhe pyllit të pishave, dhe brenda zonës së mbrojtur të Lagunës së Nartës. Për fat, një shtetase amerikane me prejardhje nga Vlora i ka kërkuar zyrtarisht Agjencisë financuese amerikane të Tregtisë dhe Zhvillimit (TDA) që të hetojë punën e dy konsulentëve që paratë e tatimpaguesve amerikanë të mos shpërdorohen dhe gabime të tilla të mos përsëriten.
Në kuadrin e përqasjes së legjislacionit me të BE-së, qeveria shqiptare është angazhuar që deri në vitin 2009 sipërfaqja e zonave të mbrojtura të shkojë deri në 14% të territorit të vendit, dhe në një të ardhme afatmesme të dyfishohet. Mirëpo gjendja e tanishme kërkon zgjidhje dhe hapa të guximshme e të ngutshme, me synim ruajtjen e shëndetit publik, dhe të interesave të brezit të sotëm e të ardhshëm. Brezi ynë nuk ka kurrfarë të drejte që t’u përcjellë brezave të tjerë një Shqipëri të shpyllëzuar e me mjedis të shkatërruar. Për këtë, ndoshta administrata, por edhe shoqëria civile, do të duhej të merrnin parasysh:
Ndalimin me ligj të ngritjes në Shqipëri të industrive ndotëse që transferohen këtu nga vende fqinje;
Ndërmarrjen e një plani konkret dhe afatgjatë pyllëzimesh në të gjithë territorin e vendit, të shoqëruar me lehtësira tatimore për subjekte private që mbjellin dhe mbrojnë pyjet;
Vendosjen e një moratoriumi të paktën njëzetvjeçar për ndalimin e prerjes së pyjeve në vend, heqjen e tarifave doganore për importimin e lëndës së drurit dhe ndalimin me ligj të ndryshimit të destinacionit të zonave të djegura pyjore në troje ndërtimi;
Ndalimin e hedhjeve të mbeturinave të ngurta në lumenj dhe kufizimin e shfrytëzimit të tyre si lëndë e parë në ndërtim;
Rritjen e masave shtrënguese dhe ndëshkimeve të parashikuara në Kodin Penal ndaj individëve ose ndërmarrjeve që dëmtojnë mjedisin;
Ngritjen e një brigade të posaçme ajrore vendase për luftën kundër zjarreve dhe emergjencave të tjera civile duke u mbështetur tek përvoja e aviacionit ushtarak shqiptar;
Kthimin e Gjirit të Vlorës në një Monument Natyror Detar dhe zonë rreptësishtë të mbrojtur - sipas shembullit të Presidentit Bush- duke filluar nga vendzbarkimi i Qezarit tek Rrugët e Bardha në Palasë e deri në derdhjen e Vjosës;
Ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike (Konventa e Maltës);
Anulimin e Ligjit 9231 për koncesionet Petrolifera si një ligj, që bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit;
Hartimin dhe zbatimin e një planveprimi e kuadri lehtësues ligjor – sipas shembullit grek - për nxitjen e kërkimit shkencor, hapjen e vendeve të punës dhe prodhimin e përdorimin masiv të energjive të “gjelbërta” në vend.
Përndryshe, ky brez nuk do të dëshironte që të cilësohej ndoshta si më shkatërrimtari në historinë e shqiptarëve.