Presidenti Topi mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Mjeshtër i Madh, profesor Muzafer Xhaxhiu
Presidenti Bamir Topi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta në moshën 91-vjeçare të filologut, poetit, studiuesit dhe pedagogut të letërsisë së lashtë latine e greke, Muzafer Xhaxhiu.
“Profesor Xhaxhiu do të mbetet i pashlyeshëm për virtytet e rralla njerëzore, për personalitetin e spikatur dhe për përkushtimin e pasionin ndaj studimit të letërsisë dhe përgatitjes së brezave të tërë letrarësh e shkrimtarësh, të cilët i brumosi me dashurinë për artin e bukur të të shkruarit. Ndarja e tij nga jetë ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjarët e të afërmit, por edhe për bashkësinë akademike dhe letrat shqipe theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të Shtetit.
* * *
Është ndarë sot nga jeta në moshën 91-vjeçare Mjeshtri i Madh, profesor Muzafer Xhaxhiu. I diplomuar në Beograd dhe në Moskë për letërsinë klasike greke dhe latine, jeta e tij i është kushtuar gjithmonë klasikëve të mëdhenj të njerëzimit.
Si studiues profesor Muzafer Xhaxhiu do të punonte për etnogjenezën e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve.
Krijimtaria letrare e tij përmendet që nga “Lirikat” në vitin 1957 dhe deri në “Këngët e Mjellmës”, botim i vitit 1999. Ndërsa, dy nga veprat e tij më të spikatura janë “Letërsia antike greke” dhe “Letërsia romake”.
