Erkand Qerimaj, kampion Evrope në shtytje dhe argjend në dygarësh
Erkand Qerimaj vazhdon paraqitjet e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare. 21-vjeçari nga Shkodra është shpallur kampion i Evropës në stilin e shtytjes në aktivitetin që po mbahet në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, ndërkohë që fitoi edhe medalje argjendi në dygarësh (e përkthyer ndryshe nënkampion i kontinentit). Qerimaj garoi gjatë pasdites së djeshme, në kategorinë 77 kg dhe menjëherë tregoi ambiciet për medalje. Megjithatë, në stilin e shkëputjes jo gjithçka ka shkuar sipas planeve. Edhe pse kishte kërkuar ta fillonte garën me 149 kg, duke parë ecurinë e kundërshtarëve, peshëngritësi kuqezi dhe stafi teknik ndryshuan strategji. Ai u paraqit në pedanë me peshën 152 kg, të cilën e ngre pa shumë probleme. Edhe pse ndodhej në pozita mjaft të mira, kur mungonin edhe dy prova, Qerimaj ka kërkuar të sigurojë të paktën medaljen e argjendit. Kjo bëri që të provonte peshën 156 kg, por dështoi në të dyja tentativat. Medalja e arit në shkëputje u fitua nga rusi Ivanenko, me 156 kg, pas tij u rendit Nikolai Çarniak me 155 kg, ndërsa i treti ishte sllovaku Guman, që ka humbur duelin me bjellorusin për medaljen e argjendtë, për shkak të peshës më të rëndë trupore. Krejt e ndryshme paraqitja në konkurrimin në stilin e shtytjes. Erkand Qerimaj dhe Çarniak nga Bjellorusia kanë "luftuar" deri në fund, por peshëngritësi shkodran triumfoi. Në provën e parë kuqeziu ngriti 186 kg, ndërsa në të dytën mes vështirësive ai kaloi tentativën me 190 kg. Në provën e tretë, Qerimaj kërkoi 192 kg, duke mos e realizuar ngritjen, megjithatë për fatin e tij të mirë Çarniak u ndal në peshën 189 kg. Medalje ari për shqiptarin dhe titulli i kampionit të Evropës në shtytje. Medalja e bronzit në këtë stil u fitua nga polaku Çrushievizh. Në klasifikimin final, atë të dygarëshit, Qerimaj humbi duelin me Çarniak vetëm për 2 kg. Bjellorusi u shpall kampion i Evropës në peshën 77 kg me një total prej 344 kg, ndërsa 21-vjeçari ngriti 342 kg.
Interesant është fakti se Erkand Qerimaj ka fituar në Evropianin 2009 një medalje ari dhe një argjendi duke ngritur 3 kg më pak se në aktivitetin e vitit 2008, kur me 345 kg ai nuk arriti më shumë se vendi i katërt. Pavarësisht kësaj, me këto rezultate ai ngre numrin e titujve që ka fituar për Shqipërinë. Në vitin 2002 sportisti 165 centimetra i gjatë u shpall kampion i trefishtë Evrope në peshën 50 kg për U-17. Një vit më pas ai u përsërit me tre medalje ari në peshën 56 kg për U-17, ndërsa në vitin 2004 fitoi një medalje bronzi në Evropianin 2004 në peshën 62 kg. Në vitin 2005, Qerimaj u shpall nënkampion Evrope në kampionatin U-17 në peshën 69 kg dhe për të rinj. Ai mban edhe titujt si kampion bote në stilin e shtytjes dhe nënkampion në dygarësh në Kampionatin Botëror të të Rinjve të vitit 2006.