E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transporti rrugor në 85-vjetorin e tij

Më 10 prill 2009, shërbimi i transportit rrugor kremton 85-vjetorin e themelimit të tij. Sipas dokumenteve që disponon Arkivi i Shtetit, me propozim të Ministrisë së Punëve Botore dhe Bujqësisë, Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar, më 10 prill 1924 miratoi dekret-ligjin "Mbi shërbimin e automobilave dhe të çdo qerreje me fuqi motori". Dekret-ligji përmbante disa nene të firmosura nga disa ministra të asaj kohe dhe zv/kryeministri, njëherazi edhe Ministër i Punëve të Jashtme, Sulejman Delvina. Ky dekret shoqërohej nga disa akte nënligjore. Sipas tij, qerre quheshin automjetet me fuqi motorike, si automobilat, motoçikletat, traktorët dhe çdo qerre me motor që punon në ambiente publike. Ligji përcaktonte dokumentet që duhej të kishte drejtuesi i qerres, si leja e veprimit (leje-qarkullimi), leja e shoferit (patenta). Gjithashtu, përcaktonte edhe sanksionet në rast shkeljeje të rregullave të qarkullimit. Në rregulloren që shoqëron këtë ligj ishin të përcaktuara edhe tarifat e shërbimeve në franga ari për patenta, targa, leje qarkullimi etj. Në vitin 1926, numri i qerreve me motor në Shqipëri, sipas prefekturave, ishte: Shkodra 47, Tirana 85, Durrësi 70, Elbasani 25, Berati 33, Vlora 21, Korça 119, Gjirokastra 83. Në një dokument që Ministria e Jashtme u dërgonte ambasadave të huaja në Shqipëri, rezulton se numri i mjeteve, deri më 1930-ën, sipas tipave ishte:

Viti 1927

Amerikane 426, franceze 5, gjermane 99;

Viti 1928

Amerikane 542, franceze 47, gjermane 60;

Viti 1929

Amerikane 701, franceze 47, gjermane 220;

Viti 1930

Amerikane 288, franceze 27, gjermane 238.

Pas viteve 1930 hynë edhe automjete për transport mallrash e udhëtarësh, si dhe u ngrit një servis i vogël që kryente shërbimet e tyre.

Pas çlirimit, në vitin 1944, krahas shtetëzimit të mjaft pasurive, u shtetëzuan edhe automjetet e transportit dhe autoveturat. Më 1946, u krijua shoqëria "Bashkimi i Transportit Automobilistik". Me inventarin e automjeteve të transportit të mallrave u krijua parku i parë i Durrësit dhe më vonë u krijuan në Tiranë, Korçë e gjetkë. Me krijimin e parqeve lindi nevoja e një administrate për menaxhimin e atij inventari që u quajt ATASH, me degët përkatëse në rrethet ku kishte parqe. Me shtimin e inventarit të mjeteve doli si nevojë hartimi i politikave në fushën e transportit, ndaj në fillim të vitit 1948 u krijua Ministria e Transportit. Nga viti 1948 deri më 1990 është e qartë që ekonomia ishte e centralizuar dhe numri i automjeteve ishte mjaft i kufizuar. Deri më 1990-ën numëroheshin 30 mijë automjete. Autoveturat ishin të pakta në numër, për shkak se nuk ekzistonin autovetura private. Deri atëherë, shërbimet e transportit kryheshin pjesërisht nga ndërmarrja e kontroll-shfrytëzimit të automjeteve me qendër në Tiranë dhe degë nëpër rrethe. Në ambientin e asaj ndërmarrjeje ishte shërbimi i kontrollit teknik të të gjithë automjeteve dhe kontrolli i shfrytëzimit të tyre. Pjesa tjetër e shërbimit kryhej nga strukturat e Ministrisë së Brendshme (policore), si kurset e shoferëve, që mbaheshin monopol edhe pas vitit 1990, lejet e drejtimit (patentat), lejet e qarkullimit, patentat ndërkombëtare etj. Ndërsa kontrolli fizik i automjeteve kryhej nga doganat.

