E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe renditja kundër Hanit, humbjet na fundosën 11 vende

Humbjet me Hungarinë dhe Danimarkën kanë bërë që Shqipëria të bjerë në vendin e 91 në klasifikimin e FIFA-s në kuotën e 390 pikëve, 30 pikë më pak se një muaj më parë. Kuqezinjtë kanë humbur 11 pozicione nga renditja e muajit mars, duke pasur një paraqitje më të dobët se Malta, që bazohet te pikët e humbura. Ari Han, në një prononcim të tijin për shtypin holandez, ishte krenuar se "punën time të mirë me Shqipërinë e tregon edhe renditja e FIFA-s, ku e mora në vendin e 76 dhe e çova në të 65-in. Tashmë mes të tjerësh, edhe kjo renditja është kundër Ari Han. E mori ekipin në vendin e 76, që kur nisi të drejtonte Shqipërinë në miqësoren e 27 majit 2008 me Poloninë. Ecuria e keqe e kuqezinjve ka bërë që të mos fitohet jashtë, që prej 6 qershorit të 2007-ës, kur mundnim Luksemburgun 3-0, në stol me Oto Bariç. Në renditjen kontinentale, atë të UEFA-s, Shqipëria është sërish e 39-a (-2 vende) nga 53 vende anëtare të qeverisë së futbollit evropian. Për sa u përket kundërshtarëve të Grupi 1 të Eliminatoreve të Botërorit 2010, edhe Portugalia ka humbur një pozicion në renditjen e FIFA-s (është e 11-ta). Danimarka (e 29-ta) ka shkëmbyer vendet me Suedinë (e 33-të). Suedezët kanë zbritur 8 vende. Hungaria ngjit 4 vende (e 44-ta). Malta zbret 5 vende (e 151-ta).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›