E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulon autorët e panjohur të letërsisë shqipe

Në një kohë kur debati për rishkrimin e historisë së letërsisë ende qëndron i çelur, në treg pritet të hidhet së shpejti një botim i veçantë. 

ANILA MEMA

Për herë të parë përkthehet dhe botohet në shqip “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”. I botuar në Palermo në vitin 1932 nga profesori i njohur italo-shqiptar, arbëreshi Gaetano Petrotta, vepra e tij, kjo histori e plotë e letërsisë shqiptare, që nga fillimet e saj dhe deri në vitet ’30 vjen e përkthyer nga Qemal Veliaj. Është një botim, me karakterin e një historie të popullit shqiptar, e gjuhës shqipe, që nga dokumentet e parë dhe deri tek librat e shkruar gjatë gjithë historisë deri në çastin e botimit. Vepra është po aq një histori e letërsisë shqipe, etnografisë, arkeologjisë dhe publicistikës shqiptare. Të gjithë këto atribute, që i mbart ky libër, të japin përshtypjen e një libri enciklopedik që i kushtohet kulturës, gjuhës dhe letërsisë në veçanti. Në vepër, Petrotta, ky njohës i mirë i letërsisë shqipe përfshin në të edhe ata autorë që kanë shkruar qoftë edhe një poezi, mes të cilëve zbulohen edhe një pjesë e mirë e autorëve shqiptarë e arbëreshë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk njihen. Veç Matrangës, Jul Varibobës, Frang Bardhit, Jeronim De Radës, Zef Skiroit etj., përfshihen edhe Agostino Ribeço (1867-1930), Zanoni (1863-1915), Antonio Santori (1819-1894), Terensio Toçi (1880), Kolë Thaçi (1886), Bernardo Bilotta (1843-1918) etj. Sipas redaktorit të veprës, e cila pritet të hidhet në treg shumë shpejt, Behar Gjoka, vepra mban vlera të veçanta për vetë faktin se përmbledh një bibliografi të gjerë, të plotë, të thelluar, të të gjithë librave dhe autorëve që janë marrë me gjuhën dhe letërsinë shqipe, nga nisja deri në momentin e botimit. E po aq edhe e studimeve të marra nga albanologë shqiptarë apo të huaj, në raport me gjuhën dhe letërsinë shqipe.
* * *
Por pse nuk është përkthyer në shqip deri më sot kjo vepër? Redaktori i kësaj vepre, e cila pritet që së shpejti të hidhet në treg, studiuesi Behar Gjoka, tregon se arsyet e mosbotimit të kësaj vepre janë të shumta. “Për shumë kohë ky libër është lexuar në italisht, si tregues i afrimitetit dhe parapëlqimit të lexuesit shqiptar ndaj italishtes dhe kulturës së saj, që zë fill me Dante Aligerin. Po aq edhe për shkak të nivelit të lartë të vështirësisë për ta sjellë në gjuhën shqipe, çka lidhet me citimet e autorit, në gjuhët frëngjisht, gjermanisht, latinisht, etj., aq sa pas viteve ’44, kohë që përkojnë me ardhjen e pushtetit të komunizmit, gjasat për ta kthyer në gjuhën shqipe këtë vepër “të ndaluar”, zvogëlohen dhe shkojnë drejt pamundësisë. Por arsyeja e mosarsyes gjendet edhe tek fakti që Gaetano Petrotta, gati e shpërfill biografinë dhe përmend Zef Skiroin si një anëtar aktiv së partisë të Mussolinit, përmend Faik Konicën, ambasadorin e Mbretit Zog, Gjergj Fishtën, armikun sllavëve dhe pa përjashtim të gjithë autorët e kohës”, tregon ai.
* * *
Ndërkohë në vepër nuk janë të pakta edhe kritikat që Gaetano Petrotta mbart kundrejt Naim Frashërit, veprës më të njohur të tij “Bagëti e Bujqësi”, apo ndaj Jeronim De Radës. Italo-arbëreshi Gaetano Petrotta, doktor me titull në letërsi, me këtë libër ka realizuar një model, se si duhet shkruar një histori letërsie, me kritere kronologjike dhe të mendjes së të gjithë autorëve të veprave, deri në ditën e botimit, por duke iu vënë në dukje, qoftë vlerat, qoftë mungesat e tyre. Ndaj duke qenë arbëreshë, ajo që të bie në sy në këtë botim të rrallë është njohja më e plotë, më e thelluar e krahut të letërsisë arbëreshe duke filluar që me Matrangën, Jul Varibobën, De Radën, Skiroin, e padyshim të gjithë autorët e mëdhenj apo minorë të kësaj dege me mjaft vlera të letërsisë shqipe. Sipas Gjokës, në këtë kuptim, të bie në sy fakti i një analize kritike të veprave të De Radës, të cilin herë-herë, Petrotta edhe e kritikon për mungesat letrare. “Po kështu në rastin e analizës së poezisë së Naim Frashërit, vë re vlerat atdhetare, por nuk kursen kritikën në mungesat letrare të pranishme”, shton ai, duke theksuar me të madhe se ky libër është nga ato makete udhëzues për akademikët tanë, por me vlera të jashtëzakonshme edhe për lexuesin e thjeshtë që kërkon të dijë diçka për historinë, për mbijetesën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre në këto troje.

