Edhe pas ekspertizës së FBI, PD i quan heronj gardistët që vranë katër protestues
“Heronj të mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve të vendit” vazhdon ti konsiderojë Partia Demokratike gardistët e akuzuar për vrasjen e katër protestueve në bulevardin Dëshmorët e Kombit me 21 janar të vitit 2011-të. PD gjithashtu i është rikthyer perifrazimit shoqja e bulevardit ndaj kryeprokurores.
Fatbardh Kadilli, deputeti i Partisë Demokratike në një deklaratë për shtyp në emër të PD-së akuzoi Prokuroren e Përgjitshme Ina Rama për spekulim me ekspertizën e FBI-së.
“Mediat e shkruara dhe ato elektronike denoncuan sot, serialin e mashtrimeve të Prokurores së Përgjithshme, me të cilat ajo faktoi edhe një herë se është thjesht “shoqja e bulevardit”. Nuk do të ndalem në trillimet dhe mashtrimet e saj – se me datë 22 janar, në orën 4 të mëngjesit Edi Rama, që kërkonte në mënyrë ultimative arrestimin horrave të Gardës, e heronjve që mbrojtën Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke i cilësuar si persona shoqërisht të rrezikshëm, ekzaktësisht siç shprehet kryeprokurorja publikisht dhe në akuzë, u deklaroi shqiptareve se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i ka thënë në telefon Prokurores së Përgjithshme se nuk do të ekzekutojë vendimet pasi aty ka lapsus, duke dëshmuar kështu bashkërendimin e ngushtë midis tyre, tha Kadilli.
PD e akuzon Ina Ramën se spekuloi me ekspertizën e FBI-së pasi në ekspertizën e FBI nuk bëhet fjalë për vrasje me dashje, por për të shtëna vdekjeprurëse.
Kryeprokurorja gjatë intervistës në emisionin opinion u shpreh se besonte që vrasja e Faik Myrtajt nga Ndrea Prendi është kryer me dashje por nuk tha për asnjë moment se kjo ishte nga ekspertiza e FBI-së.