E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edhe pas 2014 përkrah SHBA-ve dhe aleatëve në Afganistan”

25-02-2013 / Gazeta 55

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami në takimin vjetor të ministrave të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami në takimin e radhës së ministrave të Mbrojtjes së Aleancës së Atlantikut,  në Bruksel,  shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të kontribuar me personel trajnues për ngritjen e forcave afgane të sigurisë, si dhe në operacionet e stabilizim-rindërtimit në periudhën pas vitit 2014.
Gjatë diskutimeve të tij në seancat e takimit të ministrave të Mbrojtjes së NATO, ministri i Mbrojtjes Arben Imami e vuri theksin në kontributin e Forcave të Armatosura të RSH për plotësimin e detyrimeve si vend anëtar i Aleancës dhe shprehu pikëpamjet e vendit tonë lidhur me çështjet e diskutuara në takim.
Ndërkohë për çështjet e edukimit dhe stërvitjes të cilat ai theksoi se duhet t’i shërbejnë ruajtjes së eksperiencës së fituar në operacionet e drejtuara nga NATO, veçanërisht operacionit të ISAF, si dhe të shërbejnë si bazë për t’u përgatitur për sfidat e reja me të cilat do të përballet Aleanca në të ardhmen.
Ndër të tjera, Ministri Imami vuri në dukje  gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të kurrikulave të përgatitjes së personelit të shtabeve të NATO. Lidhur me operacionin ISAF, evidentoi kontributin e Forcave të Armatosura të RSH në këtë operacion. Ai përsëriti angazhimin e vendit tonë për të vijuar pjesëmarrjen deri në përfundim të operacionit ISAF dhe të procesit të tranzicionit të filluar dy vjet më parë, për kalimin e përgjegjësisë së sigurisë në Afganistan tek forcat vendase.
Ministri Imami shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të kontribuar me personel trajnues për ngritjen e forcave afgane të sigurisë, si dhe në operacionet e stabilizim-rindërtimit në periudhën pas vitit 2014.
Takimi i radhës së ministrave të Mbrojtjes së Aleancës së Atlantikut, mbajtur në Bruksel në datat 21-22 shkurt 2013, në shtabin e NATO, u fokusua në çështjet e kapaciteteve të mbrojtjes, ndërveprimit, kontributeve në fondin e përbashkët të NATO, zgjerimit të bashkëpunimit shumëpalësh dhe pjesëmarrjes në stërvitjet e NATO, përgatitjet për tranzicionin në Afganistan dhe forcimit të bashkëpunimit NATO-Ukrainë etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›