E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA dhe përse duhet zgjerimi i NATO-s

Ditët që vijnë, kur entuziazmi dhe fanfarat e anëtarësimit në NATO, të kenë rënë në qetësi, shumë nga ne do të shtrojnë pyetjen: Përse ne na duhej anëtarësimi? Përse u duhej atyre që ishin brenda një anëtar i ri? Aq më tepër që zgjerimi me anëtarë të parëndësishëm për nga potencialet ushtarake, mund ta bëjë organizatën të pamenaxhueshme. Pse krijuesit e saj janë të interesuar për mbajtjen gjallë dhe rritjen e këtij dinozauri të trashëguar nga Lufta e Ftohtë?

Kur në vitin ‘49 të shekullit të kaluar u themelua Pakti i Atlantikut, gjysma e Evropës ishte nën pushtetin e flamurit me drapër e çekan të Armatës së Kuqe. Për më tepër, partitë komuniste në Perëndim, gëzonin një fetë të konsiderueshme në elektorat dhe ishin të bindura ndaj direktivave të Moskës. Ndaj, Shteteve të Bashkuara u duhej t‘i tregonin botës komuniste që qeverisej me dorë të hekurt nga Uncle Joe (xhaxha Xho-nofka amerikane për Stalinin), se Uashingtoni kishte vendosmërinë dhe vullnetin të mbronte edhe me armë, vendet që u caktuan në zonën e influencës, në Konferencën e Jaltës, dhe rendin shoqëror që ato gëzonin.

Për fat të mirë, Aleancës, gjatë Luftës së Ftohtë, asnjëherë nuk iu desh të përdorte forcën për të mbrojtur objektivat, për të cilat ishte krijuar. Udhëheqësit komunistë rezultuan se u dhimbsej lëkura, po aq sa vdekatarët e tjerë të zakonshëm, që t‘u hynin luftërave ku do përdoreshin armët atomike. Komunizmi erdhi me luftë dhe iku paqësisht, duke vënë në pikëpyetje nëse NATO do të ekzistonte në të ardhmen dhe nëse po, me ç‘mision. Shumë parashikonin shkrirjen e saj. Por fakti se NATO ishte i vetmi institucion ku Shtetet e Bashkuara ulen në të njëjtën tryezë me aleatët, ishte faktori nismëtar që ndihmoi në ruajtjen e organizatës. Vitet që erdhën e bënë të nevojshme edhe për faktorë të tjerë.

Pas vitit 1989, në selinë e organizatës në Bruksel, vërshoi një lumë kërkesash nga evropiano-lindorët, ish-anëtarë të Paktit të Varshavës, të cilët ishin gati të falsifikonin çdo dokument mbi të kaluarën dhe të mbushnin çdo formular, mjaft të ishin pjesë e organizatës. Dalëngadalë, organizata mori më tepër karakter politik. Këtë e jep sot qartë bilanci ushtarak i Aleancës dhe i kundërshtarëve hipotetikë përballë saj, bilanc që vërteton se balanca e peshores është e zhvendosur shpërpjesëtimisht nga ana e aleatëve dhe arsyeja e mbijetesës në ditët e sotme është thjesht politike. Nga anëtarët përbërës të Aleancës, SHBA-të shpenzojnë për luftën 650 miliardë USD, ose sa gjithë bota së bashku. E ndjekin aleatët e saj më të ngushtë. Në vend të dytë të klasifikimit botëror vjen Anglia me 59.7 miliardë dollarë; më tej Franca me 53.6 miliardë dollarë, Japonia me 43.6 miliardë (nuk është anëtare e NATO-s, por e simotrës së saj për Azinë, SEATO, që kryesohet po nga SHBA); e pastaj Gjermania me 36.9 miliardë dhe Italia me 33.1 miliardë dollarë.

Ata që mund të quhen konkurrentët ushtarakë më të afërt të kësaj aleance të pashoqe në historinë e njerëzimit, janë Kina që shpenzon 58.7 miliardë dollarë (vendi i tretë në klasifikimin botëror) dhe Rusia me 35.4 miliardë (vendi i shtatë në po të njëjtin klasifikim).

Përveç anës sasiore, Aleanca e Perëndimit ka edhe supremacinë teknologjike po të kihet parasysh fakti se Rusia ka vetëm 20% të teknikës të krahasueshme me standardet bashkëkohore, duke e detyruar të planifikojë 186 miliardë dollarë amerikanë për 6 vitet e ardhshme pikërisht për përshtatjen e armatimit. Ndërsa Kina, për shkak të bllokadës të SHBA-ve për ngjarjet e sheshit Tien An Men të vitit ‘89, ende detyrohet të rinovojë teknikën e saj nëpërmjet spiunazhit teknologjik ose përshtatjes së armatimit ish-sovjetik.

