E Diel, 1 Nëntor 2026

INDUSTRIA E PROBLEMEVE

I përdorur mbi katër vjet më parë në të njëjtin kontekst nga një koleg, ky titull është tërësisht i riciklueshëm edhe sot. Sepse katër vjet më vonë, gjendemi në të njëjtën situatë përballë të njëjtave probleme. Dhe ka të bëjë pikërisht me problemet në vetvete. Pa guxuar të filozofoj mbi termin apo kuptimin, vlen megjithatë të përmendet se për sa kohë të ketë njerëz do të ketë probleme. Këtë e dinte mirë edhe shoku Stalin kur deklaroi: "Vdekja i zgjidh të gjitha problemet. Pa njeri - s‘ka problem". Por problemet janë pafundësisht të larmishme në varësi të kohës, vendit, kombësisë, komunitetit e kulturës. Dhe në Shqipëri, problemet, sigurisht që janë më të ndryshme dhe pa dyshim më akute se sa ato në qytezën pedante të ndërkombëtarit tipik suedez, për shembull. Janë aq të shumta sa do të duhej më shumë se një gazetë, për të përmendur ca syresh, nga ato më seriozët. Sfida e madhe e të gjithëve, qeverive, politikës, shoqërisë civile, qytetarëve është si të trajtohen këto probleme dhe si të rehabilitohen të prekurit prej tyre.

Por, prej dekadash tashmë në Shqipëri, bashkë me flladin e parë të demokracisë vërshoi edhe zhvillimi industrial dhe lulëzoi gjithashtu Industria e Problemeve. Nuk po flasim për vetë problemet, por për procesin e evidentimit, përpunimit, nganjëherë zgjidhjes, por shumë më shpesh të shpikjes së tyre. Sepse ekziston një industri e vërtetë e fabrikimit të problemeve. Dhe ustallarët i prodhojnë problemet më kollaj nga ç‘prodhohet një këpucë. Aktualisht, nëse sheh disa raporte famëkeqe, pjellë e perversitetit të hartuesve, në Shqipëri kemi disa pakica të keqtrajtuara në ekstrem, si vllahët, maqedonasit etj., pa përjashtuar këtu edhe ndonjë kombësi që Zoti ende nuk e ka parë të arsyeshme ta krijojë. Në një kohë që në Shqipëri, të vetmet "pakica" - nëse mund të quhen kështu - që realisht diskriminohen, janë ato me ngjyrë: romët edhe egjiptianët.

Nga të njëjtët fabrikues mynxyrash sociale që nuk ekzistojnë, rezulton se këtu homoseksualët i masakrojnë me hanxharë mishi, ndërkohë që realisht nga çdo disa VIP-a, njëri është të paktën biseksual. Nga të njëjtat deklarata të Zyrës së Shtypit të Industrisë së Problemeve, mund të rezultojë që ky vend ka prodhuar më shumë prostituta nga ç‘rezultojnë femra të afta seksualisht. Gjithashtu, në çdo tri vajza, dy rezultojnë të dhunuara seksualisht; konsumatorët e drogës janë një në tre të rinj (sigurisht këtu përfshihen edhe të gjithë ata që një herë në jetë mund të kenë tymosur marijuanë, si dhe ata që nuk e dinë fare se ç‘janë drogat). Ndërkaq, në një tjetër raport katërcipërisht të besueshëm, dhuna në familje në Shqipëri luhatet diku rreth shifrës 98%. Pa folur pastaj për trajtimin kafshëror që u bëhet kafshëve, çka është një problem që kërkon ndërhyrje urgjente financiare nga Bashkimi Evropian, si dhe programe mbrojtje fizike nga NATO.

E vërteta është se të gjitha sa më lart, mund të përbëjnë probleme reale në vetvete. Por në përmasa shumë më modeste. Zmadhimi i tyre përtej realitetit, vetëm se zhvlerëson kontekstin e tyre të vërtetë. Është çështje inflacioni.

Nisur nga tabloja në fjalë, duke shprehur fillimisht keqardhjen e thellë dhe të sinqertë që deklarata të tilla nuk trajtohen ligjërisht si shpifje dhe që kjo lloj shpifjeje në këtë vend nuk trajtohet nga Kodi i Procedurës Penale, vlen të theksohet se ithtarët e Industrisë së Problemeve, për nga përcaktimi etimologjik dhe social, luhaten në hapësirën mes rrugaçit të neveritshëm dhe kriminelit shumë të rrezikshëm. Ata janë pa dyshim shumë më të këqij nga ata kriminelë që i shtrëngon konteksti social të jenë të tillë.

