Së shpejti në Shqipëri, shërbimi i teknologjisë 4G
Berisha: “Shqipëria mobile”, projekti i qeverisë për katër vitet ardhshme
Teknologjia 3G u shtri në të gjithë vendin dhe pas saj qeveria do implementojë së shpejti teknologjinë 4G. Kështu shprehet kryeministri Sali Berisha në rrjetin social Facebook, duke shpallur projektin e katër viteve të ardhshme, “Shqipërinë mobile”. “Të dashur miq! Gjatë vitit 2012 numri i përdoruesve të internetit nëpërmjet rrjeteve celulare 3G arriti në rreth 308 mijë abonentë krahasuar me zero përdorues në vitin 2005. Vetëm brenda dy viteve të fundit arritëm të kemi në treg 3 kompani celulare me teknologji 3G, të cilat ofrojnë Internetin me shpejtësinë më të lartë dhe në të gjithë Shqipërinë”, shkruan Berisha në profilin e tij në këtë rrjet social. Por ndërkaq vjen dhe nisma e re e ekzekutivit. “Shumë shpejt qeveria do t’i hape rrugën kompanive celulare 3G në Shqipëri që të implementojnë teknologjitë 4G në frekuencat aktuale, gjë që do bëjë të mundur të merrni në celularët tuaj internet prej 100 Mbps. M-Albania, Shqipëria mobile, është projekti ynë për katër vitet që vijnë”, përfundon Berisha.
...