Po atëherë, pse i duhen Aleancës shtetet e vogla? Kujt i hynë në punë aleatë, me armatim e teknikë demode, numër të vogël ushtrie dhe shpenzime për mbrojtjen, që afrohen me ato që "US Army" ////////////shpenzon për mbajtjen në eficencë të një divizioni të karrocuar? Asnjë nga këta aleatë minorë nuk është i nevojshëm për sigurinë e SHBA-së, dhe siç treguan ngjarjet e verës së kaluar në Gjeorgji, pavarësisht se të trajnuar dhe pajisur me bujari nga amerikanët, ushtarakisht gjeorgjianët nuk ishin në gjendje t‘u bënin ballë 10 mijë këmbësorëve rusë, të mbështetur nga një aviacion me shkëlqim të bjerrur, krahasuar me periudhën sovjetike. Këto të dhëna i dinë shumë mirë gjeneralët e Pentagonit, politikanët e Kapitol Hill-it dhe aleatët e tyre. Por vitet që jetojmë nuk kanë të krahasuar qoftë edhe me 20 vjet më parë, kur kundërshtarët përballeshin mes tyre me ushtri konvencionale, të cilat luftonin me rregulla, që për 4000 vjet histori u kishin ndryshuar vetëm teknikat, por jo parimet. Sot ushtri superteknologjike detyrohen të ndeshen në një luftë asimetrike me kundërshtarë të pajisur me AK47, të blera për 40 dollarë në tregun e zi, por po aq të rrezikshëm e vdekjeprurës sa armatimet moderne me sensorë laser. Ky kundërshtar fshihet mes popullsisë civile dhe eliminimi i tij shkakton viktima të pafajshme, të cilat trondisin opinionin publik.

E këtu hynë në lojë masmediat, që gjithashtu kanë evoluar me hapa kolosalë. Në Luftën e Parë të Gjirit Persik, në vitin ‘91, u desh një gjigant si CNN për të bërë të mundur luftën direkte. Sot këtë mund ta bëjë çdo adoleshent, që ka një celular me kamerë dhe e shkarkon filmimin në "Youtube", duke e bërë në çast pronë të publikut. Lufta na vjen pranë në kohë reale, duke na dhënë përshtypjen se jetojmë në një botë mes flakëve, megjithëse krahasuar me vitet 1990, luftërat në botë janë ulur me 60%. Rrjedhimisht, në ditët e sotme, kur armët janë gjithmonë e më shumë vrasëse dhe pamjet e luftës na vijnë brenda pak sekondash në dhomën e ndenjes, hapja e një lufte nga një fuqi perëndimore ose SHBA, kërkon medoemos konsensusin e opinionit publik. Dhe që ky opinion publik të japë konsensusin, duhet të bindet se kauza është e drejtë dhe ka mbështetjen e vendeve me të cilët ndan të njëjta vlera. Vitet e jetës së Aleancës kanë treguar se Shtetet e Bashkuara, rrallëherë, në mos fare, kanë pasur nevojë për kapacitetet ushtarake të aleatëve. Në fushën e betejës, amerikanët kanë preferuar të kenë në krah aleatët e tyre anglisht-folës britanikë, australianë e kanadezë. Edhe në beteja si ajo e Kosovës, aviacionit aleat iu la detyrë mbështetëse dhe trupave të tyre, detyra policore pas armëpushimit. Në luftën afgane, aleatët jo anglisht-folës kanë detyra trajnuese ose logjistike, ndërsa betejat në terren bëhen nga rangers-at amerikanë, të shoqëruar nga SAS-ët britanikë.

Në shikimin e gjithë këtij kuadri është e kuptueshme se roli i Aleancës është më shumë i rëndësishëm nga pikëpamja politike. Shteteve të Bashkuara u duhet një organizatë, e cila të mbështesë politikat e saj botërore. Edhe nëse një aleat e kundërshton, siç ka ndodhur së fundi gjatë luftës në Irak, për amerikanët, e rëndësishme është që një numër sa më i madh vendesh të mbështesin politikat e tyre dhe jo pesha ekonomike dhe ushtarake e mbështetësve.

Gjithashtu, një peshë të rëndësishme në konceptin strategjik amerikan ka vazhdimësia e territorit. Kufijtë e NATO-s dhe vlerave që ajo përfaqëson nuk mund të shtrihen, duke lënë pas xhepa që nuk janë nën kontrollin e gjeneralëve të yllit katërcepësh të Atlantikut. Sot, përveç disa njollave që përfaqësojnë Suedinë, Zvicrën, Austrinë, Serbinë dhe Maqedoninë, pjesa tjetër e Evropës është e mbuluar nga flamuri blu i ngulur në Bruksel. Gjithë ky uniformitet nuk ka rëndësi nga pikëpamja strategjike, pasi vështirë që në shekullin e ardhshëm Kremlini të mendojë një ofensivë ushtarake drejt Perëndimit, por i krijon mundësi Uashingtonit të kontrollojë me sa më pak kokëçarje një territor djep trazirash në të shkuarën, e të përqendrojë vëmendjen dhe forcat e tij në Azi, ku do jenë konkurrentët dhe ndoshta kundërshtarët e ardhshëm të fuqisë amerikane.

E duke u kthyer në anëtarësimin tonë mund të thuhet pa frikë se Aleancës asnjëherë nuk kanë për t‘iu dashur kapacitete tona ushtarake, përveç rasteve kur duhet të jemi prezent për arsye simbolike. Sado sforco të kërkojë nga ana jonë kjo prezencë, përfitimet afatgjata do jenë shumë herë më të mëdha. Sa për ilustrim: Nuk do jetë e largët dita që certifikata e marrë në Strasburg të na hapë dyert e Bashkimit Evropian. Por nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se vota jonë duhet të jetë gjithmonë pro-amerikane. Nëse e kemi kuptuar këtë, kemi siguruar paqe e prosperitet dhe për njëqind vitet që vijnë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›