Siç shikohet, shërbimi ishte shumë burokratik, shtrihej në shumë institucione dhe me dallime esenciale në cilësi. Me kalimin e viteve, një nga detyrat e rëndësishme të këtij shërbimi ishte përafrimi i saj me shërbimet e vendeve të Bashkimit Evropian, gjë që diktoi nevojën e hartimit të legjislacionit bashkëkohor. Kështu, më 22 korrik 1998 u miratua në Parlament Kodi Rrugor dhe ky shërbim hyri në rrugën e modernizimit, duke u kthyer në një institucion civil dhe duke u shkëputur një herë e përgjithmonë nga strukturat policore. Për hartimin e Kodit Rrugor, që rregullon këtë shërbim, punuan një grup specialistësh, si Salvador Franja, Thimio Plaku, Muharrem Kurçuku, Qamil Sadiku, Qirjako Kamenica, Hysni Malko etj., të cilët meritojnë vlerësime për punën e mirë.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 343, datë 21 korrik 1999, u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) me 12 drejtori rajonale qarku dhe disa filiale. Gjatë kësaj periudhe u bë një përmbysje totale e këtij shërbimi, duke filluar nga hartimi i legjislacionit, rregulloret për përcaktimin e detyrave dhe të drejtave të çdo punonjësi dhe mjaft probleme të tjera që lidheshin me këtë shërbim. Disa nga drejtuesit, që kanë dhënë kontribut të vyer për përmirësimin e shërbimit, janë ish-ministri i Transporteve dhe drejtor i përgjithshëm i këtij shërbimi, Salvador Franja, Irini Gjevani, Drini Kryemadhi, Hysni Malko etj. Pas vitit 2002 e në vazhdim teknologjia e shërbimit ndryshoi. U përmirësuan ndjeshëm standardet e këtij shërbimi, duke i bërë ato të krahasueshme me vendet e zhvilluara të Evropës:

- u morën specialistë me arsim të lartë dhe u trajnuan jo vetëm brenda sistemit, por edhe jashtë shtetit. Kjo solli ndryshim konceptual të shërbimit;

- si rezultat i përpjekjeve kundër punës informale dhe shfrytëzimit të të gjitha kapaciteteve u rritën të ardhurat, duke krijuar premisa për investime aq të domosdoshme për shërbime;

- u investuan rreth 6 milionë dollarë në objekte, pajisje e makineri.

Në këtë mënyrë u rikonstruktuan drejtoritë rajonale dhe filialet në Korçë, Tiranë, Peshkopi, Shkodër, Fier, Burrel, Gjirokastër, si dhe u ndërtuan krejtësisht të reja e moderne drejtoritë rajonale në Vlorë, Elbasan, Durrës e Sarandë, me shpenzime minimale. U vendosën në të gjitha rajonet linjat e kontrollit teknik të markës "Maha" gjermane, pajisje këto që i disponojnë vende si Suedia, Danimarka etj. U montuan ndërkaq pajisjet e gazrave, u krye informatizimi i të gjithë sistemit me programe bashkëkohore. Në këtë mënyrë, shërbimi u bë bashkëkohor. Një revolucion i vërtetë u bë me ndryshimin e të gjithë dokumentacionit. U prodhua për herë të parë leja e re e drejtimit (patenta), e modelit të Bashkimit Evropian, patenta ndërkombëtare dhe leja e qarkullimit me elemente sigurie, certifikata e pronësisë etj. Reformat e thella të realizuara në sistem bënë që këto shërbime të bëhen moderne dhe bashkëkohore. Për realizimin e gjithë kësaj reforme dhe sipërmarrjeje punuan me përkushtim drejtuesit: Shpëtim Cami, Hajredin Tahiri, Ilir Rama, Vladimir Hodaj, Kozeta Gina, Muhamet Haxhia, Paskal Mango, Kreshnik Brasha, Petraq Stratobërdha e shumë e shumë të tjerë. Tashmë në Shqipëri numërohet një inventar prej 300 mijë automjetesh, produkt i këtij shërbimi. Sa më i mirë të jetë ky shërbim, aq më shumë rritet e forcohet siguria rrugore dhe ulet numri i aksidenteve me pasojë vdekjen.

Përvjetori i 85-të i këtij shërbimi e gjeti Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor me një bilanc mjaft pozitiv dhe të gjithë ata që kontribuuan për përsosjen e këtij shërbimi kanë të drejtë të krenohen, sepse ky shërbim mund të thuhet me mburrje që e ka marrë prej kohësh pasaportën e Bashkimit Evropian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›