Petrotta, kritikë ndaj Naim Frashërit

Në vitin 1886, Naim Frashëri botoi poemën didaktike “Bagëti e Bujqësi”, në të cilën i këndon bukurive natyrore të Shqipërisë, blegtorisë dhe bujqësisë. Ajo ishte rishtypur në vitin 1910 në Selanik, ku doli gjithashtu me pjesë në vijim në gazetën “Lirija”, që drejtohej nga Kristo Luarasi, nga 17 prilli 1910 (viti II), dhe më së voni u botua në Korçë (1923). Kjo poemë, e cila ka ndihmuar mjaft që të zgjojë mes shqiptarëve adhurimin për tokën mëmë dhe mëndeshë e njeriut, është gjykuar kryevepra e tij për madhështinë dhe bukurtingëllimin e vargut, për pastërtinë e gjuhës, për përshkrimet e gjalla, për ndjesinë mbizotëruese të natyrës që vjen nga çdo pjesë e kësaj vepre poetike, që mund të numërohet ndër krijimet më të bukura letrare shqiptare. “Lulet e verës”, botuar për herë të parë në Bukuresht në vitin 1890 dhe rishtypur më pas shumë herë, është një vëllim që përmban poezi të hijshme dhe të freskëta, të cilat lexohen përherë me kënaqësi të ndjeshme, dhe prandaj janë riprodhuar në përmbledhje e antologji dhe u janë dhënë si lexim të rinjve nëpër shkolla. Vepra të tjera të Naim Frashërit janë përmbledhja me poezi të ndryshme, “Parajsa dhe fjalë fluturake”, botuar në një vëllim me 126 faqe, nën titullin “Mësime”, prej të cilave 60 faqet e para në prozë në vitin 1894 në Bukuresht; “Iliadhe e Omirit” (përkthim i librit I të Iliadës) - Bukuresht 1896, dhe Qerbelaja - Bukuresht 1898, nën kujdesin e Shoqërisë “Dituria”. Po në vitin 1898, në Bukuresht qe botuar në një vëllim me 312 faqe, poema e titulluar “Istori” e Skënderbeut, e hartuar me 22 këngë në vargje tetërrokësh të bashkuar në katërvargësh me rimë të kryqëzuar. “Ky është libri më i lexuar mes shqiptarëve” dhe “nuk ka pothuaj shqiptarë toskë - shkruan prof. Skiroi - i cili nuk mund të mos dijë përmendësh ndonjë pjesë të kësaj poeme (12.000 vargje) që, edhe pse nuk është aspak pa të meta mjaft të rënda nga pikëpamja artistike, megjithatë ka vlerën e pallogaritshme të një pastërtie të gjuhës dhe veçanërisht të një thjeshtësie të veçantë të shprehjes, që, pa u shkëputur hera-herës nga një lloj hovi lirik, vjen në mënyrë të atillë sa kënga merr një fizionomi pothuaj krejtësisht me frymë popullore. (Pjesë e shkëputur nga vepra e Petrottës)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›