Sepse, ndërsa kriminelët tanë të rëndomtë kanë shumë pak apo aspak mundësi zgjedhjeje, kriminelët e dezinformimit mbi probleme që nuk ekzistojnë, janë të shkolluar, me të ardhura të lakmueshme dhe mirëqenie VIP gjatë natës, ndërkohë që ditën qajnë për hallet që i kanë shpikur po vetë. Arsyeja ka karakter strikt financiar. Probleme të tilla rrënqethëse duhen trajtuar përmes programesh shpëtimtare të posaçme, të cilat medoemos duhet të kushtojnë shumë. Dhe duke qenë se problemi realisht nuk ekziston, vetë kostoja e trajtimit është minimale. Maksimumi që duhet të bësh është të organizosh një seminar me 10 gra obeze që marrin nga 1000 lekë të reja për pjesëmarrje ndërsa hanë qofte, apo 12 burra me profesion shofer shoqatash, prodhimi i një fletushke sensibilizuese dhe një kopje e vetme raporti me letër A4, bardhezi që i dërgohet donatorit. Për më tepër, shpikësi, trajtuesi dhe menaxhuesi i problemit operon kurdoherë me staf shumë të kufizuar, që të mos themi krejt fillikat. Ndaj, ndonëse programi dhe financat në fjalë nuk kanë si të ndikojnë në rregullimin e problemit, ato ndikojnë së paku në rritjen e zhvillimit dhe prosperimit të Industrisë së Problemeve, si dhe të mirëqenies personale të përfaqësuesve të saj publikë e jopublikë. Dhe të tillë ka shumë. Ka mes tyre OJF, analistë, ekspertë multidisiplinorë... sharlatanë të sërës më të lartë që e kanë stërvitur trurin në makinacione të pjelljes së apokalipsit nga shalët e korrupsionit të institucioneve alternative. Këta njerëz as kanë zgjidhur e as janë rrekur kurrë të merren me ndonjë problem real.

Në Shqipërinë ku shpërthen Gërdeci bërthamor i mazhorancës e shembet pallati i opozitës me njerëz brenda, nuk mund të kishte qenë kurrë kaq e vështirë të gjeje diçka të vërtetë për të arnuar. Në një vend ku po ringjallet fantazma e analfabetizmit dhe ku baballarët varin veten që të mbysin psherëtimat e fëmijëve të uritur, ç‘tragjedi tjetër duhet shkruar? Ǒdramë duhet krijuar në vendin ku skamja ngrohet në diell krahas Lulëve të Vocërr të shkollave fillore me kaldaja, që nuk ndizen kurrë në dimrin therës të Malësisë. Në vendin ku njerëzit vdesin të rinj vetëm sepse sistemi shëndetësor është thjesht koncept, nuk ka nevojë të sajosh as edhe një makth. Në vendin ku fëmijët që ende nuk kanë mësuar të flasin detyrohen të lypin, nuk ka vend për trillues telenovelash. Në vendin ku adoleshentët dënohen me tre vjet burg për dy cigare hashash nuk mund të shpikësh statistika të droguarish imagjinarë. Në vendin ku studentët trajtohen si plebenjtë e Mesjetës, pse duhen zbuluar siklete të paqena të arsimit?

Por problemet e vërteta janë të vështira. Ato kanë kosto reale dhe pasoja të prekshme. Kërkojnë punë fizike dhe dorëzim të plotë e pa kushte të shqisave. Kërkojnë net pa gjumë që ulërasin si nënat që kanë humbur fëmijët në flakët e një zjarri pa autor. Ato kanë sytë e njerëzve që kanë humbur gjithçka dhe gojët e turmave të uritura. Problemet e vërteta mbajnë varenë e papunësisë të Partizanit të Panjohur. Kanë fytyrat e "masave të çekiçit, violinës e të resë", siç i quante Lorka dhe ju... ju kurrë nuk mund të jeni zëdhënësit e tyre. Dhe kurdoherë do të urreni çdokënd që do të orvatet të zgjidhë vërtet diçka. Jo nga zilia, por nga neveria që ndjeni për veten. Jo nga smira, por nga turpi i pasqyrave false ku projektoni përditshmërinë fiktive të një kombi realisht të përvuajtur.

Ju profetët e apokalipsit kallp që jetoni në qendër të kiametit të vërtetë, ju që fabrikoni fletushka si bileta për në parajsë, ju që për para jeni gati të trilloni çdo llahtar, duhet së paku të kuptoni se me shpikjen e gënjeshtrave po mbysni të vërtetën ulëritëse. Po tronditni vetëdijen tonë mbi fajet e përbashkëta dhe personale, si dhe besimin se na takon ne të gjithëve të ndreqim të këqijat që në mos i shkaktuam, të paktën i lejuam të ndodhin, sepse shpesh jemi frikacakë, shpesh jemi të vegjël, shpesh jemi të dobët. Sepse pothuajse gjithmonë jemi thjesht dhe vetëm njerëzorë. Kështu, me pahir i shfajësoni të gjithë nga çdo përgjegjësi e mbi vete merrni barrën e çdo krimi të vërtetë, blerë me monedhën e gënjeshtrës. Prandaj, në mungesë të ndjeshmërisë njerëzore që do të ishte e nevojshme për shoqërinë civile e qytetare, paaftësisë për t‘u vënë në pozitat e njerëzve në nevojë, të llastuar nga një format pune që e kthen stilin tuaj të jetesës në kult publik, si të vetmen mënyrë për t‘u legjitimuar dhe konservuar, ju ngritët Industrinë e Problemeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›